Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i bëri thirrje opozitës të mbledh fakte e të vije me prova konkrete dhe jo të hedhë akuza për konsum politik, apo publik.
 
“Ju, tha Kodheli, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, lidhur me ngjarjen e ndodhur në Spanjë, ngritët një vit më parë një stuhi (duke iu referuar akuzave për Divjakën), që dështoi dhe vini këtu e shfrytëzoni çdo rast me histori të paqena, me fakte të paverifikuara, duke krijuar argumentet për konsum politik dhe publik”, tha ajo.
 
“Ne, shtoi Kodheli, nuk kemi mbrojtur asnjë ushtarak. Zotëria është hequr nga FA-të, se ka dalë 102 herë jashtë vendit pa leje, duke thyer disiplinën ushtarake, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare. Majori ishte me leje të zakonshme dhe ka dalë nga Shqipëria pa leje. Këta zotërinj që janë dënuar apo janë kapur me abuzim, kanë dalë pa leje nga vendi. Gjithsesi, duke folur për këtë rast, investigimi po bëhet nga policia spanjolle dhe shumë shpejt do të dalë e vërteta në dritë”, theksoi Kodheli, duke kujtuar se sot, ndryshe nga më parë, ka polici ushtarake të denjë, Inteligjencë të denjë dhe Forca Ushtarake të pacenuara, prandaj dhe ministrja Kodheli i bëri apel opozitës të dalë në foltoren e Kuvendit, apo ku do tjetër, me dokumente dhe prova

Ministrja Kodheli deklaroi se që prej marrjes së detyrës së saj si ministre e Mbrojtjes, askush nuk mund të abuzojë me Forcat e Armatosura. Deklarata e ministres u bë në formën e një replike ndaj deputetes Jozefina Topalli, e cila me herët akuzoi Kodhelin për fluturimin e disa helikopterëve ushtarakë në zonën e Kakavijës.

Por Kodheli i kujtoi, se nëse ka një njeri që duhet të kërkojë falje për FA-të është Topalli, dhëndëri i së cilës përdorte helikopterët e FA-ve, duke i lënë këta të fundit pa asnjë litër naftë për shërbimin e tyre të nevojshëm:

“Dua t’ju rikujtoj se në datë 15-16 shtator 2013, kur unë kam hyrë për herë të parë në zyrën e Ministrisë së Mbrojtjes, është ngritur përfaqësuesi i lartë i FA-ve dhe ka thënë, se nuk kemi asnjë litër naftë për të patrulluar bregdetin. Sot kemi qenë pjesë e një aksioni ku flota jonë detare ka dalë në patrullim. E dini pse mungonte nafta, sepse dhëndri i zonjës dhe dhëndurët shëtisnin për të parë detin dhe bënin videoklipe. Në ka një njeri këtu, që duhet të kërkojë falje, është pikërisht kjo zonja”, u shpreh Kodheli për deputeten Topalli.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)