ODENSE - Ngjarja e rëndë që përfshiu Christian Eriksen gjatë Euro 2020 u rikujtua sërish dje, kur futbollisti danez pësoi një tjetër incident shëndetësor në fushë. Episodi ndodhi gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës, ku në pjesën e dytë të takimit ai humbi ndjenjat dhe u rrëzua në fushën e lojës.

Menjëherë pas ngjarjes, Eriksen mori ndihmën e stafit mjekësor dhe më pas u transportua drejt spitalit me ambulancë, ku u ngjit vetë. Ndeshja u ndërpre me dakordësinë e të dyja skuadrave dhe të tifozëve të pranishëm në stadium.

Pas përfundimit të takimit, mjeku i përfaqësueses daneze, Morton Boesen, dha informacion mbi gjendjen e lojtarit.

“Kristian është mirë dhe u largua nga fusha me këmbët e tij. Nga sa kam mundur të konstatoj, defibrilatori që ka të implantuar në zemër funksionoi siç duhet. Ai ishte pa ndjenja për një periudhë të shkurtër, por u rikthye shpejt dhe ne komunikuam menjëherë me të.

Tani do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera në spital për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të dhe me mjekët që po e ndjekin. Më e rëndësishmja është se Christian është mirë dhe më kërkoi t’i siguroja të gjithë se gjendja e tij është e qëndrueshme”, deklaroi Boesen.