Kolë Jakova muzikani, shkrimtari
dhe dramaturgu që krijoi në tre epoka

Kolë Jakova muzikani, shkrimtari<br />dhe dramaturgu që krijoi në tre epoka
TIRANE- 100 vjet më parë, me 25 Nëntor 1915, në një rrugicë të Shkodrës, në një shtëpi të vogël qytetare, lindi Kolë Jakova, një nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë sonë.  Ai është njëri ndër shqiptarët e mëdhenj që jetoi në tri epoka të ndryshme; u rrit rrugëve të Shkodrës në periudhën e regjimit të Zogut, u burrërua në luftë kundër fashizmit dhe e kaloi të gjithë jetën duke i shërbyer Atdheut në detyra fisnike si mësues, partizan, drejtues instutucioni, shkrimtar, profesion që e ushtroi deri në frymën e fundit. 
Familja Jakova vinte nga Gjakova dhe si kujtim të prejardhjes e mbajtën si mbiemër, ndërkohë që mbiemri i tyre i mëparshëm, Kurti vazhdon të mbahet prej kushërinjëve.Babai i Kolës,  Mark Jakova ishte sahatçi dhe argjendar, ndërsa nëna Luçia shtëpiake. Gjendja familjare vështirësohet, kur i ati mbetet papunë dhe detyrohet të shkonte e të punonte larg qytetit.

Familja jetoi në mes fatkeqësive të shumta; pesë djem vdiqën dhe pastaj katër të tjerë që linden pas tyre jetuan, duke u bërë secili më i zoti se tjetri, të gjithë personalitete në fushën e vet, që shpejt do të bien në sy për angazhimin e tyre shoqëror, si qytetarë aktivë e të kulturuar. Një rol të rëndësishëm në formimin e tyre ka luajtur e ëma Lucia,një një grua inteligjente, autoritare dhe familjare. Janë katër vëllezër: Tuk, Kolë, Frano dhe Filip Jakova, të ndryshëm në prirje, karaktere, interesa, por që të katër të bashkuar fort rreth idealit familjar dhe kombëtar.

Që në fëmijëri, Kola lexonte shumë; motoja e jetës së tij qenë librat që do ta shoqëronin deri në ditët e fundit të jetës. Çdo mbasdite, me libra nën sqetull, shkonte në fund të oborrit, poshtë një mani të madh, ku mbaronte fillimisht detyrat e shkollës dhe më pas fillonte të lexonte e lexonte pa pushim librat që e tërhiqnin. I pëlqente shumë edhe muzika, së cilës filloi t’i përkushtohej që në moshë fare të re. Studjoi vetë solfezhin dhe filloi t’i binte klarinetës dhe mandolinës. E tërhiqte kaq shumë kjo pjesë e artit, saqë në moshën 16 vjeç,  drejtonte bandën e qytetit të përbërë prej 40 vetesh dhe iu besua aranxhimi i muzikës për të gjitha veglat.

Kolë Jakova kreu të gjithë arsimin që jepte qyteti verior deri në shkollën e françeskanëve dhe Normalen pranë gjimnazit të Shkodrës. Në mjediset e kulturuara shkodrane qarkullonin idetë e kohës, që ndikuan dhe në jetën e tij. Të gjithë e shihnin ndryshimin si të domosdoshëm, problem ishte vetëm për mënyrën si do të realizohej. Arsimimi i popullsisë ishte shërbimi më i mirë që mund t’i bëhej vendit, sepse dija dhe kultura ishin armë kryesore në luftën e vështirë kundër prapambetjes shumëshekullore dhe vonesës historike të shqiptarëve.  Një ditë, në fillim të dhjetorit të vitit 1934, Kola, një djalë i ri, kishte udhëtuar nga qyteti i Lezhës për në Vaun e Dejës me një zarf në dorë, pasi ishte emëruar mësuesi i pare në atë zonë. 

Shkolla qe hapur në afërsi të post-komandës në Vaun e Dejës dhe përveç Kolës, si mësues i dytë ishte Angjelin Begu, po nga Shkodra. (Halil Rama, Shtëpia-shkollë në tetë dekada , gazeta “Koha Jonë, 7 mars 2015) E vazhdoi misionin e arsimtarit dhe në shkolla të tjera: në qytetin e Shkodrës dhe në disa fshatra rreth qytetit, ndërsa në vitet e okupacionit qe emëruar në Shënpal të Mirditës.

