Kodi Rrugor, ndryshojnë
rregullat për të marrë patentën

TIRANE- Në bazë të draftit të projektligjit, për ndryshimet e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, parashikohet të ndryshojë procedura se si kursantët ushtrohen në drejtimin e mjetit dhe afati që ata kanë për të dhënë provat praktike dhe teorike. Për më tepër, qytetarët, të cilët duan të kryejnë kursin e drejtimit të mjetit, nuk janë të detyruar të regjistrohen në zonën ku kanë Gjendjen Civile. Gjithashtu, parashikohet të hiqet mosha minimale për instruktorët e autoshkollave.
 
Instruktori
Neni 120 “Ushtrimet e drejtimit të mjetit” i Kodit Rrugor, pritet të pësojë ndryshime në pikat 1, 2, 3, 5 dhe 6 të tij. Këto ndryshime parashikohen në draftin paraprak të projektligjit të Transporteve, i cili është në fazë konsultimi dhe me dikastere të tjera, sipas nenit 28 të tij. Në pikën 2 të nenit 120 të Kodit Rrugor, një instruktor autoshkolle duhet të ketë një moshë minimale 30 vjeç, si edhe 10 vjet eksperiencë për kategorinë e mjetit që instrukton kursantët, ose të një kategorie më të lartë. Ndryshimi në draftin e projektligjit, në pikën 2, të nenit 28, është heqja e moshës minimale 30 vjeç.
 
Ushtrimi
Për kursantët, që ushtrohen për lejedrejtime të kategorive “B” (mjete motorike me kapacitet maksimal deri në 8+1), parashikohet të futet me detyrim praktika e drejtimit të mjetit në autostradë ose në rrugët interurbane në kushtet e shikimit natën. Kjo parashikohet në pikën 5, të Nenit 28, të draftit të projektligjit për ndryshime në Kodin Rrugor. Aktualisht në pikën 5, të Nenit 120, të këtij Kodi, nuk është e detyrueshme, që kursantët të ushtrohen në drejtimin e mjetit në autostradë apo në rrugë interurbane, qoftë ditën apo natën.
 
Marshet
Një risi që parashikohet të sanksionohet me ligj në Kodin Rrugor, është regjistrimi në lejedrejtim nëse praktika e ushtrimit të mjetit, në fazat e përgatitjes për marrjen e patentës, është kryer me apo pa kuti shpejtësie automatike (me marshe manual apo automatike). Mbajtësit e lejedrejtimit do të lejohen të drejtojnë vetëm mjetet me specifikën e caktuar (me ose pa marshe manuale). Në draftin e projektligjit për ndryshime në këtij Kodit, ky ndryshim parashikohet në pikën 5, të Nenit 23.
 
Provat
Provat praktike mund të jepen deri në 5 herë, brenda një afati kohor prej 6 muajsh, që nga data e lëshimit të autorizimit, sipas të cilit kursanti mund të japë provat praktike. Kjo është procedura ligjore aktuale sipas pikës 6, të nenit 120, të Kodit Rrugor. Ndërkaq, ky afat kohor pritet të shkojë deri në 12 muaj, sipas pikës 6, të nenit 28, të draftit të projektligjit për ndryshimin e Kodit.
 
Vendbanimi
Gjendja Civile e kursantit është një faktor shtrëngues për zonën se ku mund të kryhet regjistrimi për të ndjekur kursin për marrjen e një lejedrejtimi mjeti. Kjo sipas pikës 2, të Nenit 115 “Lejedrejtimi dhe certifikata e aftësisë profesionale për drejtimin e motomjeteve dhe automjeteve”, të Kodit Rrugor. Në draftin e projektligjit për ndryshimet e këtij Kodi, parashikohet, që regjistrimi për të ushtruar përgatitjet e nevojshme për marrjen e një lejedrejtimi, të kryhet në çdo vend që do i interesuari, pavarësisht Gjendjes Civile të tij. Kjo parashikohet në pikën 2, të Nenit 23, në draftin e këtij projektligji. 
 
 Çfarë do të çojë në heqjen e patentës
Marrja e patentës në mënyrë të paligjshme sjell anulimin e saj. Kjo është një nga ndryshimet, që pritet t’i bëhet Kodit Rrugor. Pra, nëse janë konstatuar shkelje të procedurës së dhënies së provimit për të marrë lëjëdrejtimin, si edhe falsifikim dokumentesh, kjo do të sjellë anulimin e lejedrejtimit. Gjithashtu edhe nëse konstatohet mitdhënie (dhënie e parave në mënyrë korruptive) për marrjen e patentës, ajo do të anulohet.

“Do të anulohet provimi dhe do të anulohet leja e drejtimit, certifikata/dëshmia e aftësisë profesionale, nëse konstatohet se dhënia e provimit është kryer në bazë të dokumentit të falsifikuara ose të dhënave jo të sakta të theksuara në dokumentet  për dhënien e provimit për drejtues mjeti, në bazë të dhënies së mites, në qoftë se kandidati me rastin e dhënies së provimit për drejtues mjeti është shërbyer me mjete jo të lejuara dhe nëse provimi është mbajtur në kundërshtim me rregullat e tjera të përcaktuara të këtij Kodi.”,- thuhet në pikën 2, të nenit 37, të draftit të projektligjit për shtimin e pikës 1/1 të Nenit 128, të Kodit Rrugor.

Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion