TIRANË - Trajneri i Kombëtares së futbollit, Sylvinho, doli para medieve pasi bëri publike listën e 25 futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e nëntorit, të cilat janë të fundit për këto kualifikuese. Për Grupin K të Kupës së Botës 2026, Shqipëria luan më 13 nëntor në Andorra dhe më 16 nëntor në Tiranë vjen Anglia, e cila është kualifikuar për në fazën finale. Grumbullimi i Kombëtares nis të hënën, më 10 nëntor, në Barcelonë, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen ndaj Andorrës.
Tanët mbajnë vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, një më shumë se Serbia dhe kanë shanse reale për vendin e dytë që të dërgon në fazën play-off, nga ku do kërkohet një biletë për në finalet e Botërorit që verën e ardhshme do zhvillohet në Amerikën e Veriut. Kuqezinjtë janë të favorizuar pasi edhe rivalët direkt, Serbia, ka ndeshje kundër Anglisë në Londër dhe në rast të një humbje të serbëve, kombinuar me një fitore në Andorra të Shqipërisë, do i dërgonte tanët në play-off.
Për mediet, Sylvinho tha se sfida kundër Andorrës do jetë shumë e vështirë, pasi rivali mbrohet mirë dhe të krijon probleme, paçka se mban vendin e fundit në grup.
"Unë kam shumë respekt për Andorrën, do jetë shumë e vështirë. Barazuan me Letoninë dhe humbën me Serbinë në një ndeshje shumë të fortë. Andorra kishte mundësi të merrte pikë me Serbinë. Ata nuk ndalojnë. Ata luajnë shumë në mbrojtje dhe vënë shpirtin në fushë", tha braziliani.
Sylvinho më pas sqaroi edhe listën e të grumbulluarve, ku shpjegoi vendimin pse Nedim Bajrami është ftuar edhe pse nuk ka minuta te Rangers në Skoci.
"Nedim Bajrami është ai që ka shënuar më shumë për ne, 7 gola, pastaj Asani me gjashtë. Bajrami nuk është i lumtur që nuk po merr minuta te Rangers. Por kjo nuk është hera e parë që kemi marrë futbollistë pa shumë minuta", tha mes të tjerash trajneri.
Fjala e plotë e Sylvinhos:
"-Shohim në këtë listë që mungojnë Muçi dhe Gripshi, teksa është Nedim Bajrami dhe Broja që nuk kanë minuta?
Për pak kohë bëhen tre vite që jam trajner i Kombëtares dhe jemi në një rrugë shumë të bukur, në lojë për të qenë në play-off e Botërorit. Nuk është momenti që të marrim lojtarë që luajnë 100 përqind me ekipet e tyre. Kemi 50 futbollistë që i ndjekim. Nedim Bajrami është ai që ka shënuar më shumë për ne, 7 gola, pastaj Asani me gjashtë. Bajrami nuk është i lumtur që nuk po merr minuta te Rangers. Por kjo nuk është hera e parë që kemi marrë futbollistë pa shumë minuta.
-Golavarazhi, shanset dhe llogaritjet. Në Andorra duhet të fitojmë me shumë gola?
Unë kam shumë respekt për Andorrën, do jetë shumë e vështirë. Barazuan me Letoninë dhe humbën me Serbinë në një ndeshje shumë të fortë. Andorra kishte mundësi të merrte pikë me Serbinë. Ata nuk ndalojnë. Ata luajnë shumë në mbrojtje dhe vënë shpirtin në fushë.
Unë si trajner nuk bëj llogari në këto momente. Në fund të ndeshjes me Anglinë do flasim, unë dua të fitojmë ndeshjen e radhës. Në Andorra na pret një ndeshje më shumë se e vështirë. Ne kemi vetëm një humbje, me Anglinë, por sfida e radhës do jetë shumë e fortë.
-Surpriza Medon Berisha dhe shanset e Nazmi Gripshit për një rikthim në ekip?
Berisha po merr shumë minuta, ka shënuar dy gola në Itali dhe ka një rol si fantazist. Kjo na gëzon shumë, ai më pëlqen shumë si futbollist. Ne e kishim në Europian për më shumë përvojë. Ai do jetë e ardhmja për ne, vjen në ekip me një "ajër tjetër" pasi merr më shumë minuta në Serie A.
Gripshi më ka pëlqyer shumë, por ai është me pushime në kampionatin e tij. Më duhen të paktën futbollistë që janë në stërvitje, i kemi dërguar një manual pune. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara.
-Sa të rëndësishme janë rikthimet e Ismajlit dhe Tucit?
Jam shumë i lumtur për Ismajlin, është rikthyer dhe po merr minuta në Torino. Kemi shumë besim dhe kam tre vite që e kam në ekip. Tuci ka luajtur dy ndeshje në Nations League. Ka humbur pak kohë pas transferimit në Turqi dhe kishte një dëmtim. Ai futet në zonë, është inteligjent, kur futet në fushë të jep mundësi për të shënuar gola.
-Kanë ndryshuar kriteret për mënyrën sesi ju e bëni listën? Ka mes tyre që nuk luajnë shumë...
Kriteri ka qenë ky, një futbollist vjen sepse ne kemi inters dhe na përgjigjet në fushë. Nuk marrim lojtarë që kanë dhjetë ndeshje me Realin, por çfarë japin për ne. Le të marrim Manajn, ai humbi një penallti me Serbinë dhe thanë se nuk vlen. Pas 97 ditësh ai shënoi në Serbi dhe u kthye në hero. Ne duhet të arsyetojmë mirë, Bajrami nuk luan, por e kemi goleadorin më të mirë që kemi. Kemi bërë katër ndeshje shumë të mira, këta futbollistë na jepin besim.
-Trafiku në krahun e majtë, por në të djathtë pse nuk vjen Arbnor Muja?
Janë dy gjëra të ndryshme, kriteret dhe karakteristikat e futbollistit. Muja ka qenë me ne, por më shumë është mesfushor krahu dhe puna e tij na ekuilibron ekipin. Ne na duhen lojtarë që shënojnë dhe kanë kapacitet për gola, si Broja dhe Asani. Uzuni gjithashtu është më sulmues. Për këto ndeshje na duhet një futbollist që shënon", tha trajneri Sylvinho.
Lista e plotë e të grumbulluarve:
Portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klisman Cake
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani
Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku, Indrit Tuci
Grumbullimi i Kombëtares nis të hënën, më 10 nëntor, në Barcelonë, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen ndaj Andorrës, e cila do të luhet më 13 nëntor në stadiumin “Estadi FAF Encamp”, në orën 20:45. Sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese do të zhvillohet më 16 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, ndaj Anglisë, në orën 18:00.
Tanët mbajnë vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, një më shumë se Serbia dhe kanë shanse reale për vendin e dytë që të dërgon në fazën play-off, nga ku do kërkohet një biletë për në finalet e Botërorit që verën e ardhshme do zhvillohet në Amerikën e Veriut. Kuqezinjtë janë të favorizuar pasi edhe rivalët direkt, Serbia, ka ndeshje kundër Anglisë në Londër dhe në rast të një humbje të serbëve, kombinuar me një fitore në Andorra të Shqipërisë, do i dërgonte tanët në play-off.
Renditja në Grupin K kualifikues
Komente