Pushtimi fashist i vendit e pështjelloi situatën që edhe më parë ishte e ngatërruar. Qëndrimi ndaj pushtuesit qe dhe një test moral për shtresat e ndryshme shoqërore, për marrëdhëniet që kishin vendosur qytetarët e këtij vendi me lirinë dhe me Atdheun. Familja Jakova ishte ndër të parat në Shkodër që u hodh në veprimtarinë ilegale antifashiste dhe pastaj në luftën e armatosur për çlirim. Tuk Jakova, njëri ndër udhëheqësit kryesorë të rezistencës shqiptare konsiderohej person i rrezikshëm dhe ndiqej, por bashkë me të u përndoqën dhe vëllezërit e tij. Kola qe burgosur në Shkodër dhe internuar në Tepelenë. Pas lirimit nga burgu u ishte bashkuar forcave partizane. Jakovët që i dhanë aq shumë Luftës Nacionalçlirimtare ishin njerëz të popullit dhe u sollën njësoj, si në ilegalitet, në luftë dhe kur ngjitën shkallët e pushtetit. Ata nuk i ndërruan shokët dhe miqtë dhe nuk ua kthyen shpinën, pavarësisht se në jetë provuan zhgënjim nga disa prej tyre.
 
 Krijmitaria e Kolës filloi me këngët partizane
Okupacioni i vendit nga fashizmi i rrjeshtoi të katër vëllezërit Jakova në rradhët e para të lufëtarëve të lirisë. Ishte pikërisht kjo periudhe kur shkrimtari i ardhshëm filloi krijimtarinë e tij. Kur shkroi këngën e “Tre heronjve të Shkodrës” ishte i burgosur në Shkoder dhe këngën e ka krijuar në një dhomë burgu të vogël, ku rrinin 40 vetë. Shkrimtari kujton: “U ktheva me fytyrë nga muri në një qoshe të dhomës dhe fillova të shkruaj vargjet e më pas me një mandolin kompozova edhe melodinë e këngës”.
Kur shkroi këngën “Shqiponjat partizane” ka qene familjarisht i internuar në Tepelenë, për shkak të veprimtarisë antifashiste të vëllait të madh, Tukut, që ishte njëri ndër drejtuesit kryesorë të rezistencës antifashiste.  Këngën e krijoi në një shpellë, mbrapa kalasë së Tepelenës, e si gjithmonë e kompozoi me mandolinën e tij që e mbante gjithmonë me vete nën sqetull.

Poeti dhe gazetari Riza Lahi, kur shkruajti një artikull për Jakovën disa vjet më parë, e titulloi shkrimin “Shkrimtari që krijoi “Marsejezën e popullit shqiptar”; duke e quajtur kështu këngën “Shqiponjat partizane”. Ajo këngë u bë me të vërtetë marshi më i njohur i  partizanëve në luftë për çlirimin e Atdheut. Kolë Jakova mori pjesë në luftë, ku për shkak të prirjeve dhe formimit të tij, si dhe gjuhëve të huaja (të mesuara edhe si autodidakt)  ka dhënë një ndihmesë të çmuar, sidomos në sektorin e agjitacion - propagandës, me shkrime dhe fotografi, të cilat do të luanin një rol të rëndësishëm në dokumentimin e vlerave historike të Luftës. 
 
Shkrimtar i shquar, themeluesi i dramës moderne shqipe
Me krijimtari letrare, Kolë Jakova është marrë që në bankat e Gjimnazit të Shkodrës, duke shkruar pjesë të shkurtëra teatrale që u luajtën nga nxënësit. Vjershën e parë e botoi në revistën "Cirko" në Shkodër. Në luftë iu kushtua këngëve partizane, ndërsa pas çlirimit shfaqi një angazhim të shumëfishtë si krijues në disa zhanre, drejtues në sektorin e kulturës dhe intelektual me peshë. I edukuar me frymën e madhe atdhetare të intelektualëve të mëdhenj shkodranë, mësues të tij, ai punoi pa u lodhur për të ngritur, zhvilluar dhe modernizuar letërsinë dhe artin tonë kombëtar. Punoi në Ministrinë e Kulturës, pastaj u bë drejtor i Teatrit Popullor, drejtues në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve me detyrë shef i Sektorit të Dramaturgjisë dhe, që nga viti 1964 e deri sa doli në pension, shkrimtar në profesion të lirë.

