Nisja herët në një udhëtim është si vajtja herët në tregun e frutave për të mos blerë kalbësira, por të freskëta.
Ndreqja e rrugëve ka sjellë një të mirë të madhe. E ka zhvendosur vëmendjen e udhëtarit nga disa dhjetëra metra rreth e qark për të evituar gropat dhe rreziqet e rrugës, në kilometra e sa të ha syri tej në horizont. Është ky horizont i zgjeruar ndoshta arsyeja pse të njëjtat vende, duke i parë nga larg, shkaktojnë çdo herë një mahnitje të ndryshme dhe dëshirë për të udhëtuar që me ndreqjen e rrugëve shtohet dukshëm. Pikërisht kjo më ndodhi kur, me të dalë nga tuneli i Krrabës, në mugëtirën mëngjesore u shfaq maja superbe e Tomorrit për të 9-miliardën herë qyshkur Tomorri ekziston, çka të sjell ndër mend sa pak falënderues janë njerëzit ndaj gjithë kësaj bukurie qiellore që prej 25 milionë vjetësh vjen çdo ditë e ikën çdo natë.
Diku në unazën e Elbasanit, ora 6 e pak minuta. Kurioz për çfarë japin radiot lokale në kërthizë të Shqipërisë, dëgjoj një zë si ai i Adriano Mazzolettit, të famshmit dhe të paharrueshmit të Radio Rai-t në "Il Mattiniere", i cili, nga ora 6 e mëngjesit shoqëroi çdo ditë për shumë vite me muzikë dhe biseda zgjimin e italianëve. Jo, nuk është Adriano Mazzoletti. Është Rezear Xhaxhiu, ujku i vjetër i korridoreve të diplomacisë europiane, po aq edhe komunikatori ekselent nga Radio Tirana, bashkë me Erion Korinin që vazhdon të bilbilojë, jo si më parë nëpër koncerte, por në Radio Tirana. S'ma mori mendja se dikush tjetër veç meje e kishte nisur ditën pa zbardhur, për të evituar kalbësirat e vonesës. Fillimisht m'u duk si regjistrim. U qetësova vetëm kur perfeksionisti Xhaxhiu tha orën ekzakte.
Lashë mënjanë mbi 7 mijë muzika të zgjedhura që më bëjnë shoqëri nëpër udhëtime dhe vazhdova të shijoj talentin komunikativ të dy divave radiofonikë, që u kthyen ngadalë në dyshen favolose Renzo Arbore – Gianni Boncompagni. I ndoqa deri tutje, deri në Podgorie rrëzë Malit të Thatë, deri kur programi mbaroi.
Rrëshqitja si gjarpër përgjatë luginës së Shkumbinit është një ekstazë, një fërgëllim, një ëndërr plot me vila, autostradë në ndërtim, tunele, ura, kantiere.
Qukës-Plloçë po i shtohet bukuria dhe dobishmëria. Zërat ogurzinj për këtë rrugë janë shuar tashmë.
Podgorie-Shëngjergj-Zvezdë pyeta tre a katër: Morpo si shpjegohet që fasulet më të mira në botë bëhen në Kreshpan dhe Pojan? Cilat ujëra lëvizin, cilat minerale përmban, cila erë e rreh, cili shi e lag atë tokë të bekuar ? Nuk e dinin.
Duke iu afruar Pustecit, disa kisha mahnitëse të vogla për dy besimtarë.
Interesant turbullimi poetiko-patriotik që të kap duke ngrënë peshk buzë liqenit në restorantin shqiptar, duke kqyrur ishullin ku kalonte beharin Cari bullgar.
Deri në kufi me Maqedoninë, disa fshatra shqiptarë që publiku shqiptar i njeh pak ose aspak.
Në pikën e kalimit të Stenjës aty vajti-ç'vajti.
Doganierët shqiptarë të anës së këndejme të kufirit më pritën e më përcollën me një "mirëdita" e "tungjatjeta" korrekte.
Krejt ndryshe në doganën e andejme. Ku doganierët, gjithashtu shqiptarë, më njohën menjëherë me emër e mbiemër. Njëri prej tyre, me një korçarçe perfekte, tha:
-Më quajnë Tahir Sako. Banoj në një fshat këtu afër. Por jam Kolonjar nga Kurtesi. Na solli këtu Ali Pashai. Ti, Edison Ypi, që je kolonjar starjelli, shtëpi pene dhe pushke qysh herët, vatër patriotësh dhe rilindasish, Pasha me ferman nga Stambolli denbabaden, mos guxo të mendosh se kam lënë edhe 1 shkrim tëndin pa lexuar...
