Kolegji dhe vendimi i KQZ

Kolegji dhe vendimi i KQZ
Para disa ditësh u njoha me vendimin numër 1 datë 3.1.2013 të kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ky vendim siç dihet është i formës së prerë. E megjithëkëtë në aspektin ligjor të problemit, na lejohet të shprehim edhe ndonjë mendim të kundërt. Kolegji Zgjedhor, u vu në lëvizje nga një kërkesë padije e PD-së, që kundërshtonte vendimin e KQZ-së nr.20 datë 21.12.2012 që nuk kishte miratuar ndarjen e re të Zonave të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit 2013 për mungesë të votimit të cilësuar në vendimmarrje.

Paditësi kërkonte gjithashtu që Kolegji të miratonte 100 Zona të Administrimit Zgjedhor, sipaspropozimit që ishte paraqitur nga PD-ja. Mendojmë se vendimit të mësipërm i mungon standardi i arsyetimit të një vendimi gjyqësor, ndërsa përmbajtja e tij pjesërisht është kontradiktore lidhur me këtë çështje, në mënyrë koncize e shikojmë të nevojshme të parashtrojmë mendimet e mëposhtme: Kolegjit Zgjedhor qysh në fillim t`i tërhiqte vëmendjen përmbajtja e objektit të paditur si dhe baza përkatëse ligjore. Kolegji Zgjedhor, siç duket nuk ka patur vërejtje për çështjet e mësipërme ndërsa kërkesa për miratimin e 100 Zonave të Administrimit u pranua pjesërisht. Që problemi të kuptohet më qartë po e konkretizojmë.

a)Kolegji Zgjedhor në mënyrë formale dhe paarsyetim ligjor vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 20 datë 21.12.2012 të KQZ-së vetëm sepse “pro” tij nuk kishin votuar të paktën 5 anëtarë të KQZ-së, megjithëse pranon se ky vendim nuk ka pasoja. Vlen të theksohet se as në nenin 24 të Kodit Zgjedhor dhe as në ndonjë dispozitë tjetër të këtij Kodi, nuk thuhet se në rast se nuk arrihet kuorumi që kërkohet (5 vota “pro”), vendimi konsiderohet i kundërligjshëm dhe si i tilël duhet shfuqizuar.

Eshtë ë vërtetë se sipas nenit 24 pika 1, shkronja "f" të Kodit Zgjedhor, vendimmarrja për caktimin e zonave të administrimit zgjedhor është në kompetencën e KQZ-së, por ai duhet të miratohet me votat "pro" të jo më pak se 5 anëtarëve të KQZ-së. Në të kundërtën ai quhet i pamiratuar. Nëse do të kihet parasysh dhe do të zbatohej dispozita e mësipërme e Kodit Zgjedhor, a mund të arrihet në përfundimin se vendimi i KQZ-së i pamiratuar duhet shfuqizuar?! Ku qëndron paligjshmëria e vendimit nr.20 të KQZ-së?

b)Sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, paditësi ka pretenduar se vendimi i KQZ-së për miratimin e ndarjes së re të ZAZ-ve "është marrë në kundërshtim me ligjin, pasi ky i fundit përcakton si detyrë absolute të vetë KQZ-së...".
Derisa Kolegji Zgjedhor ka vendosur shfuqizimin e vendimit të KQZ-së, duket se ka mbështetur pretendimin e mësipërm. Siç dihet, ka disa vendime që sipas Kodit Zgjedhor, KQZ-ja duhet të miratojë me votim të cilësuar (5 vota "pro" . Mos vallë, nëse këto vendime për arësye të ndryshme nuk miratohen(për shkak të mosarritjes së kuorumit), duhen shfuqizuar si të kundërligjshme?!

