Komandanti i KFOR-it Gjeneral Major Salvatore Farina priti në një vizitë Shefin e Shtabit të Mbrojtjes të Forcave të Armatosura Serbe Gjeneral Ljubisa Dikovic, në shtabin qendror të KFOR-it ne Kampin Film City në Prishtinë. Ky takim ishte pjesë e axhendës së bisedimeve të nivelit të lartë të mbajtura në përputhshmëri me Marrëveshjen Tekniko Ushtrake (MTA), të njohur si Marrëveshja e Kunanovës. Është hera e pestë që Gjeneral Majori ka takuar Gjeneralin Dikovic që nga shtatori i vitit të kaluar, bën të ditur KFOR - zyra për marrëdhënie me publikun, në njoftimin e dërguar.

Gjatë takimit u diskutuan tema të rëndësishme kryesisht në lidhje me situatën e sigurisë dhe me fokus në pjesën veriore të Kosovës në kuadër të zhvillimit të dialogut Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Pristinës. Gjeneral Farina e informoi Gjeneralin Dikovic rreth atkivitetit të KFOR-it në Kosovë: trendi në tërë territorin është shumë pozitiv duke përfshirë edhe veriun si rajon, ku KFOR-i e vazhdon përpjekjen e vet kryesore me një prani të përhershme me qëllim të ofrimit të një ambienti të qetë dhe të sigurtë dhe për liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe organizatat që operojnë në atë pjesë të territorit.

Gjatë takimit u adresua gjithashtu çështja e rëndësishme e monitorimit të Vijës Kufitare Administrative në përputhje me atë që është cekur në Marveshjen Tekniko Ushtrake.
Në veçanti Komandanti i KFOR-it konformoi se situata është e qetë dhe e stabilizuar përgjatë rreth 350 kilomtrave te Vijës Kufitare Administrative.

"Së fundmi nuk janë raportuar incidente të mëdha, ngjarje ose shkelje të cilat e kanë rrezikuar sigurinë dhe lëvizjen e lirë: Aktiviteti i vazhdueshëm i monitorimit nga forcat e KFOR-it, marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të pjesëtarëve të Komisionit të Përbashkët Ushtarak të NATO-s dhe homologëve të Forcave të Armatosura Serbe si dhe aktivitetet e përbashkëta të ndërmarra në baza ditore përgjatë Vijës Kufitare Administrative (patrullimet e sinkronizuara) ndihmojnë të mirëmbahet një ambient i qetë , bashkëpunues dhe pozitiv", citohet ne komunikatë./ATSH/