TIRANE - Tre banorët e zonës së Astirit të arrestuar tre ditë më parë nga policia, janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, e cila ka vendosur ‘arrest me burg’ për ta.

Ilir Katiraj, Gramoz Shehu dhe Skënder Doda akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Tre ditë më parë, ata penguan qarkullimin rrugor, e ndërsa policia i arrestoi. Edhe pse para gjykatëse ishin mbledhur dhjetëra banorë të Astirit në mbështetje të tyre, gjykata i la në burg. Në mbështetje të tyre, ishte edhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu.

Në një prononcim për mediat, Balliu është shprehur se së shpejti do të vendoset se cili do të jetë hapi i ardhshëm i tyre.

“Rama do marrë zvarrë. Do tërhiqemi për vendim. Brenda 2-3 orësh do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Ai nuk njeh asgjë. As familje, asgjë. Ata shijojnë paratë.

Nga 3 milionë lekë që kishte në llogari, bëri shtëpi në Surrel. Këta vjedhin çdo ditë. 1 mln e 200 mijë euro i kanë dhënë këta banorë shtetit. Ai projekt banditesk nuk ndalet”, tha Balliu.

Avokati i tyre, pas përfundimit të seancës gjyqësore, u shpreh se vendimi i Gjykatës së Tiranës, ishte politik.

Ditën e djeshme, Policia e Shtetit mori masa që banorët e Astirit të mos bllokonin, rrugën ndërsa pozita e atyre që bllokojnë rrugën rëndohet më shumë pas ndryshimeve të Kodit Penal.

Edhe tre banorë të tjerë të Astirit janë vënë në pranga, pasi me 11 tetor ata bllokuan sërish rrugën.

6 të arrestuarit, rrezikojnë të dënohen deri në 3 vite burg, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve që ju bënë Kodit Penal.