Liga e Kombeve/ 'Hakmarrje' dhe autokritikë, Kombëtarja mposht 0-1 Gjeorgjinë në Tbilisi! Vendos supergoli i Asllanit

Liga e Kombeve/ 'Hakmarrje' dhe autokritikë, Kombëtarja mposht 0-1 Gjeorgjinë në Tbilisi! Vendos supergoli i Asllanit

Kombëtarja kundër Gjeorgjisë

Liga e Kombeve Grupi B1/ Gjeorgji 0-1 Shqipëri (Asllani 48')

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka reaguar dhe ka harruar humbjen e tre ditëve më parë kundër Çekisë, duke fituar 0-1 këtë të hënë në udhëtim me Gjeorgjinë në Tbilisi. Në "Mikheil Meskhi Stadium" vendosi supergoli i Kristjan Asllanit në minutën e 47-të dhe Shqipëria fiton për herë të parë në Gjeorgji.

Ndeshja nisi mirë për tanët që provuan disa herë, por Tuci u ndal nga portieri vendas. Më pas loja ishte e ekuilibruar, ndërsa pjesa e parë u mbyll pa gola. Nisja e fraksionit të dytë solli golin e vetëm të takimit në minutën e 48-të. Pasimet mes Bajramit dhe Tucit nxorën një top për Asllanin, që me të djathtë ia ndali sferën në rrjetë Mamadashvilit për një supergol.

Pas këtij momenti, Bajrami humbi një mundësi të mirë nga brenda zone. Vendasit u kujdesën që të bënin me zemër tifozët kuqezi, por pritjet e Strakoshës i dhanë tri pikë tanëve.

Kështu, kuqezinjtë 'marrin hak' kundër Gjeorgjisë që një muaj më parë fitoi në "Air Albania" me të njëjtin rezultat. Ndërkohë Kombëtarja me gjashtë pikë pozicionohet në vendin e tretë, aq sa Gjeorgjia. Në 16 dhe 19 nëntor Kombëtarja luan dy sfidat e fundit të Grupit B1 në Tiranë, kundër Çekisë dhe Ukrainës. Grupi ynë kryesohet nga Çekia me shtatë pikë.

Komentet kryesore të ndeshjes:

95' Mbyllet 0-1 ndeshja në Tbilisi.

90' Pesë minuta shtesë.

77' Bajrami i bën vend Seferit.

74' Bajrami i vetëm në hyrje të zonës, gabon në goditje.

69' Daku gabon me kokë, sfera del jashtë. Mundësi e mirë për tanët.

66' Tuci i bën vend Dakut.

57' Nedim Bajrami s'u beson syve. humbet rastin ideal nga brenda zone.

48' GOOL! Kristjan Asllani kalon në avantazh kuqezinjtë pas asistit të Tucit. Goditja nga jashtë zone ndalet në rrjetë. Shqipëria në avantazh.

46' Nis pjesa e dytë.

45+1' Mbyllet 0-0 pjesa e parë.

45' Një minutë shtesë.

30' Kombëtarja lidhet mirë me pasime, lojë e qartë nga tanët.

29' Strakosha gaon në pasim, tanët rrezikojnë golin.

14' Indrit Tuci bukur në zonë, pret Mamardashvili.

13' Mikautadze nga brenda zonës, sfera prek rrjetën e jashtme. Pozicion jashtë loje nga anësori. 

11' Davitashvili bën "lëmsh" mbrojtjen kuqezi, pret Strakosha.

9' Kombëtarja aksion të rrjedhshëm, Asllani godet keq.

3' Asllani provon të bëjë mirë, tanët e nisin me vrull ndeshjen.

1' Nis ndeshja, Laçi provon me një goditje të bukur. Rasti i parë për tanët.

