Ishte Kryetari de jure i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryetari aktual i qeverisjes vendore të Tiranës ai që në krye të tryezës së një Shoqate të Bashkive ngritur 3-4 ditë të shkuara lëshoi për herë të dytë brenda pak javëve thirrjen për t’iu rikthyer ndarjes territoriale, si edhe duke hedhur përsëri në hava një argument të pabazë, sipas të cilit, 21 qershori i ardhshëm për ‘ta do të njësohet edhe me ditën e një referendumi të madh kundër Hartës dhe asaj që përfaqëson ajo(?!). Lëshon këtë thirrje, kur dihet fare mirë se sa është pritur opozita në Parlament, vitin që shkoi dhe fillimin e këtij viti, për të dhënë e diskutuar opsionet e veta rreth kësaj ndarjeje dhe forcimit të autonomisë vendore.
Ndonëse deri tani opozita nuk ka shprehur ndonjë vandim përfundimtar të saj për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve, përkundër piskamës se nuk do ta njohë kurrë Hartën e re), tek e fundit këto do të zhvillohen. Do të zhvillohen, por pa shtyrë më tutje marrjen e masave të nevojshme, që do të formësonin një proces të rregullt ligjor, edhe pse çuditërisht ende nuk ka tërhequr vëmendjen në këtë drejtim Prezenca e OSBE në Tiranë. Pra, e rëndësishmja është që të mos vazhdohet të pritet ajo që nuk na pret më, domethënë koha, që asnjëherë nuk mund të përsëritet.
Tani që pas pak ditësh kalendari do të na tregojë se vetëm katër muaj na ndajnë nga data e zhvillimit të zgjedhjeve për në organet e vetqeverisjes vendore, sipas informacioneve të fundit janë bërë gati disa nga ndryshimet e domosdoshme të Kodit Elektoral, të cilat që nga nesër do të hyjnë në aulat parlamentare. Nga këto ndryshime apo amendime pritet që të ligjësohet shkurtimi apo edhe variabilimi i Zonave të Administrimit Zgjedhor ZAZ), në bazë të një numri të caktuar zgjedhish që ka çdo bashki, si edhe propozimi i një projektligji të firmosur nga disa deputete, që kërkojnë të legalizohet përfaqësimi në masën 40 për qind i kandidaturave të grave ndërmjet gjithë të zgjedhurve të tjerë.
Megjithëse, shumica e opinionit publik, veçanërisht e ekspertëve të fushës është e mendimit, se këto ndryshime janë zgjidhja më e mirë për të pasur një proces normal në kushtet aktuale dhe, si e tillë do të pranohet nga të gjitha forcat politike, vështirë se ky mendim do t’i përqaset realisht konsensusit dhe gjithëpërfshirjes në Kuvendin e Shqipërisë. Vështirë, përderisa pjesa më e madhe e përfaqësuesve të opozitës në Kuvend, faktikisht të komanduar nga liderët e Partisë Demokratike, nuk kanë shprehur ndonjë tërheqje nga kundërshtimi i Hartës së re territoriale dhe vazhdojnë të kërkojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mundësinë e zhvillimit të referendumeve popullore, që Kolegji Zgjedhor si instancë eprore e zgjidhjes së ankimimeve e ka hedhur poshtë këtë mundësi. Domethënë, në rastin më të mirë deputetët opozitarë do të mungojnë në diskutimet dhe miratimet e ndryshimeve, për të mos folur pastaj që, nëse ata do të marrin pjesë në Komisionin e Ligjeve dhe në seanca plenare debatet do të vazhdojnë, për të shtyrë kohën në dëm të të gjithë procesit.
Ndërkohë, ndërhyrjet në Kodin Elektoral nuk përmblidhen vetëm te çka u theksua më lart. Janë edhe disa rekomandime të OSBE/ODIHR (gjithsejt 19), që u shënuan në Raportit e këtij organizmi ndërkombëtar me autoritet në këtë fushë, raport që u publikua në shtator të vitit 2013, pas shaplljes së rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ndër këto, të cilat kanë vlerë edhe mbi zgjedhjet për në organet e vetqeverisjes vendore, mund të përmendet, fjala vjen, përcaktimi i qartë i çeshtjeve që kërkojnë akte normative të Komisionit Qendror të Zgjedheve. Pra, për të mos ndodhur si deri tani, kur ky organ në disa raste i ka shmangur miratimin e akteve të tilla, duke u mjaftuar me vendime të marra me shumicë të zakonshme, çka ka bërë të hidhen hije të forta dyshimi ndaj preferencave politike të anëtarëve prej nga janë zgjedhur, pa u tundur fare edhe tani, shumica e tyre (4 nga 7 gjithsej) prej ish mazhorancës parlamentare. Këto hije të forta dyshimi janë konvertuar gjithashtu në ankimime pranë Kolegjit Zgjedhor, që në një farë mënyre kanë ndikuar në vonesa të shpalljes së rezultateve të përgjithshme.
