PUKË - Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli i ka dorëzuar misionit të bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” në Pukë dokumentin hipotekor të një ndërtese ish-pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila tashmë kalon në pronësi të këtij misioni fetar.
 
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kodheli tha se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunim të mbarë që qeveria ka me Kishën Katolike dhe me të gjitha institucionet e tjera fetare në vend.
 
“Ne jemi gati t’u përgjigjemi të gjithë njerëzve të thjeshtë, shqiptarëve kudo që janë të çdo besimi që kanë. E rëndësishme është që të respektojmë njeri-tjetrin dhe kjo është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të mbarë që qeveria shqiptare ka me kishën katolike dhe me gjithë institucionet e tjera fetare për ta ndërgjegjësuar këtë marrëdhënie gjithnjë dhe më të bukur, për ta çuar më përpara shërbesën e njerëzve besimtarë, të cilët kanë merituar dhe meritojnë shumë më tepër në gjithë këto vite.”- tha Kodheli.

Mimi kodheli

Për ministren e mbrojtjes dorëzimi i këtij dokumenti, duhet të ishte bërë kohë më parë.
 
“Është detyrimi im si ministër i qeverisë që unë përfaqësoj, që të mundësoja shumë pak për një dokument i cili duhet të ishte bërë, marrë dhe siguruar, dekada më parë. Është pak të them se është turpi i atyre që kanë drejtuar politikën shqiptare për të mos siguruar këtë objekt, që i shërben të paktën 60 familjeve të varfra, që janë në nevojë ekonomike.”- ka vijuar më tej Ministrja Kodheli
 
Pas dorëzimit të dokumentit hipotekor me nr 13, datë 9.12.2014, misionit “Nënë Tereza” në Pukë, Kodheli sëbashku me monsinior Lucian Avgustini zbuluan pllakën e vendosur në hyrje të këtij institucioni fetar me këtë mbishkrim: “Dhuratë e Ministres së Mbrojtjes për “Motrat e Nënë Terzës” me falënderimet për veprën e tyre të jashtëzakonshme. Zoti ju bekoftë! Mimi Kodheli”.

Në vijim të qëndrimit të saj në Pukë, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli i dhuroi tre familjeve të varfra që jetojnë në periferi të këtij qyteti ndihma në ushqime, veshmbathje dhe materiale sanitare.




Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)