Kombëtarja shqiptare U-21 po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve për një tjetër aventurë të rëndësishme ndërkombëtare. Trajneri Alban Bushi ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për pjesëmarrjen në Lojërat MesdhetareTaranto 2026”, që do të zhvillohen në Itali nga 21 gushti deri më 3 shtator.

Tanët janë shortuar në Grupin B me rivalë si Italia, Kosova dhe Algjeria. Kuqezinjtë do ta nisin rrugëtimin më 22 gusht kundër Italisë në Lecce.

Pas publikimit të listës, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka folur për fshf.org për pritshmëritë, objektivat dhe rëndësinë e këtij turneu për një grup të ri futbollistësh kuqezi.

“Jemi shumë të motivuar që Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare. Për ne nuk është thjesht një turne, por një mundësi për të treguar karakterin, personalitetin dhe mentalitetin e futbollit shqiptar. E dimë që grupi është shumë i fortë, Italia, Kosova dhe Algjeria. I respektojmë shumë këto skuadra, por do të shkojmë atje jo thjesht për të qenë pjesëmarrës, por për t’i konkurruar ato.

Objektivi ynë është që të kualifikohemi. E dimë që është e vështirë, por futbolli nuk fitohet vetëm me emra dhe histori, por me organizim, besim dhe mbi gjithçka për të luftuar për çdo top. Lista është pothuajse krejt e re. Është një listë me lojtarë të datëlindjeve shumë të vogla, 2006, 2007 dhe 2008 që do të jenë sezonin tjetër me ekipin Shpresa. Edhe për ata është një mundësi e mirë për të treguar vlerat e tyre dhe për t’u matur me futbollin evropian. Pavarësisht se nuk janë në gjendje optimale sepse kampionati i Kategorisë së Parë nuk ka filluar akoma, po unë mendoj që do të jetë një performancë shumë e mirë”, tha Bushi.

Trajneri i Kombëtares U-21 vlerësoi gjithashtu sfidën e parë ndaj Italisë dhe kohën e shkurtër në dispozicion për përgatitjen e skuadrës. Bushi thekson se stafi teknik do të punojë për t’u përcjellë futbollistëve idetë dhe strategjitë e nevojshme për përballjen me një prej kundërshtarëve më të fortë të grupit.

“Koha në dispozicion është shumë e vogël. Sot është e mërkurë dhe ne do të luajmë të shtunën me Italinë në orën 21:00. Do të mundohemi dhe ne si staf për të dhënë idetë dhe strategjitë tona se si do të luajmë ndaj Italisë. Për ne çdo ndeshje do të jetë si një finale. Duhet të jemi shumë dinjitoz në performancën tonë dhe kemi shumë dëshirë që ta fitojmë këtë turne”, tha Alban Bushi.

Pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë nga ekipe të Superligës dhe Kategorisë së Parë, ndërsa në grup janë edhe futbollistë të angazhuar në akademi dhe ekipe të kampionateve evropiane, përfshirë Holandën, Greqinë dhe Italinë.

Në repartin e portës janë grumbulluar Skander Tahri dhe Amarildo Dervishaj, ndërsa mbrojtja përfaqësohet nga Arlind Leshi, Antonis Dama, Aurel Marku, Rajmond Marinaj, Kevi Mejdani, Renato Halili dhe Valentin Daja.

Në mesfushë bëjnë pjesë Ersi Bode, Bjorni Duka, Oresti Kasmollari, Orgito Ruçi dhe Jordi Jaku, ndërsa alternativat në krahët e sulmit janë Hetem Lushaj, Kristi Bespallov, Emiljano Mihana dhe Nebi Qokthi.

Lista e Kombëtares U-21 për 'Taranto 2026'