
Kërkesa Kodheli ia bëri homologes së saj, Khidasheli që ajo të ndikonte në sferën diplomatike për ta çuar më përpara këtë proçes.
“Ftova zonjën Khidasheli të bëhet një zë më shumë në diplomacinë e vendit të saj pro Kosovës. Rikonsiderimi i qëndrimit të Gjeorgjisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës do të ishte një lajm i mirë për të gjithë ne” theksoi Ministrja Kodheli.
Nga ana tjetër, Kodheli rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila ka kundështuar në vijimësi njohjen nga ana e Rusisë dhe disa vendeve të tjera të “pavarësisë” së vetëshpallur të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë. Kjo, sipas Kodhelit, është shkelje e hapur e sovranitetit të Gjeorgjisë.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes së Gjeorgjisë Tinatin Khidasheli vlerësoi kontributin e veçantë dhe specifik që Shqipëria jep më lidhje me bashkëpunimin dhe koordinimin e bashkëpunimit të vendeve anëtare të NATO-s me Gjeorgjinë si vend kandidat.
“Shqipëria ka një oficer, i cili është pjesë e këtij koordinimi dhe Shqipëria jep një kontribut shumë të vyer dhe të çmuar që ky koordinim t’i shërbejë afrimit të Gjeorgjisë si vend kandidat për tu bërë vend me të drejta të plota në NATO”, tha Khidasheli.
Pas këtij takimi ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe ministrja e Mbrojtjes së Gjerogjisë Khidasheli nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet ministrive të mbrojtjes së dy vendeve tona.

Ministrja e Mbrojtjes së Gjeorgjisë, Tinatin Khidasheli është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe zv.kryeministri Niko Peleshi.
Deklarata e ministres së Mbrojtjes Kodheli
Jam shumë e nderuar të mirëpres sot, këtu, Ministren e Mbrojtjes së Gjeorgjisë, Zonjën Tinatin Khidasheli dhe delegacionin që e shoqëron. Ju falenderoj që ju përgjigjët ftesës time dhe vizituat Tiranën. Jam e bindur që kjo vizitë, si çdo mundësi më shumë për të bashkëbiseduar, forcon lidhjet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona.
I shpreha Ministres Gjeorgjiane vlerësimin tonë më të madh për kontributin që Gjeorgjia jep si vend kandidat për anëtarësim të plotë në NATO. Kontribut që përkthehet në reforma të guximshme dhe pjesëmarrje aktive me trupa në operacionet e NATO-s. Konfirmoj se Shqipëria ka mbështetur dhe do të mbështesë Gjeorgjinë në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik. Gjithashtu, gjatë takimit, pata mundësinë t’i rikonfirmoj qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila ka kundështuar në vijimësi njohjen nga ana e Rusisë dhe disa vendeve të tjera të “pavarësisë” së vetëshpallur të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë. Kjo është shkelje e hapur e sovranitetit të Gjeorgjisë.
Ftova zonjën Khidasheli të bëhet një zë më shumë në diplomacinë e vendit të saj pro Kosovës. Rikonsiderimi i qëndrimit të Gjeorgjisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës do të ishte një lajm i mirë për të gjithë ne.
Gjatë kësaj vizite patëm mundësinë e shkëlqyer për të nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy ministrive tona. Ky memorandum krijon bazën ligjore për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Jam e bindur se një ditë Gjeorgjia do të plotësojë aspiratën e popullit të saj duke qenë një partnere e denjë dhe me të drejta të plota e Aleancës. Lufta kundër terrorizmit që cënon sot më shumë se kurrë sigurinë globale kërkon të jemi bashkë për të mbrojtur vlerat më të mëdha të njerëzimit.
Edhe njëherë falenderoj Ministren e Mbrojtjes së Gjeorgjisë për vizitën dhe shpreh konsideratat më të larta për punën e saj dhe të institucionit që ajo përfaqëson.
Deklarata e ministres së Mbrojtjes së Gjeorgjisë, Tinatin Khidasheli
Faleminderit zonja ministre Kodheli për mikpritjen që rezervuat për mua si ministër i Mbrojtjes i Gjerorgjisë dhe për delegacionin tim.
Jam shumë e gëzuar që sot patëm një takim në vijim të bashkëpunimit që kemi ndërtuar së bashku. Dua t’ju falenderoj për kontributin e veçantë dhe specifik që Shqipëria jep më lidhje me bashkëpunimin dhe koordinimin e bashkëpunimit të vendeve anëtare të NATO-s me Gjeorgjinë si vend kandidat. Shqipëria ka një oficer, i cili është pjesë e këtij koordinimi dhe Shqipëria jep një kontribut shumë të vyer dhe të çmuar që ky koordinim t’i shërbejë afrimit të Gjeorgjisë si vend kandidat, për tu bërë vend me të drejta të plota në NATO. Sot ne përballemi me sfida shumë të ndërlikuara të sigurisë. Sulmet në Paris, si dhe ngjarjet e tjera që cënojnë sigurinë globale janë një shembull i tillë dhe jam shumë dakord që kjo kërkon bashkëpunim ndërmjet vendeve tona, sidomos mes vendeve anëtare të NATO-s.
Gjeorgjia shpreh gatishmërinë e saj për të qenë pjesë e këtyre përpjekjeve të përbashkëta, përpjekje të cilat jam e sigurtë që do t’i tejkalojnë dhe do të përballen në mënyrë të suksesshme me këto sfida. Është e natyrshme që ka shumë sfida dhe çështje për të cilat ne duhet të punojmë së bashku. Jam e sigurtë që vullneti i mirë për tu përballur me këto sfida dhe këto çështje do të bëjë që ne të gjejmë një rrugë të përbashkët, sepse jemi në të njëjtën anë të barrikadës dhe këto përpjekje duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
