Këtë e sqaron, në këtë intervistë për Shqiptarja.com, një nga ekspertët kryesorë italianë të kësaj fushe, koloneli Ciro Cantore, i cili nga viti 1992 deri më 1995 drejtoi një mision në Shqipëri për llogari të ministrisë italiane të Mbrojtjes në kërkim të eshtrave të ushtarakëve të fundit italianë të vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ende të pagjetur.
Dëshmia e Cantore-s u jep fund kështu dyshimeve të atyre, të cilët menduan se ajo pllakëzë, mbi të cilën shkruhej në italisht “tetar grek” (caporale greco) nuk i përkiste një ushtari grek, të cilin autoritetet kanë vendosur pikërisht ta varrosin në varrezat e reja ushtarake greke që po ndërtohen në Jug, në kujtim të të rënëve të tyre në Shqipëri.
Sipas një dokumenti, të gjetur nga Shqiptarja.com, italianët e vdekur në Shqipëri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore kanë qenë 28.000, por vetëm 361 janë ende të humbur në varre pa emër në territorin shqiptar. Ndërmjet viteve 1959 dhe 1963 një delegacion i ministrisë italiane të Mbrojtjes u autorizua nga regjimi komunist të kërkonte, kryesisht në varrezat shqiptare, për të zhvarrosur dhe transferuar në Itali eshtrat e ushtarëve.
Figura e komandantit të atij misioni frymëzoi romanin e Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në ato katër vjet kërkime u gjetën dhe u dërguan në Itali 7.692 të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore (4.288 të identifikuar dhe 3.404 të panjohur) dhe 19.685 të rënë në Luftën e Dytë Botërore (9.841 të identifikuar dhe 9.844 të panjohur). Pas rënies së regjimit komunist, erdhi në Shqipëri një mision i dytë italian, i komanduar nga koloneli Ciro Cantore, që mblodhi eshtrat e 67 të rënëve të tjerë.
Kolonel Ciro Cantore, ju keni qenë në Shqipëri ndërmjet viteve 1992 dhe 1995 në krye të misionit italian të nderimit të të rënëve (Onorcaduti) në kërkim të eshtrave të ushtarëve italianë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sa ishin trupat e gjetur?
Në radhë të parë, ju falenderoj që keni menduar për punën time. Ishte viti 1992 kur Onorcaduti-t iu kërkua nga ministria e Mbrojtjes të kontaktonte me ambasadën italiane në Tiranë, që kishte marrë disa letra nga qytetarë shqiptarë, të cilët sinjalizonin varre të veçuar ushtarësh italianë, që duket se kishin mbetur jashtë punës së bërë, menjëherë pas lufte, nga një komision, gjithnjë të dërguar nga Onorcaduti, që kishte kontrolluar të gjitha varrezat e luftës që ndodheshin në Shqipëri, duke sjellë eshtrat e ushtarëve tanë në Itali që u vendosën në Memorialin Ushtarak të Barit. Më falni që po dal pak nga tema, por, për të kuptuar se pse ka jashtëzakonisht shumë varre të veçuar në Shqipëri, duhet të shpjegojmë arsyet.
Pas 8 shtatorit 1943, që solli çorganizim tek ushtarët italianë, trupat gjermane, që u ngjitën nga Greqia përmes Ballkanit, nisën zbatimin e të ashtuquajturit “Operacioni Dimri”, që ishte një tërheqje e madhe, por me një objektiv të saktë: të pushkatohej armiku italian kudo që të gjendej pa zënë robër. Kjo situatë kaotike shtyu shumë ushtarë italianë të strehoheshin në shumë familje shqiptare, të cilat i shpëtuan nga një vdekje e sigurtë, duke rrezikuar nga ana e tyre të shfaroseshin si bashkëfajtorë.
Kjo është arsya e vetme për shumë varre të vetmuara, që nuk ishin shënuar asnjëherë në dokumentat që kishte përpiluar ushtria italiane në atë kohë, duke regjistruar vetëm varrimet në varreza. Eshtrat e sjella në atdhe ishin 67: 16 të ushtarëve të identifikuar dhe 51 eshtra të të panjohurve, të gjithë ata tanimë të varrosur në varrezën e madhe ushtarake të Barit.
