Sali Berisha fajëson Edi Ramën edhe për rrëzimet e kërkesave të tij nga Kolegji Zgjedhor. Pas vendimit që në krye të koalicionit opozitar të vendoset emri i Ilir Metës dhe të jenë logot e të gjitha partive politike në fletët e votimit, Berisha thotë se këto vijnë se Rama është i tmerruar nga opozita.

Sipas Berishës, kreu i qeverisë ka dhënë urdhra që të merren këto vendime që sipas tij shkelin ligjet dhe Kushtetutën.

“A e konstatoni ju se në disa aspekte jemi më keq së në vitin 1991? Sepse lufta e egër e Edi Ramës ndaj opozitës është më e pashembullta që kur është themeluar PD. E ka kapur tmerri nga opozita dhe urdhëron mercenarët e tij të shkelin ligje dhe Kushtetutë, t’i emërojë koalicionit, kryetarin e koalicionit, të cilin ligji ia njeh në mënyrë eksplicite anëtarëve të koalicionit.

Mua më bën nder se tregon tmerrin që ka nga Sali Berisha, por problemi është shikoni se çfarë qëndrimi ka ndaj opozitës. Ai e di se opozita është shtyllë e demokracisë, por pavarësisht nga kjo, do të kontrollojë edhe opozitën. I duhet të vjedhë, të vjedhë sa më shumë”, tha Berisha.

Ditën e djeshme Kolegji Zgjedhor rrëzoi përfundimisht Koalicionin Berisha-Meta duke vendosur që në fletën e votimit për kandidatë për Këshilla Bashkiakë të vendoset emri i Ilir Metës si drejtues i koalicionit dhe jo ai i Sali Berishës. Po ashtu, Kolegji Zgjedhor vendosi që logot e partive të vihen krahas fletës së votimit për kryetarë bashkie, që do të thotë në fletën e votimit do të jetë edhe logoja e Partisë Demokratike. Ky vendim është përfundimtar dhe nuk mund të ankimohet, kështu që Sali Berisha e humb betejën në të gjitha shkallët, në KQZ, KAS dhe Kolegj Zgjedhor.