Pragndeshja

Sipas gazetarit Erion Todhe që ndodhet në Tbilisi, ultrasit vendas të Gjeorgjisë kanë goditur dje (e diel) një tifoz të Shqipërisë, teksa “Tifozat Kuq e Zi”, kanë kërkuar që policia t’i shoqërojë drejt stadiumit. Ndërkohë mësohet se një nga të lënduarit ka përfunduar në spital për ndihmën e parë. Përballja e sotme në Tbilisi ishte e 17 mes dy skuadrave, ku dominojnë rivalët. Nëntë fitore ka Gjeorgjia, katër janë barazime dhe katër herë kemi dalë me sukses. 24 gola na ka shënuar Gjeorgjia, kundër 14 që kemi shënuar në portën e tyre.

Formacionet zyrtare:

Gjeorgjia (4-1-4-1): Mamardashvili, Kakabadze, Dvali, Kashia, Lokoshvili, Kiteishvili, Zivzivadze, Davitashvili, Çakvetadze, Kvaratskhelia, Mikautadze Trajner: Willy Sagnol

Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha; Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj; Ramadani, Asllani; Asani, Bajrami, Laçi; Tuci Trajner: Sylvinho

Renditja

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:01
Pasi e mposhti në fushë, Daku i merr edhe fanellën Kvaratskhelias


Pas fitores 0-1 në Tbilisi, sulmuesi Mirlind Daku i Kombëtares ka ndërruar fanellën me yllin e Gjeorgjisë dhe Napolit, Kvicha Kvaratskhelia.

Ora 21:24
Supergoli i tij i dha tri pikë Shqipërisë, Interi reagim special për Asllanin

"Asllani për fitoren", kështu ka shkruajtur klubi i Interit përshëndetjen për Kristjan Asllanin, me rastin e golit deçiziv që i dha tri pikë Shqipërisë kundër Gjeorgjisë. Klubi i tij, Inter e shoqëron postimin edhe me një foto të shqiptarit.

 

Ora 20:57
Buzëqesh Sylvinho: Të jemi me këmbë në tokë, qendra e mbrojtjes më bën me dhimbje koke


Sylvinho foli pas fitores që Shqipëria siguroi 0-1 në Gjeorgji. Trajneri i Kombëtares foli për vështirësitë e ndeshjeve si dhe "dhimbjen e kokës" për emrat që ka në dispozicion në mbrojtje, teksa kërkon t'i mbajë të tijtë me "këmbë në tokë".

“Në krahasim me Çekinë ka ndryshuar rezultati dhe ndeshja, çdo ndeshje është ndryshe. Nuk bëmë mirë atje, është e drejtë, nuk arritëm të barazonim me rastin e Asanit, e meritonim apo jo është çështje tjetër.

Këtu bëmë një ndeshje të rëndësishme të mirë, ata janë të fortë, i thashë trajnerit të tyre, edhe ai tha të njëjtën gjë, që po bëjmë një punë të mirë. Sot djemtë kishin diçka brenda që “ne jemi Shqipëria”, Këto duhet të dinë që kush është Shqipëria, unë i di që tani i njohin lojtarët tanë kush është Ajeti, Seferi, Muçi dhe ky është një nder për ne.

Trishtohem pak kur humb ndeshje dhe thua që sulmi nuk vlen. Ne jemi një ekip në rritje, kemi bërë Europianin para 6 muajsh, mes nesh ka një raport të shkëlqyer, por që nis te federata, stafi, lojtarët. Kur humbet ka kritike dhe duhet pranuar. Dikush më tha a duhet ndryshuar dhe ndryshuam. Tuci, Bajrami, Asani, Balliu, Ajeti bënë shumë mirë. Për mua është nder i madh, jam dakord, Shqipëria është ekip i fortë.

Do të festojmë festat e nëntorit, por me këmbë në tokë. Ky është një grup i vështirë, tre kundërshtarë shumë të vështirë. Të gjithë skuadra Europiani, nuk ka amatorë, lojtarë Europiani, lojtarë të nivelit më të lartë, si tanët. Por do të festojmë shumë në Shqipëri padyshim, por me këmbë në tokë, unë punoj që sot, me këmbë në tokë. Duhet të festojmë sot, por që nesër do të punojmë që në nëntor. Një mesazh për të gjithë: me këmbë në tokë. Këtu mund të ndodhë gjithçka, çdokush mund të mposhtë këdo në shtëpi apo jashtë.

