Gjykata e Lartë
1. Gjykata e Lartë gjykon në kolegj, me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë, të gjitha çështjet që, sipas këtij neni, në gjykatën e shkallës së parë gjykohen nga një gjyqtar. Çështjet e tjera gjykohen me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë. Gjykata e Lartë gjykon në kolegje të bashkuara me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve çështjet e parashikuara shprehimisht në dispozita të tjera të këtij Kodi.
2. Gjykata e Lartë shqyrton ankimin në dhomë këshillimi, në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë, dhe shprehet me vendim të arsyetuar jo më vonë se tridhjetë ditë nga momenti i depozitimit të ankesës.
Regjistrimi i akteve
1. Sekretari lëshon kundrejt pagesës kopje të akteve të përpiluara, të regjistrimeve të mbajtura me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive, transkripte të plota ose të pjesshme të këtyre të fundit, si dhe ekstrakte autentike të akteve të përpiluara me shtypshkrim apo dorëshkrim.
2. Kryetari i seancës duhet të sigurohet që të mbahet procesverbal nëpërmjet regjistrimit audio ose audioviziv për seancën gjyqësore, si dhe për çdo veprimi tjetër gjyqësor që zhvillohet jashtë seance. Nëse nuk është e mundur që procesverbali të mbahet nëpërmjet regjistrimit audio ose audioviziv, ai mbahet duke bërë një përmbledhje të saktë me shtypshkrim apo dorëshkrim.
Në procesverbal duhet të përcaktohen:
a) vendi ku zhvillohet veprimi gjyqësor;
b) koha e zhvillimit të veprimit gjyqësor;
c) përbërja e trupit gjykues dhe emri i sekretarit të gjykatës;
ç) gjenealitetet e pjesëmarrësve në gjykim;
d) të dhënat për personat e thirrur, por që nuk janë paraqitur, si dhe nëse dihet, arsyeja e mungesës së tyre.
Në procesverbal duhet të përshkruhen veprimet e kryera gjatë veprimit gjyqësor dhe të pasqyrohen fjalë për fjalë:
a) të gjitha kërkimet dhe kundërshtimet e palëve e të personave të tretë;
b) përmbajtja kryesore e çdo shpjegimi dhe pretendimi me shkrim të paraqitur nga pala;
c) pyetjet dhe thëniet e personave që marrin pjesë në veprimin gjyqësor, duke përfshirë dëshmitarët dhe ekspertët;
ç) provat e marra, duke përfshirë përmbajtjen e provave me shkresë që janë paraqitur, të shiritave të magnetofonit, diapozitivave, e filmave;
d) të gjitha vendimet dhe urdhrat që ka dhënë gjykata gjatë veprimit gjyqësor;
dh) të gjitha pretendimet përfundimtare të palëve.
Në rast se procesverbali mbahet në formë të përmbledhur me shtypshkrim apo dorëshkrim dhe njëra nga palët kërkon që pjesë nga thëniet e palës tjetër të përfshihen në procesverbal, gjykata duhet ta marrë parasysh këtë kërkesë.
Nëse procesverbali mbahet në formë të përmbledhur me shtypshkrim apo dorëshkrim, ai nënshkruhet në fund të çdo faqeje nga sekretari dhe në fund të dokumentit nga kryetari i seancës, menjëherë pas seancës, dhe përfshihet në dosjen gjyqësore.
Procesverbali është pjesë përbërëse e dosjes gjyqësore dhe ruhet për aq kohë sa edhe vetë dosja. Rregullat e hollësishme për ruajtjen dhe arkivimin e procesverbalit përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
3. Transkriptimi i procesverbaleve të mbajtura me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive
Transkriptimi i procesverbaleve të mbajtura me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive përgatitet nga sekretari gjyqësor ose teknikë të kontraktuar nga gjykata dhe që veprojnë nën mbikëqyrjen e sekretarit gjyqësor.
Traskriptimi i procesverbalit bëhet në rastet kur:
a) kërkohet nga anëtarët e trupit gjykues;
b) kërkohet, në mënyrë të argumentuar, me shkrim, nga palët në gjykim ose persona të tjerë të interesuar, dhe kjo kërkesë miratohet nga kryetari i seancës gjyqësore, pasi paguhen tarifat e vendosura për këtë qëllim, e cila përcaktohet me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Transkriptimi i regjistrimit mund të bëhet për të gjitha seancat e një çështjeje, për seanca të veçanta ose për pjesë të shkëputura prej tyre, sipas kërkesës së personit që kërkon transkriptimin.
Transkriptimi mund të kërkohet edhe para se gjykata të ketë dhënë vendimin për çështjen.