Dramaturg, poet, prozator dhe publicist, ai ka sjellë në letërsi një realitet të përjetuar mirë. Kolë Jakova është një shkrimtar me frymë të theksuar popullore, që ka ecur në rrugë të reja dhe ka hapur shtigje për krijues të tjerë. Prirja e tij novatore në letërsi vërehet në kërkimin e zgjidhjeve të reja, gërshetimin e motiveve zakonore me ato shoqërore dhe në trajtimin e temës shoqërore. Narrativa popullore në prozë dhe në poezi, legjendat e mitet, epiteti i përdorur në gjuhën artistike të popullit, humori i natyrshëm që del vetiu kanë qenë një burim i natyrshëm frymëzimi dhe pasurimi i mjeteve shprehëse në krijimtarinë e këtij autori.

Fusha kryesore ku Kolë Jakova ka dhënë një kontribut të veçantë është dramaturgjia.  Kuptohet që këtë punë e ka bërë së bashku me shumë dramaturgë, regjisorë, aktorë etj, që luftonin për të krijuar një teatër profesionist, me karakter kombëtar e me nivel të lartë artistik. Në këtë plejadë dramaturgësh, regjizorësh dhe aktorësh, Kolë Jakovës i takon vendi i parë. Jakova është babai i dramës shqiptare”. Sipas Agim Qirjaqit, actor dhe ish drejtor i Teatrit Kombetar, “Kola e njihte dramën më mirë se të tjerët në Shqiperi. Ai vuri themelet e dramës moderne në vendin tonë”. Në vitin 1954 shkruan dramën “Toka Jonë”, pastaj me radhë “Perkolgjinajt”, “Lulet e shegës” “Bashke me agimin” dhe “Lugajanët”, duke i dhënë ndihmesë të konsiderueshme zhvillimit të dramës shqiptare.

Sipas kritikës, dramaturgjia e Kolë Jakovës karakterizohet nga psikologjizmi, fryma e mprehtë dramatike, veprimi i ngjeshur, dialogu i shkathët dhe i goditur. Me dramën “Toka jonë”  Kolë Jakova bëri që dramaturgjia të arrinte një kulm realist dhe të mbetet shembulli i një vepre të vërtetë dhe tronditëse. Te drama “Përkolëgjinajt jep shndërrimet shoqërore dhe procesin emancipues të shoqërisë, ndërsa te Lugajanët kemi kalimin nga mënyra e jetës patriarkale në atë të kohës sonë. Dramaturgu Jakova u vlerësua lart nga kritika letrare. Kritiku Kudret Velca e konsideron si “themeluesi i artit tonë teatror. Sipas tij “Dramaturgjia e Kolë Jakovës, për strukturën e saj artistike, për formën e saj, për mbështetjen ne ligjet artistike të dramës realiste, mbetet shembull arti edhe sot”.

Ndërsa studiuesi dhe kritiku letrar Dalan Shpallo e konsideron Jakovën si “dramaturgun më me emër, që duke u mbështetur në origjinalitetin e rrëfimeve dhe realitetit shqiptar na dha vepra dramatike shumë interesante me probleme të mprehta të kohës, pasi njohu shumë mirë mjeshtërinë e dramës” … Dipas tij “Kolë Jakova mbetet realist në trajtimin e temave të ndryshme, pasi hynte thellë në realitetin njerëzor. Ai ishte dramaturg i mirëfilltë kombëtar që ngriti në art karakterin e shqiptarit”. Jakova ka kontribute dhe në fushat e tjera të letërsisë. Në poezi ka lëvruar poezinë epike narrative,duke dhënë shembuj të mirë të këtij lloj. Poezia e Kolë Jakovës mbështetet në mënyrën popullore të vargëzimit, ndonëse përdor dhe metra të poezisë klasike të kultivuar. Dritëro Agolli e ka cilësuar Jakovën si “një poet që ka ndjekur rrugën e Fishtës” dhe e konsideron si “të vetmin poet epik”, të periudhës pas viteve pesëdhjetë.