c)Nga përmbajtja e vendimit të Kolegjit zgjedhor bie në sy edhe qëndrimi kontradiktor në arsyetim. Kështu p.sh, në këtë vendim, midis të tjerave thuhet: "Është e qartë që në zbatim të ligjit, është detyrë e KQZ-së caktimi i numrit të ZAZ-ve, por në mungesë të formalizimit të vullnetit të KQZ-së, për shkak të kuorumit të kërkuar prej 5 votash, me të drejtë propozimi që nuk është miratuar, ka marrë trajtën e vendimit sikundër rezulton jo vetëm nga akti i zbardhur, por dhe nga procesverbali i mbajtur nga KQZ-ja në faqen 118, në të cilin pasqyrohet se nuk miratohet akti" (shih faqen 6 të vendimit të Kolegjit). Cila është arësyeja që Kolegji e trajton në këtë mënyrë çështjen? Cili do të ishte qëndrimi i paditësit dhe i vetë Kolegjit nëse akti nuk do të ishte zbardhur në "trajtën e vendimit", çdo të bëhej? Si do të veprohej? Çfarë do të shfuqizonte Kolegji Zgjedhor?

Mendoj se, qoftë edhe vetëm përmbajtja e procesverbalit do të konfirmonte faktin se për shkak të mungesës së kuorumit të domosdoshëm numri i zonave të administrimit Zgjedhor nuk do të caktohej. Në këtë vështrim, si procesverbali edhe vendimi i pamiratuar, shprehin të vërtetën: Propozimi për numrin e zonave të Administrimit Zgjedhor nuk është miratuar. Bëhet pyetje: Çfarë konsideron të kundërligjshëm Kolegji Zgjedhor, faktin e një konstatimi që shpreh një të vërtetë? Çfarë ka shfuqizuar Kolegji Zgjedhor, një vendim që neni 24 i Kodit Zgjedhor e konsideron të pamiratuar?!

2)Derisa kolegji Zgjedhor u investua të shqyrtojë çështjen me themel, mendoj se hetimi duhet të ishte më i thelluar dhe më objektiv si dhe në zbatim të parimit të kontradiktoritetit, që siç dihet janë elementë thelbësorë për një proces të rregullt ligjor. Kjo mendoj se do t'i shërbente edhe një arsyetimi më të argumentuar dhe si rrjedhim dhe më bindës. Eshtë pranuar se administrata e KQZ-së mbështetur në materialet (të dhënat) e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile më datën 5 dhjetor 2012 i ka paraqitur KQZ-së një projekt për caktimin e 76 zonave të administrimit zgjedhor. Shqyrtimi i këtij projekti për arësyet që përmendëm, në vendimin e Kolegjit Zgjedhor është shtyrë. Më datën 21 dhjetor 2012 e njëjta administratë (d.m.th. pas 16 ditëve)i paraqiti KQZ-së një projekt të ri ku parashikohej ndarja në 89 zona (13 zona më tepër se projekti i parë).

Kam mendimin se Kolegjit duhej t'i tërhiqte vëmendjen ky ndryshim dhe të ndalej për ta sqaruar dhe hetuar deri në fund, përse në projektin e dytë ndryshon numri i zonave. Të paktën duhej hetuar fakti nëse dy projektet mbështeteshin në të njejtin material dhe në të njejtat të dhëna, cilat kritere ishin zbatuar në projektin e parë dhe cilat kritere në projektin e dytë, ku konsistonte gabimi ose shkaku që numri i zonave të administrimit Zgjedhor duhej të ishte 89 dhe jo të themi 88 ose 90 etj. Në këtë vështrim kemi parasysh se zbatimi i kritereve për ndarjen e zonave të administrimit zgjedhor ishte vetëm ai i parashikuar në nenin 27 të kodit zgjedhor.

3) Në vendimin e Kolegjit Zgjedhor në 2-3 raste përmenden shprehjet "sipas propozimit të KQZ-së". Pavarësisht nga fakti që KQZ-ja është thirrur me cilësinë e të paditurit (në rastin konkret pozita e tij si i paditur mendojmë se është sui generis). Ai nuk mund të ketë tagër të shprehet në emër ose në mbrojtje të propozimeve të një pjese të KQZ-së, qoftë kjo dhe shumica. E them këtë, sepse siç rezulton nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor, propozimi i administratës së KQZ-së në projektin e dytë për 89 zona është mbështetur vetëm nga shumica e anëtarëve të KQZ-së. E përmenda këtë për saktësi dhe jo sepse shprehjet e mësipërme në vendimin e Kolegjit Zgjedhor janë shoqëruar me ndonjë pasojë të dëmshme.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 19 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit