TIRANE - “Për 1 milionë eurot e drogës së kapur në Malin e Zi, do të merrja 200 mijë euro.” Ky ka qenë pohimi i 36-vjeçarit kolumbian me pasaportë spanjolle Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana për hetuesit duke zbuluar detaje të rëndësishme për trafikimin e ngarkesës prej 250 kilogramëvë të kokainës ekuadoriane të kapur në kontenierin e bananeve që vinin për firmën fierake “Rrapo Kompani” në portin e Tivarit në Malin e Zi.

A1 Report ka mundur të sigurojë deshminë e Kolumbianit të arrestuar 3 ditë më parë në Rinas. 

Përpara oficerëve të policisë gjyqësore, Kolumbiani Cesar ka treguar për kontaktin me një person që do të realizonte transferta bankare nga Shqipëria drejt Spanjës. Cezar ka pranuar se kishte mbërritur në Shqipëri më 19 Maj dhe qëndroi për plot 23 ditë në 3 hotele të ndryshme, derisa u arrestua në Rinas më 9 Qershor në tentative për të lënë Shqipërinë.

Shuma që do merrja varionte nga 600 mijë deri në 1 mln euro dhe për këtë punë do të fitoja 200 mijë euro nëse realizohej. Në Bogota jam kontaktuar nga dy persona, njërin prej tyre e njihja dhe kisha punuar për atë edhe herë të tjera për transportimin e parave. Ata më takuan, më thanë të vija në Shqipëri, ku do të merrja këstin e parave të një sasie droge që do të vinte këtu.

Ata më dhanë një numër telefoni, që kur të mbërrija në Shqipëri t’i telefonoja nga hoteli. Pasi të merrja parat, do të njoftoja një person në Spanjë, që kishte njohje me disa drejtues bankash në Shqipëri dhe do të vinte këtu, ku nëpërmjet bankave do të kalonte paratë te kolumbianët
”- ka thënë 36-vjeçari. 

Në 4 qershor sekuestrua sasia e 250 kg kokainë në fundin e një kontenieri në një anijë e cila transportonte banane për llogari të firmës Fierake Rrapo Kompani. Gjatë hetimeve paraprake nuk u vërtetua së cili ishte destinacioni i mundshëm i kokainës së ardhur nga Ekuadori, dhe cilët ishin porositësit e drogës. Deshmia e sotme e Kolumbianit hedh dritë mbi fakte të reja të trafikimin të sasisë së kokainës e cila u sekuestrua ne portin e Tivarit në Malin e Zi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)