Koka: E shkuara komuniste 
joshëse për turistët e huaj

Koka: E shkuara komuniste <br />joshëse për turistët e huaj
“Bunk’art, një prej interesave të tyre, tashmë në programet e agjencive turistike”
Romelda Koka administratorja e agjencisë turistike H&P Travel në Tiranë mendon se turistët e huaj në Shqipëri kanë mundësinë të gjejnë çdo alternativë argëtimi duke filluar nga detet deri tek malet, por pengesat më të mëdha mbeten ato të infrastukturës. Mungesa e guidave apo tabelave paralajmëruese për pika turistike, ndërthurur me absurditete nga më të ndryshmet bën që turistët e huaj të largohen me ankesa nga Shqipëria.
  
Pavarësisht problemeve kryesisht me infrastrukturën, sa premton për të ardhmen Shqipëria turistike?
 Aktualisht ne punojmë me të huajt edhe për Shqipërinë. Kam punuar dhe faktikisht mendoj se ka të ardhme. Tani, duke qenë se është krijuar pak kjo pjesa e trazirave në Stamboll apo edhe në disa vende të tjera, shumë prej këtyre turistëve po vijnë në Shqipëri. Por, kam përshtypjen se është infrastruktura ajo që lë për të dëshiruar. Por, mbi të gjitha, lë për të dëshiruar shërbimi hotelier. Akoma edhe sot e kësaj dite ne shesim vetëm mure, ndërkohë që bota ka një treg turizmi, me të cilin jeton siç është Greqia, Mali i Zi apo Kroacia.
 
Me çfarë sfidash përballeni kur shoqëroni turistët? Me çfarë problemesh haseni?
 Hasim probleme nga më elementarët. Merr një shërbim më minimal se ai që pritet. Këtu te ne akoma nuk funksion gjëja më elementare, p.sh. në qoftë se unë dua ta zë hotelin, të më krijosh mundësinë që unë ta rezervoj, që të paguaj dhe dihet që ato dhoma janë të paguara nga unë. E dyta është ajo që ne shesim edhe atë që nuk duhet shitur, siç është energjia elektrike. Kjo nuk është normale. P.sh. ndodh që klienti dëshiron të ndezë kondicionerin ose diçka tjetër dhe i kërkohet pagesë shtesë. Ka dhe hotele të tilla edhe jashtë që funksionojnë me këtë paketë, por të vënë në dijeni që në fillim. Kurse te ne fatura të vjen në fund. Po marr një rast tjetër. P.sh. kur ha një drekë karikon dhe telefonin dhe në faturë duhet të paguash edhe për energjinë e harxhuar për telefonin.
 
Kush përballet me këto pagesa, turisti apo agjencia?
 Turisti, i cili vjen dhe ankohet te ne. Ose nuk ankohet fare, por të turpëron. Turpëron hotelin dhe agjencinë.
 
Përtej problemeve, çfarë gjërash të bukura ka Shqipëria për t’u ofruar të huajve?
 Ka shumë. Sepse ne jemi ndër vendet e pakta që ofrojmë pothuajse të gjitha llojet e turizmit, qoftë detar, qoftë malor, qoftë për ata që pëlqejnë lumenjtë, qoftë për ata që pëlqejnë liqenet. Te ne ofrohet gjithçka. Mjafton të kemi shërbimin e duhur. Dhe faktikisht, shumica e të huajve kur vijnë kanë qejf që të eksplorojnë, nuk kanë qejf që të qëndrojnë në një vend. Duan të eksplorojnë duke shëtitur. Mund të marrin një makinë me qira dhe të shëtisin nëpër të gjithë Shqipërinë. Duan që ta shohin të gjithën, në përgjithësi. Pastaj kanë qejf shumë edhe ato gjërat tradicionale të Shqipërisë.
 
Ju ofroni guida për këta turistë apo e bëjnë vetë?
 Në përgjithësi, të huajt që janë aventurierë, e bëjnë vetë guidën. Marrin hartën, marrin një makinë me qira dhe eksplorojnë. Mund të kenë ardhur një herë me miq dhe pastaj, herën tjetër vijnë vetëm. Por ka edhe nga ata që kanë ardhur për herë të parë dhe eksplorojnë. Pastaj është tjetër kategori turistësh që vijnë të organizuar nga agjensi të huaja në bashkëpunim me agjencitë e këtushme. Ata bëjnë tur klasik, që mund të përfshijë edhe një pjesë të Maqedonisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi.
 
E kaluara jonë komuniste është interesante për të huajt që vijnë këtu? Çfarë kërkojnë të vizitojnë ata? Cfarë informacionesh kërkojnë?
 Është e vërtetë, dhe është shumë e çuditshme sepse pjesa dërrmuese e turistëve të huaj janë të interesuar shumë për të njohur këtë pjesë të së kaluarës sonë. Në cdo guidë që ne bëjmë i kemi të përfshira sidomos vizitat nëpër ekspozita, muze në Tiranë dhe objekte të tjera të hapura së fundmi si dëshmi e kësaj kujtese. Një ndër ta është Bunk’art i hapur vitin e shkuar. Ka shumë interes nga turistët për ta vizituar dhe është futur tashmë në programet e agjencive turistike në Tiranë. Përvecc Tiranës, ata janë të interesuar të vizitojnë edhe shumë objekte të tjera të asaj periudhe që hasin gjatë rrugës. Për shembull gjatë udhëtimeve ata kanë dëshirë të ndalojnë të shohin bunkerët. Ndalojnë, i prekin, bëjnë fotografi, me atë rast duan të futen edhe brenda tyre. Janë shumë kuriozë. Mendoj se kjo pjesë e të shkuarës tonë mjaft atraktive dhe tërheqëse për turistët e huaj duhet kthyer në një prej shtyllave të turizmit shqiptar.

romelda koka turizmi

romelda koka turizmi

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut