Më 8 Janar Partia Socialiste paditi në Gjykatën Kushtetuese KQZ-në pasi u dorëzoi komunave formularin tip për referendum, i cili kishte pyetjen: A jeni dakord me shkrirjen e komunës suaj?
Kolegji dëgjoi gjatë seancës së sotme palët e përfshira në këtë proces që janë:subjektetet politike PS-PD dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke lënë në fuqi ndarjen e re territoriale me 61 bashki dhe vendimit të Kolegjit duke rrëzuar kërkesat për referendum nga 130 komuna, pritet që zgjedhjet lokale të mbahen me hartën e re territoriale, në muajin qershor.
Si u arrit deri ne Gjykaten Kushtetuese
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vlerësoi pak kohë më parë si të drejtë dhe brenda kuadrit ligjor, kërkesën e hartuar nga 130 njësi vendore të cilat kërkuan zhvillimin e referendumeve për të kundërshtuar reformën territoriale. Pretendimi i këtyre njësive vendore bazohej në faktin që ndryshe nga parashikimi që bëhet në ligj, sipas tyre komisioni i posaçëm që u mor me këtë reformë nuk i ka pyetur paraprakisht mbi ndryshimet që po ndërmerreshin.
Pretendim që KQZ e cilësoi të drejtë, duke bërë edhe pajisjen e drejtuesve të këtyre njësive me fletët tip, procedura që certifikonte në mënyrë ligjore procedurën e zhvillimit të referendumeve. Ndërkohë nga ana tjetër, përfaqsuesit e mazhorancës e kundërshtuan këtë veprim të KQZ-së duke theksuar se gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisionit të posaçëm u ndoqën të gjitha hapat ligjorë dhe u kërkua mendimi i të gjitha njësive administrative, mbi ndryshimet që po ndërmerreshin në ndarjen territoriale.
Gjithashtu përfaqsuesit e mazhorancës, vlerësuan se me zhvillimin e referendumeve kur kanë ngelur edhe gjashtë muaj nga zgjedhjet vendore, rrezikohet plotësisht procesi.
Në mbledhjen e shkuar, Kolegji Zgjedhor vendosi që kërkesat e ardhurara nga 130 njësitë administrative të bëheshin të gjitha bashkë dhe të gjykoheshin si një padi e vetme.
Kodi
Ndërkohë nga ana e saj, mazhoranca pavarësisht këtij vendimi ka hartuar projekt-ligjin për ndryshime në Kodin Zgjedhor të cilin do ta paraqes në fillim të këtij sesioni parlamentar në Kuvend. Ndryshimet e propozuara nga përfaqsuesit e mazhorancës konsistojnë në ndryshime që duhet të bëhen në Kod, pas miratimit të reformës territoriale, duke hequr nga përdorimi terminologjinë “komunë”, duke qenë se shkrihet si njësi administrative me hartën e re territoriale.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)