Kol Bib Mirakaj, Ditët në arrati,
pasi  komunistët morën pushtetin

Kol Bib Mirakaj, Ditët në arrati,<br />pasi  komunistët morën pushtetin
Me 28 nanduer 1944 në mbramje, lamë kandin e fundit të Atdheut për me marrë rrugën e mërgimit të zi; u nisëm nga Tuzi disa qinda Shqiptarë, dhe mbas gjashtë javësh nën bombardime e mitralime të përditshme të aviacionit anglo-amerikan, arrijtëm në Sarajevë. Prej andej grupe grupe në Zagreb, ku qendruen disa... e të tjerët arrijtëm në Vjenë.

Me daten 1 shkurt 1945, disa prej nesh kishin zanë vend në hotel “Esplanade” të Zagrebit, ku kishim në mend të pushonim nja dhjetë ditë. Me 6 t’atij muej në mëngjes, më thirri drejtori i hotelit në zyrë të tij, e aty mu paraqit një komisar i policisë me një listë dhjetë emnash të cilët duhej të largoheshin nga Zagrebi, si të “padëshruem” nga qeverija kroate. “Sot n’ ora 16.00 duhet të gjendeni në stacionin ku niset treni për Maribor e Vjenë. Policia ynë do t’ iu përcjellë deri në kufi” - tha komisari.

Përsonat ishim: Gjon Markagjoni, Kol Bib Mirakaj, Irfan Ohri, Tahir Kolgjini, Pandeli Papalilo, Ndue Gjomarkaj, Xhelal Bushati, më duket se ka kenë edhe Mato Murati e dy të bijt e Irfan beut. E kuptova se çfarë na priste, fati i Djurishiq-it. Ishte mësim i mjaftë por nuk e humba fillin.

U përpoqa ti mbushi mendjen komisarit se mos do t’ishte ndonjë intrigë anmiqësh, e iu luta të shkonim bashkë tek Drejtori i Policisë për me u shpjegue, meqë na e kujtojshim vetën miqë të popullit kroat, e se kishim kujtue se në Kroaci do tu gjejshim gati si n’ Atdheun tonë, përsa i përket lirisë. Mu përgjegj: “Ky asht urdhni që jam ngarkue t’ iu njoftoj e që duhet ti bindeni, përndryshej merren masat këtu në hotel, unë nuk mund të ndërhyj me interpretue urdhnat e eprorëve të mij, as t’ iu paraqes kund për këte çeshtje!”

I kërkova: “Kumtoji Drejtorit të Policisë, o kujtdo tjetër që të ka ngarkue me këte urdhën, fjalët që të thashë dhe njoftoje, se na nuk e lamë Zagrebin pa u shpjegue e papasë sodisfaksion, për këte dhunë që na bahet.

Nuk ka rendsi çeshtja si përson për né, por meqë né jemi autoriteti i fundit që përfaqëson Shqipninë, e këte autoritet nuk kemi kujt ia dorzojmë pa arrijtë në Vjenë, ku do të mblidhet Parija Shqiptare, gjestin e policisë kroate e quejmë dhunë kundër Shqipnisë, prandej nëse policia o ai organ -kushdo që të jetë -, nuk interesohet të skjarojë këte gabim e me na dhanë sodisfaksionin e rastit si përfaqësi e një Kombi mik, né do t’ ia njoftojmë çeshtjën Poglavnik-ut.

Të lus ti referojsh gjithshka iu thashë. Ti detyrën tande e kreve!”
Vuna shokët në dijeni, e vëndosëm të mos dalim nga hoteli, dhe me u ndejë gati armëve që i kishim akoma me vete. Unë dola me gjetë mënyrën sesi me vue në dijeni Poglavnik, me një profesor t’ Universitetit të Zagrebit e shqiptarofil, që e kisha njohë ato ditë.

Të nesërmën në mengjes erdhi dr. Nuri Dino bashkë me një zotni tjetër kroat me automobil luksit, e më thotë: “Zotni kolonel Ljuburiç, dëshron ti bani një vizitë e më ka dërgue me të marrë”. Më tha se, ky kolonel ishte njeriu ma i besueshëm i Paveliç-it, dhe qellimi i vizitës ishte krejt miqësore për t’ u njohtë me ju. Ljuburiç më priti me shumë njerzi e më shfaqi menjëherë keqardhjën e tij për incidentin e ditës së djeshme me policinë.

M’ofroj hospitalitetin e qeverisë kroate, si mue, si dhe kolegëve të Komitetit Shqiptar, dhe për të gjithë Shqiptarët që duen të ndalohën në Kroaci, përsa kohë të dëshrojnë. M’ ofroi audiencë te Poglavnik, sëbashkut me Kapidanin e Mirditës brënda 3-4 ditësh. E falenderova për vete e n’emën të kolegëve, tue i njoftue se kishim ngutë përtashti, e nevojë të domosdoshme për t’ arrijtë në Vjenë, meqë atje gjendeshin shumica e krenëve të Shqipnisë, e se ishte nevoja të takohemi për të mujtë me formue një Komitet Kombtar të ri, meqë misioni ynë mbaronte mbas këtij udhëtimi.