Si prozator, Kolë Jakova është autori i disa romaneve: “Fshati midis ujrave”, “Përballë hekurave të kryqëzuara”, dhe “Kulla buzë Liqenit”. Ai kishte humor të hollë, karakteristikë e krahinave të Veriut, gjë që pasqyrohet sidomos në romanin “Fshati midis ujërave”, vepër e rëndësishme në satirën tonë, e cila për nga humori dhe të qeshurat që shkakton te njerëzit e mentaliteteve shqiptare, është i krahasueshëm me Shvejkun. Në një intervistë të bërë Kolë Jakovës nga poeti i njohur Sulejman Mato del se “Vepra e tij e fundit është “Eposi i Kreshnikeve, përfunduar në vitin1993, që përmban dhjetëmijë vargje të shkruara dhe ende të panjohura. Në lidhje me këtë verpër, Akademik Bedri Dedja thotë:  “Nëqoftëse grekët krenohen me Iliadën dhe Odisenë, ne shqiptarët krenohemi me “Kreshnikët” e Kolë Jakovës. Ajo është një kryevepër e shkrimtarit dhe një kryevepër e letërsisë shqipe”.

Jakova është dhe njëri ndër shkrimtarët e parë të letërsisë për fëmijë. Fillimisht botoi librin me poezi”Kopështi i lulëzuar”,  pastaj “Dhia e 7 kecat”, etj, si dhe prozë e skeçe teatrale për fëmijë. Shkrimtari i njohur për fëmijë Odhise Grillo kujton:”Lexova përmbledhjen me vjersha “Kopeshti i lulëzuar” të Kolë Jakovës dhe them me bindje që është libri më i bukur për femijë i botuar pas Luftës së Dytë Botërore”. Edhe publicistika zë vend të dalluar në veprat e Jakovës. Reportazhet dhe përshkrimet e kanë ndihmuar autorin edhe për dramat dhe romanet e tij. Në tërësi vepra shumëdimensionale e Jakovës përmban mbi tridhjetë vepra letrare.

Kolë Jakova është një emër i nderuar në Kosovë. Ai dhe familja e tij kanë nostalgji për Gjakovën e të parëve të vet dhe Kosovën në tërësi. Në kuadrin e njëfarë liberalizimi të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë, pas vitit 1968, disa nga dramat e tij u vunë në skenë, ndërsa ai vetë, me cilësinë e shkrimtarit kishte shkuar në një takim letrar në Prizren. Ende kujtohet përgjigjia e tij elegante ndaj një pyetje të një lexuesi prizrenas për dallimin midis romanit dhe dramës. “Shiko,- i kishte thënë Kola, në roman thuhet se çfarë drame ka, ndërsa në dramë unë nuk kam ndigjue të pyetet se a ka roman”. Kolë Jakova arriti ta shohë Kosovën e lirë dhe me këtë rast ishte shprehur se “kishte besim në atë popull, dhe duke përdorur një shprehje biblike kishte shprehur bindjen e tij: “Sa më ulët të jesh, aq më lart do të ngrihesh”, që do të thotë se priste ndryshime të shpejta positive në atë trevë shqiptare.   
 
Mbijetoi në tri kohë, i vlerësuar, i keqkuptuar dhe i harruar
Kolë Jakova është lauruar tri herë me Çmimin e Republikës dhe është dekoruar me Urdhërin “Flamuri i Kuq i Punës së Klasit I. Ishte deputet në Legjislaturën III të Kuvendit Popullor në vitet 1954-1958, në periudhën kur regjimi po përgatitej të eleminonte përfundimisht të shquarin Tuk Jakova nga skena politike, ndërkohë që kishte nevojë ende për emrin e madh të familjes së tij. Në vitin 1954 të dy vëllezërit qenë deputetë, Tuku në Shkodër dhe Kola në Mat, po në vitin 1957, Tuku shkarkohet, internohet dhe pastaj burgoset, ndërsa i vëllai mbeti deputet vetëm për atë legjislaturë, një tregues hipokrizie, sa për të krijuar përshtypje se po ndëshkohet vetëm Tuku për “gabimet” e tij dhe jo krejt familja. Pak pas shkarkimit të Tukut, ishin internuar vëllezërit: Frano dhe Filipi, ndërsa Kolën e lanë “të lirë”, sigurisht nën vëzhgim dhe nën trusni psikologjike të vazhdueshme.

