Kodi konsensual zgjedhor i njeh anëtarit të KQZ mandat 6 vjeçar dhe neni 18 përcakton se ndërprerja e mandatit të parakohshëm ndodh vetëm kur anëtari kryen veprimtari politike, kur del në pension, kur vdes, kur jep dorëheqjen, kur dënohet nga gjykata, mungon pa arsye në periudhë zgjedhore ose bën akte diskretituese për KQZ.
Në rastin konkret nuk ekzistojnë asnjë prej këtyre arsyeve ligjore. Mazhoranca ka shtuar një arsye më shumë, atë politike, por që nuk ka bazë ligjore. Me shumicë votash ajo do ta realizojë projektin e saj brenda 48 orëve. Vijimi dihet: opozita dymujore LSI pritet të kërkojë (me votat e PD) zëvendësimin e anëtarit të PBDNJ me anëtarët e saj dhe kështu, KQZ të ndryshojë dy anëtarë shoqëruar me skema të njëjta në gjithë hierarkinë zgjedhore.
Procesi mund të mos jetë final, pasi PBDNJ ende nuk ka vendosur nëse është në opozitë apo në mazhorancë (nëse kalon në mazhorancë hapet debat nëse anëtari i KQZ, i KZZ etj, i takon asaj apo PR, nëse del e vetme lind debati nëse ajo konsiderohet opozitë, etj).
Rasti më hipotetik është nëse gjatë fushatës psh, LSI ndryshon mendje dhe kalon në qeveri apo PR kalon në opozitë, atëherë parlamenti do të duhet të ndjekë të njëjtin precedent, pra të zëvendësojë përsëri anëtarët e KQZ.
E njëjta situatë përsëritet edhe pas zgjedhjeve, kur mund të kemi parti të tjera në opozitë dhe në qeveri, pavarësisht mandatit 6 vjeçar të anëtarit të KQZ. Një ligj absurd zgjedhor miratuar nga PD-PS që prodhon situata të tilla absurde.
Për pasojë, më pak se 90 ditë përpara ditës së votimit, me ndërgjegje, i gjithë procesi i besimit dhe administrimit zgjedhor futet në krizë. Gjithçka nis nga fillimi dhe rriten pikëpyetjet mbi standardet e pritshme të zgjedhjeve të qershorit. Kalime të tilla spektakolare, jashtë çdo pritshmërie normale për një vend demokratik, janë tipike për një vend në tranzicion dhe mosbesim të thellë në proceset zgjedhore.
Rasti konkret e bën edhe më të veçantë situatën, pasi përbën një precedent unik në historinë 22 vjeçare të zgjedhjeve, krijon e provokon konflikte të reja politike, injoron tërësisht legjislacionin në fuqi dhe angazhimin për standarde zgjedhore, si dhe kërcënon se shumica do të përdorë çdo burim shtetëror, publik, politik dhe diplomatik për të arritur synimin e saj për kontroll të plotë mbi procesin zgjedhor.
Ky zhvillim sjell në vemendje disa problematika. E para, që palët e vjetra politike vijojnë të kenë monopolin mbi zgjedhjet dhe administrimin zgjedhor, pavarësisht ligjit dhe praktikave demokratike. E dyta, është dëshmi sesi palët për interesa momenti krijojnë ligje e formula ligjore jetëshkurtra, vetëm për momentin, pa bazë të qëndrueshme dhe vizion afatgjatë.
Kjo praktikë i bën institucionet formale dhe në rast të çdo ndryshimi të balancës politike, i kthen ato të objekte të pazareve të reja politike. E treta nxjerr në pah paradoksin e madh në raportet qeveri-opozitë në Shqipëri. 24 orë më parë LSI në opozitë votoi votoi bashkë me PD projektin e kryetarit të Bashkisë Tiranë duke vepruar si një mazhorancë solide.
Një ditë më pas qeveria bën sikur zemërohet me LSI dhe shkarkon anëtarin e saj, duke punuar de facto me të për zëvendësimin e anëtarit të PBDNJ, me argumentin e vetëm se komisionerët e kësaj të fundit mund të mbrojnë votat e Polit të Tretë politik. E katërta, nisma për rishikimin e raporteve të komisionerëve ndryshon edhe grupet e numërimit të votave.
