Kodi i sjelljes së deputetëve,OSBE:
Të zhgënjyer nga mungesa e etikës

Kodi i sjelljes së deputetëve,OSBE:<br />Të zhgënjyer nga mungesa e etikës
TIRANË - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, kanë iniciuar të martën pasdite një tryezë pune për finalizimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve, e cila është mbledhur në ambientet e kryesisë së Kuvendit.

Në këtë tryezë do të shqyrtohen me organet drejtuese të Kuvendit dhe ekspertët ndërkombëtarë praktikat dhe standardet më të mira mbi draftin e kodit të sjelljes, i përgatitur nga grupi i punës i parlamentit në fillim të kësaj legjislature.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, tha gjatë këtij takimi se, "ky kod sjelljeje duhet parë si plotësim i legjislacionit ekzistues".

"Mendoj se kemi në tavolinë një kod të besueshëm, hartimi i tij në praktikat më të mira ndërkombëtare. Në hartimin e tij kanë shërbyer si udhëzues, praktikat e Britanisë etj. Rikonfirmoj vullnetin për miratimin konsensual të kodit të ODIHR. Mirënjohje për përkushtimin e ambasadorit Florian Raunig. Ju ftoj ta vlerësoni këtë kod", tha Meta.

OSBE shpreson që një kod etike do të vendosë në shinat e normalitetit punimet në seancë plenare dhe kërkon miratimin e tij brenda këtij sesioni parlamentar.

Ambasadori i OSBE, Raunig, theksoi se, "qytetarët janë të zhgënjyer nga mungesa e etikës në debatet parlamentare. Qytetarët duhet të besojnë tek zyrtarët e zgjedhur. Shpesh debatet parlamentare kthehen në fyerje personale dhe unë shpresoj që ky takim të mos jetë i vetmi i kësaj natyre, por të jetë një gur themeli për miratimin e një kodi etike deri në fund të këtij sesioni parlamentar".

Ky draft është një nga detyrimet e Kuvendit në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të raundit të Katërt të vlerësimit të GRECO-s për Shqipërinë, në luftën kundër korrupsionit në radhët e deputetëve.

Kodi i Sjelljes së deputetëve të Kuvendit është një dokument me 15 nene, i propozuar nga një grup ligjvënësish dhe që synon të ndihmojë deputetët gjatë ushtrimit të detyrës.

Kodi përcakton një sërë rregullash lidhur me standardet e duhura të sjelljes gjatë ushtrimit të veprimtarisë së deputetëve, si dhe siguron transparencën dhe përgjegjësinë e nevojshme për të forcuar besimin e publikut.

Fusha e veprimit të këtij Kodi zbatohet për deputetët në të gjitha aspektet e jetës së tyre publike, ndërsa nuk rregullon aspektet e jetës private.

Kodi
Misioni i OSBE-së prej vitit 2014 ka depozituar në Kuvend, draftin në të cilin përcaktohen edhe kufizimet që deputetët duhet të kenë në përmbyshje të Kodit të Sjelljes. Në këtë draft me 15 pika, përcaktohet që deputetët të mos përdorin aparatet e tyre celular gjatë punës së tyre në Kuvend. Një tjetër pikë në të cilën deputetët kufizohen, lidhet me pjesën e veshjes. Në draft parlamentarëve u kërkohet që të mbajë veshje zyrtare në momentin kur ata hyjnë në ambientet e Kuvendit. Në nenin 10 të Kodit të Etikës së OSBE-së parashikohet se: “1. Gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit në komisione dhe seancë plenare, deputeti duhet të paraqitet me veshje zyrtare.

2. Gjatë zhvillimit të seancave plenare dhe mbledhjeve të organeve të Kuvendit, si rregull, deputeti nuk duhet të përdorë telefoninë e lëvizshme.”Krahas përdorimit të telefonave dhe veshjes zyrtare, OSBE ka kërkuar që deputetët të mos pranojnë asnjë lloj dhurate. Sipas tyre, ligjvënësit nuk duhet të marrin dhurata nga persona të tretë dhe në rast se dhurata shkon pa dijeninë e tyre, ajo duhet tu kthehet mbrapsht dhuruesve.Në nenin 7 përcaktohet se: “Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet:

a) t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë Shërbimit të Financës dhe Buxhetit, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit; b) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, ta kallëzojë atë tek organet kompetente për ndjekje penale. Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale apo historike, u dorëzohen institucioneve të specializuara.”

Redaksia Online
(a.h/shqiptaraj.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zbërthimi i SkyECC/ Mes 21 masave sigurie edhe emri i Prek Kodra, në 2021 u akuzua se do të vriste Albin Kurtin

Zbërthimi i SkyECC/ Mes 21 masave sigurie edhe emri i Prek Kodra, në 2021 u akuzua se do të vriste Albin Kurtin