Nëse kthehemi te Çekia, ata e kanë shkatërruar Poloninë në kualifikuese, kjo është skuadër e mësuar, janë të mësuar që në shtëpi ecin me 100 në orë në fillim dhe jam dakord që nuk e menaxhuam mirë ndeshjen. Fola me lojtarët dhe në të ardhmen kanë kuptuar si duhet të bëjnë. Sot, Gjeorgjia është një ekip teknik, me lojtarë me këmbë të mira, por është një ritëm tjetër loje. Por jam dakord që në 15 minutat e parë edhe me sjelljen kemi bërë gjithçka shumë më mirë.

Gjeorgjia kishte studiuar mirë, ai bëri një ndryshim, nuk e kisha parë kurrë. I bëra komplimente Sanjol dhe ai na bëri ne. Ai ka humbur një lojtar të skualifikuar dhe ndryshuan skemë taktike. Por ata na kanë studiuar, na njohin mirë, është nder për ne të konkurrojmë me Ukrainën e Çekinë, janë ekipe që kanë bërë historinë. Kjo është e bukura e futbollit, kjo është teknikë, taktikë, pozicion, është një ndeshje e bukur për të gjitha.

Dhimbje kokë për qendrën e mbrojtjes? Po, kam dhimbje koke dhe kjo është ajo që dua, të kem dhimbje koke, më çmend. Edhe Tuci ka bërë gjithashtu një ndeshje të bukur.

E kanë merituar të fitojnë këtë ndeshje, ne kemi bërë një punë të mirë, e gjithë federata, një staf me shumë punë pas kësaj. Të gjithë e kemi merituar të bëjmë 6 pikë dhe të ecim para. Jemi ende të gjallë, i thashë djemve që kjo është një fitore që duhet ta shijojnë shumë”, tha Sylvinho për ”SuperSport” pas ndeshjes.

Ora 20:49
Tifozat Kuq e Zi: Në 14 tetor gjithmonë fitojmë


"Në 14 tetor gjithmonë fitojmë", kështu shkruan grupimi i Tifozave Kuq e Zi pas fitores 0-1 të Kombëtares në Gjeorgji. Gjithçka lidhet me ngjarjet e dhjetë viteve më parë dhe dronit mbi Beograd që solli dhunën dhe ndërprerjen e ndeshjes Serbi - Shqipëri më 14 tetor 2014.

Ora 20:43
Bajrami: Kemi marrë një fitore të madhe që do të mbetet në histori

1728931462_1725047068nedimbajrami.jpg
Fantazisti i Kombëtares, Nedim Bajrami foli pas fitores në Gjeorgji.

“Normalisht që të luash dy ndeshje në kaq pak kohë, ka edhe lodhje. Por sot kemi marrë një fitore shumë të madhe që do të mbetet në histori. Siç festuan ata në Tiranë, ashtu festuam edhe ne këtu”, tha ai.

Ora 20:39
Armand Duka: Objektiv kemi vendin e parë, ekipi ynë më i shpërblyeri në Evropë

1728931228_325858.jpg
Presidenti i FSHF-së, Armando Duka foli pas fitores së Kombëtares 0-1 në Tbilisi kundër Gjeorgjisë.

“Çdo ndeshje e ekipit kombëtar shumë e rëndësishme dhe e vështirë, sidomos kur vinim pas humbjes në Çeki. Përgjegjësia shumë e madhe për çunat dhe ia arritëm, ato meritojnë shumë më shumë se dy humbjet e fundit.

Ne kemi të njëjtin objektiv, vendin e parë në grup, por është grup i vështirë. Kush mendon se do i fitojmë dy ndeshjet në shtëpi e ka shumë gabim. Mbase kështu mendoi Gjeorgjia. Çunat meritojnë të festojnë, janë specialistë për të analizuar çfarë nuk kemi bërë mirë dhe për të qenë të përgatitur.