Transkriptimi i bashkëngjitet dosjes gjyqësore pa cenuar vlefshmërinë e procesverbalit të mbajtur sipas nenit 118, të këtij Kodi.”.
Njoftimi i akteve
Gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues të çështjes kujdeset dhe kontrollon procesin e njoftimit, që kryhet nga nëpunësit e administratës gjyqësore të caktuar për realizimin e tij.
Thirrja në gjykatë
Thirrja në gjykatë bëhet nëpërmjet njoftimit të letërthirrjes, në të cilën duhet të përcaktohen gjykata që e ka nxjerrë, emri, mbiemri i personit të thirrur, koha e vendi i seancës gjyqësore, mosmarrëveshja për të cilën thirret, si dhe pasojat ligjore në rast se personi i thirrur nuk paraqitet në gjykatë.
Gjykata, kur e çmon të dobishme dhe kur pala ka dhënë pëlqimin paraprak, urdhëron që thirrja në gjykatë të bëhet nëpërmjet njoftimit me mjete të komunikimit elektronik.
Rregullat e njoftimit shkresor të akteve
Njoftimi shkresor bëhet nëpërmjet dorëzimit nga nëpunësi gjyqësor ose shërbimi postar i letërthirrjes apo akteve të tjera që duhet t’i njoftohen personit të caktuar si marrës, kudo ku ai gjendet.
Në rastin e personave juridikë publikë njoftimi bëhet në qendrën e tij dhe i dorëzohet titullarit ose personave të ngarkuar për pranimin e akteve.
Në rastin e personave juridikë privatë njoftimi bëhet në qendrën e tij dhe i dorëzohet përfaqësuesit ose personit të ngarkuar për të marrë aktet dhe, në mungesë të tyre, një personi tjetër që punon aty.
Në rastet kur njoftimi shkresor bëhet nëpërmjet shërbimit postar, nëpunësi gjyqësor shënon mbi origjinalin dhe mbi kopjen e njoftimit edhe zyrën e postës me anë të së cilës i është dërguar akti marrësit, me dërgesë të porositur. Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet t’i bashkohet origjinalit të aktit dhe të përfshihet në dosjen gjyqësore.
Në qoftë se marrësi refuzon marrjen e njoftimit, nëpunësi gjyqësor ose punonjësi i shërbimit postar bën shënimin përkatës në aktin, objekt njoftimi, dhe, kur është e mundur, e vërteton me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm. Në këtë rast, njoftimi duhet konsideruar i përfunduar.
Rregullat e njoftimit elektronik të akteve
Njoftimi elektronik i akteve bëhet me mjete të komunikimeve elektronike, nëpërmjet dërgimit nga nëpunësi gjyqësor, i letërthirrjes ose akteve të tjera që duhet t’i njoftohen personit të caktuar si marrës, në të dhënat e tij të kontaktit.
Ky njoftim duhet të pasqyrohet në një procesverbal të posaçëm, në të cilin duhet të tregohen të dhënat e kontaktit dhe mjeti i komunikimeve elektronike të përdorura për njoftim, data dhe ora e saktë e komunikimit, personi me të cilin komunikon dhe qëllimi i njoftimit.
Procesverbali hartohet nga sekretari gjyqësor dhe nënshkruhet prej tij dhe nëpunësit gjyqësor të ngarkuar me kryerjen e njoftimeve. Ky procesverbal bëhet pjesë e dosjes gjyqësore.
Rregulla të hollësishme për mënyrën e njoftimit elektronik përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Të dhënat në kërkesë padi
Paditësi në kërkesëpadi duhet të tregojë saktë:
a) të dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, në të cilin gjykata mund ta njoftojë, si dhe deklaratën e pranimit të njoftimit me mjete të komunikimit elektronik;
b) listën e personave, që kërkon të thirren në gjykim, me cilësinë e ekspertit, personit të tretë apo të dëshmitarit, nëse mund të përcaktohen, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë të tyre.
Paditësi, për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës dhe të dhënave elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, detyrohet të njoftojë gjykatën. Shkelja e këtij detyrimi i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit.
Shqyrtimi i çështjes para gjykatës
Shqyrtimi i çështjes përpara gjykatës bëhet verbalisht, por palët mund të parashtrojnë me shkrim shpjegimet dhe pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim. Shpjegimet dhe pretendimet me shkrim të paraqitura nga palët, në mbështetje të kërkesave dhe konkluzioneve të tyre, bëhen pjesë e dosjes gjyqësore ose i bashkohen procesverbalit kur ai mbahet me shtypshkrim apo dorëshkrim.
Afatet
Mosparaqitja e padisë brenda afatit të caktuar nga gjykata, e vërtetuar nga kryesekretari, shuan masën e sigurimit të padisë.