Kush ua tregonte vendndodhjen e eshtrave? A kishte ndonjë dokument zyrtar, apo ishin vetëm qytetarët shqiptarë që ju ndihmonin në kërkimet?
Siç e thamë edhe më parë, ishin qytetarët shqiptarë që i dërgonin letra sinjalizuese ambasadës italiane, e cila ia dërgonte ato menjëherë zyrës sime në Itali. Letrat vlerësoheshin dhe katalogoheshin për misionin e ardhshëm në Shqipëri me verifikimin e mëpasëm në terren, gjithnjë dhe me ndihmën e sinjalizuesve.
Kishim edhe hartën ose fotografi të varrezave italiane të luftës në Shqipëri, por siç u tha, në to tashmë kishin përfunduar kërkimet.
Keni bërë ndonjëherë gërmime dhe a keni gjetur eshtra në zonën rreth Dragotit në Tepelenë?
Po, në Tepelenë kemi qenë, por sinjalizimet e ardhura dolën pak a shumë të paqarta dhe të pasakta dhe nuk rezultuan të frytshme, pasi nuk gjetëm shënja të qarta treguese varrimesh.
Pikërisht në Dragot autoritetet greke po bëjnë këto ditë kërkime për të gjetur eshtra të ushtarëve grekë. Tek eshtrat e para që u gjetën ishte edhe një medaljon (në foto) ku ishte shkruar në italisht. Duke qenë se ka patur shumë polemika mbi origjinën e saj, a mund të na ndihmoni ta identifikojmë? Sipas përvojës tuaj, a mund të ishte ai medaljoni i një ushtari italian? Apo ndoshta i një ushtari grek të varrosur nga italianët?
E pashë fotot që më dërguat dhe mund të them me bindje se nuk është një pllakëzë që mbahej nga ushtarakët tanë atëhere dhe, nga ajo çka lexohet në të, duhet të jetë fjala për një Tetar të Parë “Grek”. Ndoshta ka të bëjë me grek të vrarë dhe të varrosur nga italianët, megjithëse duhet të bëhen hetime më të imtësishme dhe ndoshta të shihen edhe lëvizjet e ushtarëve grekë në zonën ku është gjetur, ose duhen bërë edhe gërmime të tjera aty afër me shpresën se mund të ketë edhe gjetje domethënëse.
Me misionin tuaj, ju kontribuat për të hedhur dritë edhe mbi disa krime lufte të kryera ndaj ushtarëve italianë që kishin mbetur në Shqipëri…
Pas shumë e shumë viteve, unë, me bashkëpunëtorët e mi dhe me ndihmën e qytetarëve shqiptarë, arrita të zbuloj një të vërtetë që na surprizoi lidhur me zhdukjen e kolonës “Gamucci”: 134 karabinierë italianë të zhdukur dhe që i lokalizuam në vendin ku u masakruan, jo nga personi, i cili e pagoi me burg në Itali këtë krim, por nga vrasës të tjerë fare ordinerë.
Që të mos flasim pastaj për Shpellën e Lakuriqëve të Natës, një e çarë në shkëmb e gjatë 30 metra, ku u masakruan nga gjermanët rreth 19 ushtarë italianë, të gjetur në sajë të një sinjalizimi dhe me ndihmën e një plaku, i parë i një fshati, që vazhdonte të përsëriste në italishte të pastër “Mamma mia, Mamma mia”, fjalët që kishte dëgjuar të jehonin atëhere në atë vend.
Gjetja e shumë pllakëzave dhe eshtrave njerëzore që nuk mund të identifikoheshin u bë e mundur me ndihmën e 11 ushtarakë të Forcave Alpine, të cilët u kacavjerrën në shpellë, por, për fat të keq, pjesa më e madhe e eshtrave të atyre italianëve kishin humbur përgjithmonë.
d.c./shqiptarja.com