Ukraina ekipi më me kualitet pavarësisht se me 3 pikë. Uroj t’i kemi çunat gati dhe ato të dëmtuarit për një paraqitje sa më të mirë në Tiranë.

Nuk më intereson sa ka fituar apo humbur Gjeorgjia në shtëpi, por më intereson që fituam. Nuk mund të fitojmë të gjitha se do ishim Spanja. Ky është futbolli, skuadra është me përbërje fantastike, e bashkuar por ka dhe ditë jo si në Çeki. Të përgatitemi për kualifikueset e Botërorit.

Ne kishim shumë emocion në shkallë, ju para ekranit, në futboll nuk shmangen. Gjeorgjia nuk na rrezikoi asnjëherë. I thashë Dakut ta kishe bërë atë gol dhe të ishim më të qetë, Silvinjo më tha shijon më shumë ashtu.

Padyshim që ekipi ka premio për një objektiv, për të qenë në vendin e parë. Nuk është premio që motivon skuadrën, por fanella. Sidomos në kushtet e sotme, kur vinim pas një humbje. E kishim peng se kishim humbur në Tiranë dhe ka motiv më shumë se paratë. Nuk mungojnë shpërblimet, ekipi ynë më i shpërblyeri në Europë”, u shpreh Duka për TV Klan.

Ora 20:35
VIDEO/ 'O sa mirë me qenë shqiptar', festa kuqezi në Tbilisi

Pas fitores 0-1 kundër Gjeorgjisë në Tbilisi, Kombëtarja ka festuar me tifozët që udhëtuan në transfertën e largët. "O sa mirë me qenë shqiptar", dëgjohet në video.

Ora 20:31
Ndeshja e parë si titullar, emocionet e Tucit: E mora vesh vetëm para sfidës


Indrit Tuci, 24-vjeçari nga Lezha foli pas fitores së Kombëtares 0-1 në Gjeorgji. Lezhjani debutoi nga minuta e parë dhe asistoi për Asllanin. Ai tregoi emocionet pas ndeshjes.

“Ishte ndeshje shumë e luftuar, sakrificë e madhe por në fund ia dolëm. Bravo çunave dhe stafit.

Trajneri më dha besim para ndeshjes, më tha që do luaja. Përgatita mirë veten, isha vendosur të jepja 100%, desh Zoti fituam, shkoi mirë. Kjo është e rëndësishme, nuk ka rëndësi kush shënon apo asiston.

Nuk kemi pasur shumë stërvitje, bëmë 4 orë rrugë me avion, ishte e vështirë që në stërvitje të kuptoja nëse isha në formacion apo jo. Pak para ndeshjes e mësova që isha në formacion dhe desh Zoti shkoi mirë gjithçka.

Ndjehem i plotësuar se ishte lloji i lojës, se është ndeshje si me Çekinë ku duhet të luash më shumë me topin, sot duhej shumë sakrificë për të fituar. Më vjen shumë mirë që shërbeva për Asllanin dhe ai goditi shumë mirë se i ka të vetat.

Konkurrenca është e jashtëzakonshme, në Kombëtare mbështesim njëri-tjetrin, kur luan njëri mirë apo tjetri. Në aspektin personal dhashë më të mirën, pastaj është në dorë të trajnerit dhe ai vendos për gjithçka. Unë jam i gatshëm të jap 100%.

Pak para ndeshjes e kishim përgatitur që do luanim me tre mbrojtës, ata luajtën me 2 dhe ishte pak surprizuese. Trajneri më tha të mbaj topin dhe t’i jap frymë, se duhet një pikë që mbështetet larg, luftova që t’i jap ekipit frymë që ata ta marrin veten sa më shpejt”, tha Tuci për “SuperSport” pas ndeshjes.