Në rrjedhim të këmbënguljes miqësore të tij, i premtova që porsa të kryejmë punë në Vjenë, unë do të ktheheshe prap në Zagreb për t’ u takue, nëse kanë me më lejue rrethanat. Na bani disa dhurata të çmueshme, mue e Nuri Dinos, e na përcolli me përzëmërsi. (Z. Ljuburiç gjendet tani në Spanjë). Si ishte zhvillue ky proces? Edhe ketë përveç hamendjes sonë të pagabueme, e mësova me disa hollsina në 1949 në Romë, e rasësisht nga Jakë Luka.

Ky gjendej në Zagreb prej shumë kohe si nëpunës i konsullatës Shqiptare, e rasa i kishte sjellë të fitojë simpatinë e besimin e Ljubiriç-it, si edhe të shumë qarqeve të tjera të nalta të Zagrebit. Komisari që na pat kumtue urdhnin e përzanjes (extradimit) kishte kenë një nga njerzit e Ljuburiç-it.

Kur kishte këthye tek komandanti, i kishte referue përgjegjën e fjalët e mija. Toga e pushkatimit kishte kenë pergatitë për t’ardhë me na arrestue në hotel. Ljuburiç kishte thirrë me të shpejtë Jakë Lukën, të cilit i kishte tregue listën dhe qellimin. Jaku i kishte thanë: “Kapidanin e Mirditës që asht në krye të listës e njoh dhe e kam kumbar’ të shtëpisë, unë vé kryet peng për té, nëse asht e vërtetë akuza që i kenka ba.

Të tjerët nuk i njoh, por meqë janë futë në të njajtin kallep e për të njajtën akuzë me këtë, nuk ka dyshim që kjo asht intrigë e ndonjë anmikut të tyne që don të përfitojë me i zhdukë tue iu gënjye ju. E di edhe se Kol Bib Mirakaj, ka kenë MinistërSekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, e mandej, Ministër i P. Mbrëndshme, një ndër ma të vëndosunit kundër komunistëve, dhe irredentist i apasjonuem.” Kjo kjé Dorë e Zotit, që ndërhyni e na shpetoi! Zbulimi i Jak Lukës ngjau paqellim nga unë si dhe nga ai; as që më binte ma ndërmend ajo punë.

Ndejun sëbashku në një kafe në via Alessandria nr. 30, në Romë, në bisedë e sipër, më thotë Jaku: “Allahile, a keni pas ba marrëveshtje me Mihajloviq-in, Gjon Markagjoni e ti, për ti ndihmue me mësye Kroacinë?” - Mo’ Zot! Kurrë - i thashë -. E pyeta, sesi e kishte ndigjue këte llafe. Nuk deshti të shtyhej mandej, tue u shti se nuk e dinte si i kishte ra në vesh. Atëherë për të mundë me i zhbërthye fshehtësinë, i thashë: “Çudi, si të ka ra në vesh, se né vërtetë kemi pas ba një marrëveshje, jo drejtpërdrejtë me Mihajloviq-in, po me Djurishiq-in, por krejtë në tjetër kuptim.

I tregova marrëveshjen për të cilën kam folë maparë dhe ju lexues e kujtoni! Atëherë, i shpjegova se marrëveshja kishte vlera për shpetimin e Kosovës. Ky skjarim e bani Jakun të më hapet. Më tregoi se nga kjo marrëveshje, paska kenë trillue shpifja që u tha e që ai (Jaku) ma bani të njohun në detaje, si mënyrën sesi ishte trillue shpifja, si edhe vendimin e Ljuburiq-it për të na vra të gjithëve. Më tregoi edhe emnin e përsonit që kishte ba akuzën.

Ky përson, porsa u zbulue e vërteta nga Ljuburiq-i, kje përzanë prej Zagrebit, tue iu mohue përgjithnjë hospitaliteti i jashtzakonshëm që gëzonte n’atë kryeqytet. Më tregoi edhe se një i madh ... i kishte thanë njëherë në Reggio Emilia se: “Je djalë i mirë, por ke ba një krim të madh, që shpëtove disa tradhëtarë në Zagreb!”.

Nuk po i përmendi emnat e këtyne dy njerzëve mbasi nuk kam ndërmend me hapë gjyq kundër tyne, dhe pervete, unë ua kam falë. Ndiej vetëm mëshirë e përbuzje njëherit për mjerimin shpirtnor të tyne! Ai ka vdekë në New York.
Kol Bib mirakaj



























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Noizy reagon për sherrin në Kosovë: Nuk preka njeri, urdhër-arresti është i padrejtë

Noizy reagon për sherrin në Kosovë: Nuk preka njeri, urdhër-arresti është i padrejtë