TIRANË- Marrëveshja ndërmjet PS dhe PD për listat e kandidatëve për deputetë ka nisur të materializohet edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në mbledhjen e sotme, 22 janar, KQZ miratoi aktin ku parashikohet renditja e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit duke parashikuar që, secila partia/koalicion do të garojë me 46 deputetë në listë të mbyllur dhe 140 të tjerë në listë të hapur.
Sipas këtyre ndryshimeve, vetëm për ato parti, që do të fitojnë mandate përtej listës së mbyllur, do të kenë mundësi të fusin në Kuvend, deputetë nga lista e hapur, aty ku renditjen e përcaktojnë zgjedhësit. Sipas kësaj skeme, partitë e vogla nuk do të kenë thuajse asnjë deputetet që vjen nga lista e hapur, por vetëm nga ato të mbyllura.
Dokumenti i KQZ i siguruar nga Report TV, ka llogaritur sipas qarqeve, se si ndahen mandatet në lista të fiksuara dhe në lista të hapura.
Sipas qarqeve, në Berat, për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar, dhe 5 nga lista e hapur.
Në Dibër, 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura.
Në Durrës, 5 deputetët e parë dalin nga lista e fiksuar, 9 nga lista e hapur.
Në Elbasan do të jenë 5 nga 15 mandate të mbrojtura në listë të mbyllur.
Në Fier, 5 nga 16 emrat, do të jenë të mbyllur.
Gjirokastra ka vetëm 1 emër në listë të mbyllur nga 4 mandate gjithsej.
Korça ka në listë të fiksuar, 3 nga 10 mandate për cdo subjekt zgjedhor.
Kukësi do të ketë 1 mandat të fiksuar, Shkodra 4 të tillë.
Në Tiranë, 12 fituesit e parë do të merren nga lista e mbyllur
Vlora do të ketë 4 deputetë në listë të sigurt nga 12 mandate gjithsej.
Sipas Kodit, për çdo parti garuese, mandat do të fitojnë të parët ata që janë në listën e mbyllur, dhe brenda listës së mbyllur do të respektohet renditja e paracaktuar nga kryetari i partisë.
Nëse partia/koalicioni fitojnë mandate në atë qark, më shumë se sa ka emra lista e mbyllur, atëherë do të fitojnë mandat sipas radhës, më të votuarit nga lista e hapur.
Renditja në listë të hapur bëhet pa asnjë prag, kush ka marrë një votë më shumë, por 1 në 3 emra, do të jetë femër, edhe nëse gratë nuk janë votuar sa duhet.