Ora 20:28
'Prita zgjuar deri në orën 2', Asllani: Sot ekipi tregoi karakter

1728927964_kombetarjaok.jpg
Kristjan Asllani, autori i golit të vetëm në fitoren 0-1 të Shqipërisë kundër Gjeorgjisë foli pas ndeshjes.

"Prita zgjuar deri në orën 2 që të uroja vëllain. U zgjova në mëngjes dhe i thashë Fatosit që të ma bënte një bluze urimi, sepse nuk i dihej. Sot ishte një ndeshje e vështirë. E dinim që ata do të luanin kështu. Por me karakter fituam.

Mbrojtëm të gjithë. Nuk ishte një ndeshje çlirimi. E dimë që kemi marrë kritika pas humbjes me Çekinë, por nuk duhet të mendojmë se çfarë thotë të tjerët. Kur ekipet mbyllen shumë nuk i prek shumë topa mbrapa linjës.

Kështu që zbres unë poshtë, sepse nuk rri dot pa prekur top në lojë. Tuci më dha një super top dhe më pas shkoi brenda (në rrjetë). Unë kur hyj në fushë, hyj për të fituar. Sot kemi qenë skuadër, jemi mbrojtur shumë mirë. Ishte vërtetë shumë e vështirë në këtë stadium plot me tifozë. Ishte një Shqipëri me karakter", tha ai.

Ora 20:22
Kapiteni Ardian Ismajli: Sot ishte dita më e lumtur e jetës time

1728831933_ardianismajli.JPG
Ardian Ismajli, kapiteni i Kombëtares kuqezi kundër Gjeorgjisë foli pas tri pikëve.

"Kemi pasur gjithmonë besim, kemi ardhur vetëm për tri pikë. Besoj që e kemi meritur plotësisht këtë fitore, ky rezultat na shtyn dhe na jep motiv për dy ndeshjet e nëntorit që për ne janë si finale dhe i kemi para tifozëve tanë që nuk na lënë vetëm. Është dita më e lumtur e jetës time, të mbaj shiritin e kapitenit për kombëtaren e Shqipërisë, duke përfaqësuar të gjithë shqiptarët”, përfundoi ai.

Ora 20:17
NOTAT/ Asllani më i miri, Ismajli dhe Strakosha në krye të detyrës! 'Çalon' Ramadani


Pas fitores 0-1 në Gjeorgji, kanë dalë edhe notat e Kombëtares. Më i miri në fushë padyshim Kristjan Asllani, autori i golit me notën 8.4 dhe më pas kapiteni Ismajli e Strakosha. Mario Mitaj, Balliu, Ajeti dhe Tuci me një super paraqitje. Ndërkohë që notë e ulët për Ramadanin.

Ora 20:11
'Edhe 100 Leo'! Shënoi për Kombëtaren, kujt ia dedikoi golin Asllani


Kristjan Asllani me supergolin e tij i dha tri pikë Kombëtares në Gjeorgji. Pas golit, Asllani shpalosi fanellën që kishte veshur poshtë ku ishte dedikimi për ditëlindjen e të vëllait, Leonardos. "Edhe 100 Leo", shkruhet në bluzë.

Ora 17:45
Ervin Bulku para ndeshjes: Kemi menduar manovrën për sukses, asgjë rastësisë


Ndihmëstrajneri i Kombëtares, Ervin Bulku foli para ndeshjes Gjeorgji - Shqipëria e cila zhvillohet sot në 18:00 në Tbilisi.

"Formacioni dhe skema? Varet nga kundërshtarët që ke përballë, ka kundërshtarë që nuk të lejojnë të dalësh lart. Nuk kërkon trajneri apo lojtarët kanë frikë, gjithçka varet nga kundërshtari që ke përballë.

Lojtarët dhe tre ndërrimet? Nuk ka justifikim, të gjithë që veshin fanellën duhet të japin maksimumin. Për ne të gjithë janë të njëjtë, pastaj diferencën e bëjnë ato me kualitetin në fushë. 

