Kodi Penal i Kosovës që vret median

Kodi Penal i Kosovës që vret median
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga do të duhej të shfrytëzonte të drejtën e saj të shqyrtimit të gjithanshëm të Kodit Penal të sapoaprovuar, duke ia kthyer atë mbrapsht Kuvendit për të korrigjuar gabimin trashanik dhe skandaloz.

Reagimet e ashpra të mediave dhe të asociacioneve të gazetarëve ndaj aprovimit të Kodit Penal të Kosovës që përmban disa nene kontestuese 37, 38 dhe 39 me titull të përbashkët “Dispozitat e posaçme mbi përgjegjësinë penale për veprat penale të kryera me anë të mediave”, janë më se të arsyeshme. Duke iu referuar tekstit të projektligjit që është postuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës (nuk jam në dijeni nëse në Kuvend është aprovuar ndonjë version i amandamentuar i këtij Kodi), është shumë lehtë të konstatohen lëshimet kardinale që janë bërë me këtë ligj.

Po ndalem në dy formulime skandaloze që i ka aprovuar ligjvënësi, pa e shqyrtuar fare domethënien dhe pasojat e tyre.

Formulimi i parë është ai që figuron në titullin e Kapitullit III të Kodit Penal, ku konstatohet se po ekzistuakan “veprat penale të kryera me anë të mediave” që po merituakan sanksionimin me këtë kapitull të veçantë në Kodin Penal.

Kodi paraprakisht dhe në asnjë nen tjetër nuk ofron përshkrimin se cilat janë “veprat penale të kryera me anë të mediave”, gjë që lë mundësi të shumta të arbitraritetit në përcaktimin se cilat janë këto vepra penale. Në kapitullin e dytë të Kodit Penal, gjithnjë duke iu referuar versionit të projektligjit, janë 20 nene që përshkruajnë “veprat penale dhe përgjegjësinë penale” që i sanksionon ky Kod, por sado me kujdes që i lexon këto nene, shumë vështirë mund të identifikosh se në cilat kategori të veprave penale i kanë menduar hartuesit e Kodit kur e kanë formuluar idenë e “veprave penale të kryera me anë të mediave”. Mund të supozohet se ideatorët kanë menduar për sanksionimin e nxitjes së veprave penale përmes mediave, nëse ato për pasojë kanë akte terroriste, hakmarrjet dhe vrasjet e njerëzve, suspendimin e dhunshëm të rendit dhe ligjit etj. Por, pasi që këto nuk janë përmendur tekstualisht, “veprat penale të kryera me anë të mediave” janë lënë si çështje e interpretimit të lirë, që ndër botuesit, redaktorët dhe gazetarët gjithsesi ngjall frikën dhe kufizon lirinë e informimit për çështjet delikate që pushteti dhe sistemi gjyqësor do të mund t’i interpretonin si vepra penale të ndëshkueshme me Kodin Penal.

Ligjvënësi më tutje në nenin 27 të Kodit Penal, e konkretizon në mënyrë të mjegullt se vepra penale në fjalë konsiston në “publikim të informatës”, gjë që është një formulim i frikshëm për çdo gazetar, redaktor, botues e madje edhe, që është më absurde, edhe ata që e shtypin informatën. Ja si është formuluar neni 27: “1. Autori i informacionit është penalisht përgjegjës nëse vepra penale është kryer përmes publikimit të informatës në gazetë ose në lloj tjetër të shtypit periodik, në radio, televizion, internet ose mjete tjera të komunikimit.”

Në paragrafët vijues me numra rendor 2, 3, 4 dhe 6, përcaktohet edhe përgjegjësia penale e kryeredaktorit, zëvendësit të tij, të botuesit të mediumit si dhe të prodhuesit të informatës (shtypshkronja etj.).

Paragrafi për përgjegjësinë e prodhuesit është formuluar kësisojit: “Prodhuesi është penalisht përgjegjës kur kryeredaktori ose personi që e zëvendëson atë në kohën e publikimit të informatës me anë të shiritit manjetik, filmit, diapozitivave, fotografive ose pajisjeve tjera audio dhe video të dedikuara për mediat masive ose për prezantim publikut apo për një numër të madh të personave janë penalisht përgjegjës sipas paragrafit 2 të këtij neni.” Pra, nëse janë penalisht përgjegjës autori dhe redaktorët, penalisht është përgjegjës edhe prodhuesi ose shumëzuesi i informatës.

Ky formulim i fundit nënkupton një procedim të përgjegjësisë penale në instancat që japin shërbime (shtypi, incizime etj.) dhe që zakonisht nuk kanë edhe kompetenca dhe kapacitete vlerësuese dhe interpretuese të përmbajtjeve që publikohen. Fakti se Kodi parasheh edhe përgjegjësinë penale të shtypshkronjave, studiove shumëzuese, të atyre që japin shërbime të internetit etj., do t’i shtyjë edhe këto kategori të involvuar në prodhimin masiv të informatave, që të instalojnë censurën e brendshme ose edhe një tipit që i sinjalizon dhe kallëzon autoriteteve dhe prokurorisë rastet e “veprave penale të kryera me anë të mediave”.

Po ashtu, tejet problematik është edhe neni 38 i Kodit penal, i cili parasheh përgjegjësinë penale për gazetarët të cilët nuk zbulojnë burimin e informatave që me përmbajtjen e tyre vlerësohen si vepër penale nga neni 27, nëse këtë e kërkon gjykata: “Personat e cekur në paragrafin 1 të këtij neni janë penalisht përgjegjës nëse gjykata konstaton se: Zbulimi i informatave është i domosdoshëm për të parandaluar sulmin që përbën kërcënim të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit trupor të ndonjë personi; ose Zbulimi i informatave është i domosdoshëm për të parandaluar veprën penale të dënueshme me burgim prej së paku tre vjet ose për veprën penale të paraparë në nenet 232, 236, 424, 427, ose 428 të këtij Kodi”

Për sqarim duhet cekur se neni 232 penalizon “denigrimin e integritetit seksual”, neni 236 pornografinë e ekspozuar personave nën 16 vjeç, neni 424 “përvetësimet e zyrtarëve në detyrë”, kurse nenet 427 dhe 428 marrjen dhe dhënien e ryshfetit. Mirëpo, formulimi se “Zbulimi i informatave është i domosdoshëm për të parandaluar veprën penale të dënueshme me burgim prej së paku tre vjet” në të vërtetë nënkupton një spektër shumë të gjerë të veprave penale ku gazetarët duhet të tregojnë burimin e informacionit dhe mund të penalizohen nëse nuk e bëjnë këtë, dhe kjo kufizon tej mase sidomos gazetarinë hulumtuese, sepse me këtë nen pengohet mbledhja e informatave. Çdo informator potencial destimulohet që të kallëzojë për rastet e krimeve dhe korrupsionit, sepse mund të ketë pasoja serioze nëse jo nga ligji, atëherë nga ata që i kallëzon.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga do të duhej të shfrytëzonte të drejtën e saj të shqyrtimit të gjithanshëm të Kodit Penal të sapoaprovuar, duke ia kthyer atë mbrapsht Kuvendit për të korrigjuar gabimin trashanik dhe skandaloz.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Express
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje