Trajneri i Kombëtares së futbollit, Sylvinho ka bërë publike listën me 25 futbollistët e ftuar për dy ndeshjet e nëntorit. Për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Shqipëria luan më 13 nëntor në Andorra dhe më 16 nëntor në Tiranë vjen Anglia, e cila është kualifikuar për në fazën finale.
Mungesat
Bie në sy se Sylvinho nuk ka grumbulluar sërish Ernest Muçin, sulmuesin e Trabzonspor në Turqi. Ndërkohë Marash Kumbulla mungon për shkak të një dëmtimit që e mban jashtë prej javësh te Mallorca. Edhe Nazmi Gripshi, i ftuar në tetor, mbetet jashtë për këtë grumbullim.
Rikthimet
Indrit Tuci, sulmuesi i Kayserispor në Superligën e Turqisë është rikthyer në ekip pas afro një viti nga ndeshja e tij e fundit me kuqezinjtë. Mbrojtësi Ardian Ismajli ka lënë pas lëndimin që e mbajti jashtë te Torino dhe duket se do jetë titullar për Sylvinhon.
Klisman Cake
Mbrojtësi i Shkëndijës së Tetovës ishte risi në tetor, kur debutoi për herë të parë me Kombëtaren A, teksa e sheh veten sërish në listë, duke bindur me paraqitjen e tij.
Lista e plotë:
Portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klisman Cake
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani
Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku, Indrit Tuci
Grumbullimi i Kombëtares nis të hënën, më 10 nëntor, në Barcelonë, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen ndaj Andorrës, e cila do të luhet më 13 nëntor në stadiumin “Estadi FAF Encamp”, në orën 20:45. Sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese do të zhvillohet më 16 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, ndaj Anglisë, në orën 18:00.
Tanët mbajnë vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, një më shumë se Serbia dhe kanë shanse reale për vendin e dytë që të dërgon në fazën play-off, nga ku do kërkohet një biletë për në finalet e Botërorit që verën e ardhshme do zhvillohet në Amerikën e Veriut. Kuqezinjtë janë të favorizuar pasi edhe rivalët direkt, Serbia, ka ndeshje kundër Anglisë në Londër dhe në rast të një humbje të serbëve, kombinuar me një fitore në Andorra të Shqipërisë, do i dërgonte tanët në play-off.

Lista
Komente