Tani do të kemi katër anëtarë, dy nga PD, një nga LSI dhe një nga PS, dy të parat aleatë në katër vitet e fundit, dy të dytat aleate në katër ditët e fundit. Kodi Zgjedhor përmban në vetvete shumë paradokse të tjera “konsensuale”, të futura aty me qëllimin e vetëm për të monopolizuar vullnetin e sovranit, për ta kufizuar atë dhe për të kanalizuar votat kundër në procese deformimi në favor të njërës apo dy palëve kryesore politike.
Psh, PD-PS vijojnë të mbajnë më këmbë një Kod që përjashton apriori nga votimi 1.2 milion shqiptarë madhorë që jetojnë jashtë vendit; që mbajti në këmbë një ndarje zonale të disbalancuar, antiligjore dhe fiktive; që penalizon përfaqësimin parlamentar rreth 200 mijë vota që shkojnë për partitë e treta të penalizuara nga pragu elektoral lokal, si dhe përjashton hirearkinë normale të ankimimit zgjedhor, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, si dhe Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg; që injoron detyrimin kushtetues për transparencë financiare dhe legjitimon pastrimin e parave në fushatat elektorale.
Ky është Kodi i vetëm zgjedhor europian që ligjërisht shpall çmimin 10 milion lekë (të vjetra) për një femër kandidate, nëse një subjekt vendos ta zhvendosë atë nga praktika e kuotave, dhe gjithashtu Kodi i vetëm europian që ruan 100% administrimin partiak të procesit zgjedhor.
Midis paradokseve të shumta problemi më i madh që shfaqet është qetësia me të cilën mazhoranca merr dhe realizon nisma antiligjore dhe antikushtetuese, qetësia me të cilën keqpërdoret parlamenti, KQZ, dhe institucionet shtetërore; pra logjika e dukshme e partisë-shtet që vepron pa drojë, që nuk ndalet përpara asgjëje, që nuk pyet as për standarte zgjedhore dhe as angazhime përpara SHBA apo OSBE, që nuk pranon përgjegjësi morale dhe as ligjore dhe që synon të imponojë një sistem vendimmarrës ilegjitim, jashtë frymës dhe gërmës kushtetuese.
Njëherësh, pjesë e problemit vijon të jetë opozita aktuale, e cila me heshtjen paraprake, mungesën e inciativave preventive dhe pazareve të momentit të fundit me një të katërtën e qeverisë, - ushqen e mban në këmbë një sistem të inkriminuar dhe korruptuar zgjedhor.
Kodi i pazareve nuk është vetëm ai zgjedhor apo marrëveshjet “për më shumë vota” midis PS e LSI sot dhe PD e PKSH më 2011, blerja e 2-3 deputetëve për të shpëtuar qeverinë nga mosbesimi apo emërimi me konsensus nga një gjyqtar për secilën parti të klanit në Gjykatën Kushtetuese. PD ra dakord me LSI ti japë leje të kalojë në opozitë, me pazarin, - voto në këshilla bashkiakë në shkëmbim të ruajtjes së përfaqësimit 20% në administratën publike.
Ndaj dorëheqje kanë dhënë vetëm postet politike, asnjë prej atyre që u emërua aty për shkak të kontratës antiligjore të 20%, një logjikë parademokratike që bashkon prej katër vitesh PD me LSI dhe aleatët e saj dhe që pritet të bashkojë edhe PS me aleatët e saj. Secili prej tyre fiton, por humbet administrata, shteti dhe shoqëria, qytetarët dhe shanset e shtetit të së drejtës.
Ky është produkti i kodit misterioz të pazareve, që mbyll procese gjyqësore herë në Gjirin e Lalzit dhe herë në vilën e Dajtit, që ndan në përqindje zonat turistike dhe pasurinë publike, që krijon strukturë nepotike dhe klienteliste në cdo strukturë shtetërore dhe që i shndërron institucionet në grupe besnikësh të deleguar nga tri familjet kryesore politike.
Mbi bazën e kulturës së pazarit, mungesës së kulturës dhe etikës publike, fiktivitetin e politikës dhe keqpërdorimit të shtetit për interesa private, sot ata e kanë shndërruar gjithçka në pazar, gjithçka është në shitje dhe çdo gjë, përfshirë parimet politike, identiteti dhe institucionet, - sakrifikohet për një grusht vota më shumë. Një sistem i kodeve mafioze, i cili përmes reagimit aktiv qytetar dhe votës masive kritike duhet zhbërë në rrënjë, pa hezitim dhe dilemë, pa keqardhje dhe humbje kohe.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)