Moslejimi i sigurimit të padisë
Sigurimi i padisë nuk lejohet në rastet e kundërshtimit të veprimeve të përmbaruesit gjyqësor.
Njoftimi i vendimeve
Vendimet përfundimtare, jopërfundimtare dhe të ndërmjetme të gjykatës, për të cilat është parashikuar e drejta e ankimit, u njoftohen palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, brenda tri ditëve nga data marrjes së vendimit ose, në rast se vendimi i arsyetuar shpallet më vonë, brenda tri ditëve pas shpalljes së vendimit të arsyetuar.
Të zhdukurit
Kërkesa për shpalljen e një personi të zhdukur ose të vdekur mund të paraqitet nga çdo person i interesuar, nga noteri pranë të cilit personi ka redaktuar një testament me akt noterial apo ka depozituar për ruajtje testamentin ollograf ose testamentin e posaçëm apo nga prokurori në gjykatën ku ka pasur vendbanimin e fundit personi, për të cilin kërkohet shpallja si i tillë.
Trashëgimia
Gjykata mund të marrë masa për sigurimin e pasurisë trashëgimore. Ajo autorizon Dhomën e Noterisë, në nivel vendor, që mbulon njësinë vendore të vendbanimit të fundit të të shpallurit të zhdukur ose të vdekur, ose noterin pranë të cilit është redaktuar testamenti me akt noterial apo është depozituar për ruajtje testamenti ollograf ose testamenti i posaçëm, që të bëjë inventarin e pasurisë së trashëgimlënësit. Dhoma e Noterisë, në nivel vendor, cakton një noter për të bërë inventarin e pasurisë së trashëgimlënësit. Noteri në këtë rast duhet të caktojë një person si ruajtës të pasurisë trashëgimore deri në çeljen e dëshmisë së trashëgimisë.
Ankesa
Ankimi në gjykatën e apelit dhe rekursi në Gjykatën e Lartë nuk mund të bëhen pasi ka kaluar një vit nga shpallja e vendimit.
Mospranimi i rekursit
Mospranimi i rekursit vendoset në dhomë këshillimi, në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë, në rastet kur:
a) bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji;
b) nuk plotësohen kërkesat procedurale të parashikuara në këtë kre;
c) pala që ka paraqitur rekurs heq dorë prej tij.
Gjykata, kur vlerëson që rekursi është dukshëm i pabazuar dhe për pasojë vendos mospranimin e tij, i jep ankuesit një gjobë në vlerën 20 000 deri në 100 000 lekë.
Pala, kundër së cilës është paraqitur rekursi, mund të paraqesë kundërshtimet e saj mbi pranueshmërinë e rekursit, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e njoftimit të rekursit.
Shqyrtimi bëhet brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e depozitimit të rekursit, pa praninë e palëve, por pasi janë shqyrtuar pretendimet me shkrim të tyre për çështjen e pranueshmërisë.
I njëjti trup gjykues vendos për çdo kërkesë procedurale të palëve.
Urdhri i ekzekutimit
Titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim nëpërmjet lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, i cili:
a) për rastet e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 510, të këtij kodi, lëshohet nga gjykata që ka dhënë vendimin. Në këtë rast, kancelari konfirmon urdhrin e ekzekutimit, brenda pesë ditëve nga marrja formë të prerë e vendimit gjyqësor;
b) për vendimet e gjykatave të shteteve të huaja e të gjykatave të arbitrazhit të huaj që u është dhënë fuqi në zbatimin e dispozitave të këtij kodi, lëshohet nga Gjykata e Apelit, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit.
c) për rastet e parashikuara nga shkronja “ç”, e nenit 510, të këtij kodi, lëshohet nga gjykata e vendit ku është dhënë vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit.
ç) për rastet e parashikuara nga shkronjat “d”, “dh” dhe “e”, lëshohet nga gjykata e vendit ku detyrimet që përmban titulli ekzekutiv do të përmbushen, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit.
Nuk lëshohet urdhri i ekzekutimit për vendimin e sigurimit të padisë dhe për gjobat e dhëna nga gjykata, të cilat ekzekutohen drejtpërdrejt nga zyra përmbarimore, pas njoftimit të vendimit.
Shtyrja e ekzekutimit
Me kërkesë të debitorit gjykata e shkallës së parë të vendit të ekzekutimit, në raste të veçanta, duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit ose rrethana të tjera të çështjes dhe pasi të dëgjojë kreditorin, mund të shtyjë afatin e ekzekutimit të detyrimit në të holla ose të ndajë këtë detyrim në këste, përveç rasteve kur ky detyrim rrjedh nga një akt për dhënien e kredisë bankare. Vendimi jepet në seancë gjyqësore, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe kundër tij mund të bëhet ankim i veçantë.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)