Nuk po flasim këtu për një rekomandim tjetër të OSBE/ODIHR, përmbushja e të cilit do të përmirësonte ndjeshëm imazhin e zhvillimit të demokracisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, posaçërisht të zgjedhjeve për të dyja nivelet e qeverisjes: rikonceptimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me përbërje të plotë të kuadrove vendimmarrës administrativë. Mosmarrja parasysh e këtij rekomandimi dhe mosvënia e tij në rendin e masave për këto zgjedhje të pritshme, ndoshta është ndikuar nga shqetësimi për të mos acaruar më tej klimën politike të vendit, e cila edhe kështu përmban doza eksplozive të forta.
Shpërthimet dhe tentativat për shpërthime me C4 të netëve të fundit, që ushtuan me prapavijë politike edhe në veshët e ndërkombëtarëve, dhe për mospërsëritjen e të cilave nuk mund të japin garanci të plota as forcat policore, sigurisht që kërkojnë vëmendje më të madhe për disa masa të procesit elektoral. Aq më tepër adresohet vemendja ndaj tyre te ky proces, por të vështrohen e dëgjohen me vëmendje qëndrimet dhe deklaratat e dyshimta apo kontradiktore të liderve opozitarë rreth pjesëmarrjes në zgjedhje të forcave politike të tyre. Pra, për të bërë të mundur zhvillimin e pakontestueshëm të zgjedhjeve, përsëri koha nuk pret më. Për shembull, sot duhej të ishin shpallur listat e dyta të zgjedhësve, domethënë ato të korrigjuarat.
Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhte, përderisa nuk u publikuan as listat e para, që duhej të ishin shpallur që më 15 janar. Hartimi dhe vënia e tyre në tabela të dukshme në të gjitha bashkitë është e domosdoshme që të bëhet një ditë e më parë, ashtu si edhe korrigjimi i tyre, për t’i bërë të mundur çdo zgjedhësi në Republikën e Shqipërisë të dijë ku do të votojë dhe, kështu, të ushtrojë pa iu mohuar një nga të drejtat themelore të njeriut. Nëse nga dikush do të bëhen përpjekje për t’u vënë zjarrin këtyre listave, atëhere do të jetë e domosdoshme që, krahas investigimit dhe ndëshkimit të autor/it/ëve të këtij krimi tjetër të mundshëm, të riafishohen listat përkatëse rrufeshëm, pa asnjë vonesë.
Por veprime të tilla lidhen, pa dyshim, edhe me përcaktimin e numrit dhe vendeve të funksionimit të qendrave të votimit. Sepse, ndryshimet në Hartën territoriale imponojnë lëvizje të Qendrave të Votimit (QV), ashtu si ndryshimet e Zonave të Abministrimit Zgjedhor (ZAZ).
Pra, nuk mund të mos jetë e qartë që gama e çeshtjeve ende të pazgjidhura është jo fort e ngushtë dhe jo aq e lehtë, kur nuk kanë mbetur veçse pak muaj, që nuk do të mjaftonin as për zhvillimin e proceseve të zgjedhjeve të mëparshme rutinë, pa retushim të Hartës territoriale dhe njësive me organe të zgjedhshme, si komunat. Prandaj, afatet e shqyrtimit, miratimit dhe aplikimit të të gjitha masave të domosdoshme dhe të nevojshme për një proces zgjedhur të rregullt, normal, çdo ditë që kalon i bën më të shkurtra. Dhe në këtë kuptim, koha është pasuria e vetme, për të cilën njeriu mund të tregohet koprac pa u skuqur aspak, pa u turpëruar hiç fare.
Shkrimi u publikua sot(15.02.2015) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)