Foli e foli Tahir Sakua, derisa durimi i dikujt që i kisha bllokuar rrugën u sos.
U ndava nga Tahir kolonjari me një peng të madh. Zjarri djegës i bisedës mallëngjyese me Tahirin më bëri të harroj t'i marr numrin e celularit. Kush ma gjen numrin e Tahir Sakos, do t'i fal Liqenin e Prespës me të dy ishujt, krejt Malin e Thatë nga Ohri në Zvezdë, plus Sazanin dhe Zvërnecin bashkë me Tomorrin, dhe krejt thesarin e vjedhur të Shqipërisë që do ta gjej ku e kanë fshehur hajdutët enkas për këtë shpërblim.
U largova nga Dogana i mahnitur për asimetrinë e frikshme mes shqiptarëve të Shqipërisë që s'më njihnin dhe shqiptarëve të Maqedonisë që dinin për mua më tepër se Google.
Me të hyrë në Maqedoni, tre makinave që u thashë të ndalonin, dhe ndaluan, i pyeta:
-A jeni shqiptarë?
Ma morën ters pyetjen. U mrrylën. Iu duk sikur ua vura në dyshim të qenët shqiptarë. Thanë:
-Po, jemi shqiptarë.
Dhe s'e zgjatën, ikën, ma avulluan bisedën.
Te një katund pak a shumë si Quksi i Maqedonisë, u ndala të marr një Skopsko te një minimarket. Shitësja, një shkinë bionde, tentoi të ma kthente kusurin në dinarë. E refuzova.
Deri në Ohër, pyje dhe qyteza të qeta ku është e qartë se nuk janë bërë kurrë protesta me Nosita për pare të vjedhura, as kryengritje për pare të humbura si në 97-ën.
Në Ohër refuzimi i përdorimit të navigatorit është një e mirë e madhe, merr një vlerë të pallogaritshme.
Me navigator kalon tangent pa e parë qytetin. Ku ishe? Asgjëkundi. Çfarë pe? Hiçasgjë.
Pa navigator ke mundësi të kënaqesh duke u vërdallosur dhe të humbësh nëpër Ohër më thellë se në Bathore.
Në dalje të Ohrit i hodha makinës naftë te një pikë karburanti në një vend të çuditshëm, mu në mes të një rrethrrotullimi. Zotëria që më hodhi naftën nuk më dha faturë. I thashë disa herë: Kupon, faturë, bill, scontrino. Bënte sikur nuk kuptonte. Insistova. Më shoqëroi te një zyrë ku një zonjë, pa luajtur vendit, më shkroi me stilolaps mbi një copë letër: Kaq euro, aq litra naftë. Meqenëse kuponin e kërkova vetëm për të dëshmuar se edhe këtë herë i rashë rrotull gratis trojeve shqiptare falë diferencës së çmimit të naftës, s'e zgjata, ika.
Shkëmbor dhe i lartë, bregu i liqenit nga ana e tyre, është më spektakolar dhe më i pasur me lokale, hotele, restorante, ndaj tonit ku janë bërë investime, por ende jemi prapa.
Kur po bëja çiçin majë një shkëmbi, me rrush nga liqeni, rrëzë shkëmbit, poshtë në liqen, ia laga helikat me çiç kolonjari një helikopteri që kaloi me tërsëllëmë.
Diku u futa gabimisht në Manastirin e Shën Naumit. Mezi u ika priftërinjve që m'u sulën të më shpjegonin se për manastirin e shenjtë e ka fajin Ahmet Zogu, sipas Blushit ai çuni mamit që s'u ngop kurrë duke shitur e blerë manastira dhe vermosha.
Pas kolonjarit të Prespës, kryengjarje e këtij udhëtimi, dhe disa peripecive, deri në Tiranë, e njëjta rrugë që në ardhje m'u duk parajsë, në kthim m'u fanep si një kusur me monedha që ma hodhi një fukara nervoz, të cilit i bleva një rraqe mbi një tezgë te bregu i lumit.










Komente
Komento