Kokëdhima: Berisha akuza për 9
mijë lekë kontratë.Propagandë!

Kokëdhima: Berisha akuza për 9<br />mijë lekë kontratë.Propagandë!
TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima në një bashkëbisedim me gazetarët një ditë pas replikave të gjata me ish-kryeministrin Berisha gjatë Parlamentit ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike, ku kjo e fundit pretendon se deputeti i mazhorancës ka vjedhur mbi 150 herë fondet publike.
 
Në fjalën e tij, Kokëdhima tha se akuzat e PD-së janë shpifje duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos i marrin për bazë “boritë e Saliut”. Duke sqaruar akuzat e selisë blu, Kokëdhima tha se kompania “Abissnet” nuk është më në pronësi të tij pasi që pas marrjes së mandatit ai e ka shitur këtë kompani.

Kokëdhima thekson se 16 kontratat e lidhura mes institucioneve shtetërore dhe Abissnet janë firmosur para se ai të merrte mandatin e deputetit, duke shtuar madje se pas këtij momenti ka urdhëruar kompanitë e tij që të mos marrë pjesë në asnjë garë për të ofruar shërbime për llogari të institucioneve publike apo atyre për llogari të pushtetit vendor.

“Akuzat e opozitës në vetvete përmbajnë deklarime të pavërteta dhe referenca të gabuara. Leku që ata kanë publikuar ku tregojnë pikërisht përfitimet që pretendojnë se Abissnet kur ka qenë në pronësinë time ka përfituar nga kontratat me institucionet shtetërore, në këtë link janë 16 kontrata të cilat janë nënshkruar të gjitha përpara se KQZ të më shpallë mua në listën përfundimtare të deputetëve të zgjedhur nga 23 qershori. Pra në ditën që jam shpallur deputet i parlamentit kam urdhëruar kompanitë e mia të mos marrin pjesë në asnjë garë për të ofruar shërbime për llogari të institucioneve publike apo atyre për llogari të pushtetit vendor.”- tha deputeti Koço Kokëdhima.

Në vijim të sqarimit të 16 kontratave të lidhura të Abissnet në vitin 2013, Kokëdhima u shpreh se 13 prej tyre kanë qenë të lidhura edhe një vit më parë. Ndërsa gjatë 2013-s ai shton se ka patur 3 kontrata të reja me vlerë totale 40 mijë lekë, njëra prej të cilave me komunën Rrushbull.
 
Pretendimet e opozitës janë 16 kontrata me vlerë totale 925 mijë lekë për një vit shërbim të kësaj kompanie me 16 institucione, nga këto kontrata vetëm 3 janë lidhur në vitin 2013. Tre klientë për herë të parë në 2013. 13 klientë kanë qenë edhe një vit më parë klient të Abissnet. Tre kontratat e reja me vlerë të përgjithshme 40 mijë lekë. Mendoni vërtet se do të ndërhynte deputeti për komunën Rrushbull me një kontratë 9 mijë lekë? Kurrsesi. Kjo ka mbrapa vetëm propagandën dhe politikën e PD", - u shpreh ai.

Duke iu rikthyer kontratave që Abissnet ka lidhur para se Kokëdhima të merrte mandatin e deputetit, Koço Kokëdhima ka shtuar se “asnjë kompani në mënyrë të njëanshme nuk zgjidh kontratat që lidh.”
 
Akuzat, Kokëdhima: Kufizimet e mandatit, nuk i kam shkelur
Deputeti Koço Kokëdhima përmes argumenteve ligjor ka hedhur poshtë akuzat e PD. Duke folur për  ligjin përkatës, Kokëdhima tha se ndalimet për deputetin rregullohen me kushtetutë, me ligj të posaçëm për konfliktin e interesave. Sipas tij ligji është i qartë se si individi kur ky njësohet me një nga funksionet e përcaktuara në kreun 3 të ligjit dhe asnjë shoqëri ku ky zyrtar zotëron aksione nuk mund të lidhë kontratë me asnjë institucion publik.
 
Lidhur me kufizimet për deputetët Kokëdhima ndërsa shprehet se opozita në mënyrë të qëllimtë bën sikur nuk i kupton këto, sqaron 3 pikat e ligjit.
 
Së pari nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organizatave fitimprurëse. Së dyti nuk mund të ushtrojë veprimtari private në formën e personit fizik, si avokat noter, çfarëdo forme tjetër. Së treti nuk mund të zotërojë asnjë aksion të një shoqërie tregtare nëse zotëron pozitë dominuese në treg”- tha Kokëdhima për ligjin duke ndalur në pikën e fundit ku ka sqaruar se nuk është se lejohet të jesh aksioner, por ndalohet të jetë aksioner për kompanitë që kanë pozitë dominuese në treg.
 
Kompania e ka këtë pozitë kur vërtetohet me akt nga institucionet. Abissnet nuk është kompani me pozitë dominuese në treg dhe as nuk ka ndonjë vërtetim të tillë.”- tha Kokëdhima.

 Kokëdhima: Mos dëgjoni boritë e Saliut, juristët e mi më të mirë se të PD
“Mos dëgjoni boritë e Saliut se nuk janë kompetente nga pikëpamja profesionale. Juristët e mi janë shumë më të mirë se juristët e PD.”- tha Kokëdhima i cili për kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit deklaroi se “Kjo nuk do të ndodhë”. Këtë qëndrim Kokëdhima thekson bazohet në përkufizime ligjore shumë të qarta.
 
“Mos e mendoni se do të ndodhë një gjë e tillë se nuk ka për të ndodhur, nuk është çështje hamendësimesh, është e sigurt se bazohet në përkufizime ligjore shumë të qarta. Është e shpjeguar nga ligjet që janë sot në Republikën e Shqipërisë”- tha Kokëdhima.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore