Kolateralet, tani në shitje
me 50 % të vlerës

Kolateralet, tani në shitje <br />me 50 % të vlerës
TIRANE - Qeveria ka hartuar një paketë ndryshimesh për të ndihmuar bankat në ekzekutimin e kredive të këqija. Paketa parashikon ndryshime në Kodin Civil dhe në atë të Procedurës Civile, që sanksionojnë uljen e vlerës së kolateralit. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi bën të ditur se pasuria e bllokuar nga banka e personit që nuk ka mundësi të paguajë më kredinë, tani nuk do të shitet më me 75% të vlerës, por me 50% të saj. Kjo, sipas Halimit, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Shoqatës së Bankave. Ndërkohë kreditë e këqija kanë kaluar nivelin 22 %.

Reforma

Në kuadër të ndryshimeve për çlirimin e kreditimit, përveç lehtësive për ekzekutimin e kolateralit, do të përfshihet ulja e kërkesave për aktive likuide të bankave dhe ndryshimin e koeficienteve të rrezikut, të strukturës së investimeve për të mbështetur kredidhënien. Në kuadër të ndryshimeve në Kodin Civil Ministri i Drejtësisë ka zbardhur skemën që do të ndiqet për ekzekutimin e kolateralit. "Ka qenë një inspirim i kryeministrit fillimi i kësaj reforme, e cila ka të bëjë me uljen e nivelit të kolateralit. Pra, nëse deri më sot një person ka paaftësi paguese ndaj bankës do të shitet sendi i tij me 75 % të vlerës, ky çmim do të ulet në 50 %. Pra, në mënyrë që të bëhet e mundur shitja dhe ekzekutimi i kredive të këqija. Një proces shumë i rëndësishëm pasi sistemi bankar është fondamental për ekonominë dhe për të luftuar krizën", deklaroi Halimi. Ndërkaq përmbaruesit privatë bëjnë fajtore pikërisht gjykatat për bllokimin e ekzekutimit të kolateraleve. Sipas tyre, pasi është marrë vendimi që u lejon bankave shitjen e pasurive të vëna si garanci, kreditorët janë ankuar në gjykatë, duke arritur të pezullojnë çështjen dhe të ngrijnë kolateralin.

Kreditë e këqija

Kreditë e këqija kanë vijuar të rriten në sektorin bankar në vend. Të dhënat e Shoqatës së Bankave për muajin prill bënë të ditur se raporti i kredive problematike në vend ndaj totalit të huave arriti në 20.6 për qind në fund të muajit prill, nga 20.1 që ishte në fund të tremujorit të parë të vitit 2012, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit 2011, niveli i kredive të këqija ishte në nivelin e 18.9 për qind. Rritja e kredive me probleme në shlyerjen e tyre po reflekton në vështirësitë me të cilat po përballen bizneset shqiptar, i cili po vuan një krizë likuiditetesh dhe po has në një rënie të konsumit të brendshëm. Problemet e shfaqura me likuidimin e huave janë një tregues tepër negativ për sistemin bankar, pasi shumat e parave rezervë që duhet të kenë bankat për të përballuar këto kredi është më e madhe.

*Marrë nga Shekulli Online

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Policia u kërkon të zhbllokojnë rrugën, Bardhi debat: E drejtë që garantohet nga Kushtetuta

Protesta e PD/ Policia u kërkon të zhbllokojnë rrugën, Bardhi debat: E drejtë që garantohet nga Kushtetuta