Në atë gjendje të dërmuar shpirtërore dhe zhgënjimi të thellë për sakrificat familjare të shkuara dëm, si për të treguar forcën dhe vitalitetin e genit të vet, Kola thirri në ndihmë humorin; filloi t’i kalonte gjërat me të qeshur, gjithësesi duke qenë i kujdesshëm që batutat e tij të mos mund të intrepretoheshin si dashakeqe. Në një rast, kur po i analizohej vepra,  shokët e Partisë të Lidhjes kishin marrë udhëzimet për trajtimin e figurës së tij si shok i luftës dhe i kontributit të dhënë në fushën e letërsisë dhe dramaturgjisë skenike. Por,...shoku Kolë ishte dhe vëllai i Tuk Jakovës, armik i pushtetit dhe i Partisë.

Me leje! Nga fundi i sallës, një grua eci përgjatë korridorit në mes të sallës dhe mbasi përshëndeti presidiumin, u koll, e filloi të fliste, duke kritikuar Kolën dhe familjarët e tij reaksionarë. Mbasi mbaroi, do të replikonte Kola. U ngrit si me përtim, fërkoi me gishtërinj hundën e tij krutë dhe mbasi përlau të pranishmit me atë vështrim që shprehte shumë, tha: “Siç ma ngrejti, ajo shoqja mue...mirë bani qi ma ngrejti… “. U dëgjuan mërmërima dhe të qeshura të përmbajtura. Të gjithë e njihnin humorin dhe kurajon e tij.  Jo. Nuk po tham qi bani keq.

Ma ngrejti problemin bash mirë. Por si ma ngrejti asht puna... Të qeshurat u shtrinë dhe tek presidiumi. Ma ngrejti me qëllim të keq, më duket mue? Apo jo…e…  -dhe hodhi një vështrim nga salla duke qeshur dhe vetë. Një çerek ore pushim, - foli drejtuesi i mbledhjes. Në një rast tjetër, kur po e kritikonin për një problem në një nga dramat e tij, ishte ngritur dhe në vend që të bënte autokritikë, siç ndoshte zakonisht, u ishte drejtuar pjesëmarrësve: “Ju po më kritikoni. Sot po shfaqet drama jeme. Kush prej jush po m’gjen njëmijë lekë me shku me pa dramën teme sepse m’kanë thanë se janë maru t’gjitha biletat”.

Atëherë filluan të gjithë të qeshnin dhe u mbyll çdo gjë e nuk e zgjatën më. (Intervistë e Valbona Jakovës dhënë Radiotelevizionit të Prishtinës.  http://ëëë.rtklive.com) Pas viteve nëntëdhjetë, në kuadrin e mohimit të plotë të vlerave të krijuara në sistemin e kaluar, vepra e Kolë Jakovës është lënë disi në harresë dhe janë rralluar publikimet e pjesëve të krijimtarisë së tij në tekstet mësimore, çfarë e pati zhgënjyer shumë. Nuk ka ndodhur kjo dukuri në Kosovë, ku Jakova gëzon si dhe më parë vlerësim të lartë.

Kolë Jakova njihet si një nga personalitetet më të njohur të letërsisë shqipe. Lënia në harresë e veprës së tij e dëmton këtë letërsi dhe i heq asaj një pjesë të çmuar të pasurisë që ka.
Veprën e Kolë Jakovës e vlerësuan dhe të përndjekur politikë. Me rastin e vdekjes së tij, shkrimtari Pjetër Arbnori ishte shprehur: “Vdiq një njeri që ka luftuar në mënyrën e vet për vendin, edhe pse në jetën e tij pati zhgënjime,…Jakova e donte shpirtërisht demokracinë”.

Kolë u nda vetëm fizikisht nga kjo jetë me 16 nëntor 2002, pak ditë para se të bënte 86 vjet, por vepra e tij që qëndron në themelet e letërsisë shqipe do t’u mbijetojë shekujve. Jakova identifikohet me vlerat më të mira të intelektualit shqiptar që i shërbeu Atdheut në mënyrën e vet me dashurinë e birit të shquar që e lartësoi dhe i dha vlerë, duke krijuar profilin e tij të shkrimtarit dhe atdhetarit intelektual, si një model për t’u ndjekur sot e në të ardhmen.

KOLE JAKOVA








































KOLE JAKOVA

KOLE JAKOVA



Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç