Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ndalohen që të paraqiten në gjendje të dehur apo nën efektet e drogës në mjediset e Parlamentit. Deputetëve u ndalohet gjithashtu ngacmimi seksual me verime fizike, fjalë, gjeste ose çdo lloj komunikimi virtual në komisionet parlamentare apo seancat plenare. Kështu parashikon drafti i dakordësuar mes Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe LSI për Kodin e Sjelljes së Deputetëve.
Dokumenti që rregullon dhe disiplinon veprimtarinë e ligjvënësve shqiptarë, brenda dhe jashtë Parlamentit, pritet të miratohet ditën enjte, pas një dakordësie paraprake mes tre partive kryesore. Institucionet e Bashkimit Evropian, OSBE dhe Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës (GRECO), për tre vite me radhë, kanë ushtruar presion mbi Parlamentin për miratimin e Kodit Etik. Kodi i Sjelljes së Deputetëve u përfshi në seancën plenare të 26 shkurtit 2018, për t’u miratuar, por Partia Demokratike kërkoi kohë, për të paraqitur disa amendamente. Një ditë para seancës së të enjtes, Shqiptarja.com zbardh variantin e dakordësuar.
Përpos ndalimit të alkoolit, drogës dhe ndalimeve seksuale, deputetit i ndalohet që të kryejë veprime të tjera ose gjestikulacione të pahijshme, përçmuese dhe ofenduese ndaj kolegëve. Drafti i dakordësuar ndalon deputetët që të vishen në mënyrë të papërshtatshme. Sipas draftit, deputeti duhet të paraqitet me veshje zyrtare në përshtatje me funksionin që kryen. Veshja e deputetit duhet të përmbushë standardet e profesionalizmit dhe të modestisë, pa u bërë shkak debati dhe tërheqje vëmendje nga publiku. Deputeti nuk duhet të përdorë as celularin në Kuvend, ose mjete të tjera, që tregojnë mungesë respekti ndaj kolegut. Kodi ndalon rreptësisht edhe përdorimin e gjuhës së pahijshme, fyese, kërcënuese në Kuvend. Ndalohen rreptësisht edhe ofendimet dhe sulmet fizike personale.
Varianti i dakordësuar mes palëve
Neni 8
Paraqitja e deputetit në veprimtaritë parlamentare
1. Deputeti, në komisionet parlamentare, në seancë plenare dhe në veprimtaritë e tjera
parlamentare:
a) ruan solemnitetin dhe imazhin e Kuvendit;
b) shfaq tiparet më të mira të personalitetit të tij;
c) i drejtohet kolegut me fjalë kortezie;
ç) paraqitet me veshje zyrtare në përshtatje me funksionin që kryen. Për qëllim të këtij neni, veshja e deputetit duhet të përmbushë standardet e profesionalizmit dhe të modestisë, pa u bërë shkak debati dhe tërheqje vëmendje nga publiku;
d) mban marrëdhënie profesionale dhe kolegjiale me shërbimet e Kuvendit dhe personat e tjerë të angazhuar në punimet parlamentare.
2. Deputetit i ndalohet:
a) të paraqitet në gjendje të mungesës ose të uljes së ndjeshme të ekuilibrit fizik dhe/ose
mendor për shkak të konsumimit të alkoolit dhe/ose të substancave narkotike ose psikotrope;
b) të kryejë veprime të tjera ose gjestikulacione të pahijshme, përçmuese dhe ofenduese ndaj kolegëve, administratës së Kuvendit dhe të ftuarve, që ndikojnë negativisht në perceptimin e publikut për deputetin.
3. Gjatë veprimtarisë parlamentare, si rregull, deputeti nuk duhet të përdorë telefoninë e lëvizshme ose mjete të tjera, që tregojnë mungesë respekti ndaj kolegut, veprimtarisë parlamentare ose publikut dhe pengon mbarëvajtjen e punimeve parlamentare.
4. Kuvendi krijon mundësi për gruan deputete dhe staf i Kuvendit që kanë fëmijë të porsalindur, të marrë pjesë në punimet parlamentare bashkë me të. Kuvendi rishikon në mënyrë të vazhdueshme kushtet dhe kulturën e punës. Kuvendi siguron mundësi të barabarta për cilindo, si për deputet dhe për staf mbështetës.
Neni 10
Ndalimi i ngacmimit seksual
1. Deputetit i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilitdo dhe që konsiderohet e padëshiruar, e papranueshme, e papërshtatshme dhe ofenduese për personin tjetër si dhe krijon një mjedis pune shqetësues, të paqëndrueshëm, armiqësor dhe frikësues. Për qëllim të këtij neni, sjellja e deputetit përfshin dhe nuk kufizohet në veprime fizike, fjalë, gjeste ose çdo lloj komunikimi virtual.
2. Çdo deputet përpiqet të sigurojë dhe të mbajë një mjedis pune pa ngacmime seksuale. Ai reagon menjëherë, raporton, kërkon evidentimin dhe hetimin e rastit, kur merr dijeni të ndonjë pretendimi për ngacmim seksual, duke mundësuar që viktima e ngacmimit seksual të mos frikësohet, të mos denigrohet dhe të mos injorohet pretendimi i tij.
Neni 11
Mirësjellja e deputetit
1. Gjatë zhvillimit të seancave plenare, mbledhjeve të organeve të Kuvendit e komisioneve parlamentare dhe në veprimtaritë e tjera parlamentare, deputeti i drejtohet të tretëve me mirësjellje “i/e nderuar.
2. Kur deputeti i ri, mban fjalimin e parë në foltoren e Kuvendit, ai/ajo përshëndetet nga drejtuesi i seancës, respektohet nga të gjithë deputetët pjesëmarrës në sallë, pavarësisht grupimit politik që i përket.
3. Deputeti që bën diskutim/deklaratë në seancë plenare ose në mbledhje të komisionit dhe me fjalimin i adresohet tij një kolegu ose një anëtari të Këshillit të Ministrave, në respekt të fjalës së mbajtur, qëndron në seancë/mbledhje për të dëgjuar të paktën deri në dy ndërhyrje të tjera nga kolegët.
Neni 17
Kufizime gjatë ushtrimit të mandatit
1. Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet:
a) të ushtrojë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave;
b) të kryejë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre;
c) të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
ç) të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
d) të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.
2. Kufizimi i përcaktuar në pikën 1 shkronja “b” përfshin edhe ndalimin për të aplikuar dhe/ose fituar të ardhura direkte ose indirekte nga procedurat e tenderimit të autoriteteve prokuruese publike nga shoqëria tregtare, e zotëruar në mënyrë aktive nga deputeti qoftë edhe pjesërisht, dhe prej të cilës ai është larguar për shkak të fillimit të mandatit të deputetit.
Risitë
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ndalohen që të paraqiten në gjendje të dehur apo nën efektet e drogës në mjediset e Parlamentit. Deputetëve u ndalohet gjithashtu ngacmimi seksual me verime fizike, fjalë dhe gjeste
Veshja
Deputeti duhet të paraqitet me veshje zyrtare në përshtatje me funksionin që kryen. Veshja e deputetit duhet të përmbushë standardet e profesionalizmit dhe të modestisë, pa u bërë shkak debati dhe tërheqje vëmendje nga publiku.