Rivalët? Ne e njohim shumë mirë kundërshtarin dhe ato na njohin. Kemi menduar një manovër, stafi studion dhe nuk ia lë rastësisë por duhet parë dhe kundërshtari.  Duke parë dhe ndeshjet që janë shpejt, karakteristikat e ndryshme të Tucit dhe Dakut, edhe Daku ka bërë shumë mirë por kjo është një zgjedhje e trajnerit për ndeshjen sot”, u shpreh Bulku për TV Klan.

Ora 16:51
FORMACIONET ZYRTARE/ Hysaj në stol dhe Ismajli kapiten, Tuci i merr vendin Dakun! Sylvinho tre ndryshime

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 18:00 kundër Gjeorgjisë në Tbilisi sfidë e vlefshme për Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Sylvinho dhe Willy Sagnol kanë zbardhur formacionet. Nga ndeshja e fundit, e humbur 2-0 kundër Çekisë, Sylvinho ka bërë tre ndryshime. Në stol Hysaj, Kumbulla dhe Daku, ndërsa në fushë Balliu, Ajeti dhe Tuci.

Gjeorgjia (4-1-4-1): Mamardashvili, Kakabadze, Dvali, Kashia, Lokoshvili, Kiteishvili, Zivzivadze, Davitashvili, Çakvetadze, Kvaratskhelia, Mikautadze Trajner: Willy Sagnol

Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha; Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj; Ramadani, Asllani; Asani, Bajrami, Laçi; Tuci Trajner: Sylvinho

Ora 16:47
VIDEO/ Fetai me numrin 7, pamje nga dhoma e zhveshjes së Kombëtares në Tbilisi


Përpara ndeshjes në Gjeorgji kanë dalë edhe pamje nga dhoma e zhveshjes së Kombëtares kuqezi. E bardha do jetë edhe këtë herë uniforma e ekipit, ndërsa Feta Fetai që ka numrin 7 mbi fanellë.

 

Ora 16:31
Incident në Gjeorgji, ultrasit vendas sulmojnë tifozët e kombëtares shqiptare! I plagosuri në spital

Tifozët shqiptarë që ndodhen në Gjeorgji për të ndjekur nga afër ndeshjen e kombëtares, raportohet se janë sulmuar dje (e dielë) nga tifozeria vendase dhe njëri prej tyre ka përfunduar në spital për ndihmë të specializuar.

Sipas gazetarit Erion Todhe që ndodhet në Tbilisi, ultrasit vendas të Gjeorgjisë, kanë goditur një tifoz të Shqipërisë, teksa “Tifozat Kuq e Zi”, kanë kërkuar që policia t’i shoqërojë drejt stadiumit.

“Priten rreth 500 ose pak më shumë tifozë të Shqipërisë. Kanë ardhur tifozë nga vende të ndryshme të Europës. Ka pasur edhe një incident dje. Një tifoz i Shqipërisë, kam mësuar se është goditur nga ultrasit vendas. Grupimi TKZ, ka kërkuar mbështetjen e policisë vendase, për tu shoqëruar drejt stadiumit. Kjo është për shkak të ngjarjeve të ndodhura në Tiranë, ku mesa duket janë goditur edhe tifozë të Gjeorgjisë, pas fitores së tyre. Shpresojmë që të mos ketë ngjarje të tilla më vonë”, tha ai. Ndërkohë mësohet se një nga të lënduarit ka përfunduar në spital për ndihmën e parë.

