Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali për lëndë narkotike. Ai e kishte fshehur drogën brenda një buloni çeliku të modifikuar dhe të fshehur poshtë tapetit të makinës me të cilën udhëtonte.
Sipas mediave italiane, ai ka precedentë penalë dhe do të përgjigjet për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjeje.
Agjentët e identifikuan të riun ndërsa po udhëtonte me makinën e tij në drejtim të Assisit. Pas një ndjekjeje të shkurtër, ai u vu re duke marrë në makinë një person tjetër, i identifikuar më pas si përdorues i lëndëve narkotike.
I riu iu nënshtrua kontrollit personal dhe të mjetit, gjë që bëri të mundur gjetjen e 7 paketimeve të vulosura, të fshehura me mjeshtëri brenda një buloni çeliku të modifikuar dhe të vendosur poshtë tapetit në anën e pasagjerit. Pakot përmbanin kokainë me një peshë totale prej rreth 4.61 gramësh.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu 475 euro, të konsideruara si të ardhura nga aktiviteti i shpërndarjes së drogës. Hetimet e mëvonshme bënë të mundur verifikimin se drejtuesi i automjetit ishte arrestuar edhe më parë për vepra penale që lidhen me narkotikët. 20-vjeçari u mbajt në dhomat e sigurisë së Drejtorisë së Policisë në pritje të seancës gjyqësore.
Komente