Ndeshja e Ligës së Kombeve, Gjeorgji - Shqipëri luhet sot në orën 18:00.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • shqipo: 14/10/2024 21:21

    Shyqyr që korigjuat në pjesën e dytë dhe mbrojtët tek vija 16/es dhe jo si pjesën e parë që e prisnit brenda saj dhe vetëm për paaftësinë e gjeorgjianëve nuk u bë goli,se donin me ça brënda në zonë pa kuptim ,se për ne ia kishim lënë hpësirën të lirë të gjunin si të donin. Nuk e di ,a nuk keni kode gjatë lojës kur duhet me ndryshu për mënyrën taktike ,se trajneri duhet tiu a kishte kërku që në pjesën e parë.,apo duhet të ngrejmë zërin ne që ai të reagojë..!? Një fitore me dhimbje,me pak fat dhe si gjithmonë nga veprime të veçanta individuale të dy lojtarëve Bajrami e Asllani. Bajramin bëtë mirë që e zëvendësut se u lodh dhe si komandonte më këmbët,as me e shty topin dhe Hoxha do të bënte shumë më mirë se Seferi që lëviz kot në fushë,sepse në vend që ta shtynte topin përpara apo të pasonte thjesht pa e tepruar në mbajtje apo ta kthente mbrapa,në rastet kur kishte topin dhe ishte në avantazh mbi kundërshtarin. Duhej të dilte Asani,sepse ka gabuar shume në rastet kur mund të pasonte dhe të rrezikonte portën kundërshtare,përkundrazi ka bërë të njëjtat lëvizje të lexueshme për të liruar këmbën e majtë dhe është bllokuar gjithmonë,që tregon se është individualist dhe s'lexon lojën,të shoh pozicionin e shokëve. Gabim taktik i pakorigjueshëm nga trajneri që sjell rrezik permanent në portën tonë,kthimi topit te poetoeri edhe kur s'duhet,që tregon pasigurinë e mbeojtësve ,aq më tepër kur bëhet fkalë për një poetier si Strakosha që nuk di ti bieri topin dhe nuk mznd të jetë ai 'mesfushori' skuadrës që të shpërndaj topat dhe sot dhe pak do të na ndëshkonte,po shyqyr që 'i shleu' gabimet në këtë drejtim me nja dy pritje që ishin gola të sigurtë.Dhe Ramadani është shumë i lodhur dhe nuk i shohin sytë më dhe vetëm sa përplaset kot.Tuçi nuk i bëri prwsion asnjëherë poetierit se rrinte larg dhe nuk fitoi asnjë dyluftim.Mbrojtja në përgjithsi ishte pozicionu mirë pa Hysaj dhe pa Kumbullën,paçka se Mitaj duhet të dublohet shpejt kur ai ka dal përpara dhe në fakt ky nuk duhet ta teprojë me mbajtjen e topit. Po thonë se luajtëm shumë më mirë se Gjeorgjia dhe se kjo ishte një fitore historike. Ky ështtë populuzëm folklorik në futbollin tonë,që na dëmton shumë.Fituam një ndeshje,një bwtejë,por duhet të jemi me këmbë në tokë,më parë duhet të krijojmë identitet në futboll,të kemi futboll dhe rezultate të qëndrueshme,pra të qëndrojmë me këmbë në tokë,përpara se të marrim superxhiro e të festojmë.Sepse kjo na dëmton nessër,kur edhe pse fituam në një ndeshje,duhet të jemi kritik ndaj performancës sonë për të përmirsuar çdo difekt e gabim në të ardhmen. Uroj që rë fitohen të dy ndeshjet e fundit në Tiranë,por unë i trembem pikërisht euforisë.Prandaj a do jeni në gjendje t'ja u hiqni tifozëve shqiptar këtë ankth ,duke u përmirsuar dhe të na bindni jo vetëm me ndeshje 'fati',por edhe me sigurinë se nuk ndjeheni inferior por se duhet të futeni në fushë vetëm për të fituar..!, E pra këtë kemi nevojë ne ,të ndryshoni mentalitet dhe të hyni në fushë vetëm për rë fituar,atë që ju bëtë dhe sot. Suksese!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

3 muaj në qelinë 6 në Fier, Salianji reagon për mandarinat me pesticide: Vidhen fondet e BE, fermeri në mëshirë të fatit

3 muaj në qelinë 6 në Fier, Salianji reagon për mandarinat me pesticide: Vidhen fondet e BE, fermeri në mëshirë të fatit