Kometa “Halley” dhe
armët (tona) kimike

Kometa “Halley” dhe<br />armët (tona) kimike
Në periudhën e fundit të regjimit komunist propaganda zyrtare lejoi dhe nxiti lajme që lidheshin me kometën “Halley” dhe pritshmëritë e përplasjes së saj në tokë. Kushdo që e ka jetuar atë kohë e di se propaganda informative krijoi një klimë tensioni dhe frike, tipike për regjime të mbyllura, ku mungesa e informacionit publik ose dominimi i të dhënave të porositura mbi ato reale lexohen si kapitullim pa kushte, dorëzim para faktit të kryer dhe mbijetesë vetëm në mëshirën e fatit. Kometa erdhi, iku dhe askush nuk pa ndonjë pasojë negative të saj. Gjatë tranzicionit jemi ndeshur shpesh në të njëjtën gjendje: krijimi i një paniku gati kolektiv, frikë nga e nesërmja e panjohur dhe në fund, një zhvillim normal, pa surpriza dhe pasoja.

Një vit më parë mbi 60 mijë shtetas (të mbështetur nga e majta në opozitë) nënshkruan kërkesën për referendum popullor pikërisht në valën e një paniku që shkaktoi vendimi selektiv dhe jotransparent i qeverisë për importimin e plehrave nga jashtë. Firmat u provuan nga KQZ, nisma mori miratim nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti shpalli referendumin dhe në prag të votimit, qeveria e re anuloi objektin e tij, pra zhvleftësoi gjithçka dhe dëshmuar, se vullneti politik mjafton për të zgjidhur problematika dhe shqetësime me mbështetje qytetare. Iniciatorët e referendumit mbështetën qeverinë e re, e barazuan referendumin me një VKM dhe harruan dy detaje me rëndësi: ata nuk u konsultuan me 60 mijë firmat, nuk i pyetën ata nëse duan votim apo duartrokitje për qeverinë e re, dhe e dyta, se një VKM ashtu sic miratohet, ashtu edhe anulohet! Dhe vetëm 45 ditë më pas ka nisur një betejë e re midis të njëjtëve aktorë: qeveria që është pranë lejimit të miratimit të projektit të OKB për shkatërrimin në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë, si dhe ambientalistëve, të cilët, u rizgjuan dhe zbuluan se asnjë nuk ka ndryshuar në nismën e tyre të braktisur referendare, përkundrazi.

Debati mbi armët kimike mbart plot nonsense. E para, publiku u informua nga media perëndimore, ruse dhe arabe dhe jo nga qeveria shqiptare. E dyta, asnjë institucion përgjegjës ende nuk ka folur, nuk ka informuar dhe nuk ka përmbushur detyrimin kushtetues për transparencë publike. E treta, paniku i kometës Halley u përsërit, duke e kthyer debatin mbi armët kimike, si një betejë midis jetës a vdekjes. Shqiptarët zbuluan rrjetet sociale dhe me një “like” menduan se zgjidhën problemet e tyre, por në rrugë, në protestë dolën shumë pak, dhe ata, jo për të njëjtat motive. Debatet pro e kundër refuzuan standardin e një debat profesional dhe një shoqërie të kulturuar: respektin për mendimin e tjetrit, fjalën e specialistëve të fushës, informimin e detajuar publik dhe gjykimin mbi bazën e informacionit. Informim nuk ka ndaj ku mungon informacioni, gjithnjë ka sukses dezinformimi, logjika e turmës që tenton të marrë gjithçka përpara, pa pranuar dhe as respektuar asgjë. Ndaj kushdo që kërkoi transparencë dhe logjikë në analizë u etiketua, u fye, u denigrua a thua se bëhej fjalë për disa që duan të sulmojnë Shqipërinë me armë kimike dhe jo për zëra të arsyeshëm që kërkojnë përgjegjshmëri nga institucionet dhe publiku.

Shqipëria ka pasur dhe ka lëndë kimike, ka bërë dhe vijon të bëjë shkatërrime të tyre dhe në shumicën e rasteve, e ka bërë këtë përmes ekipeve të huaja, kryesisht zvicerane, suedeze apo gjermane. Ky “detaj” harrohet dhe krijohet përshtypja e gabuar se përfshirja në nismën për shkatërrimin e armëve kimike do të thotë fatalitet, dorëzim pa kushte, kthimin e jetës në një ferr masiv, etj, etj, tregues të një shoqërie të mbyllur, të painformuar dhe të paaftë të përballet me sfidat e kohës. Protesta në çdo rast është pozitive, reagimi civil është pozitiv, skepticizmi është tipari më normal në raste të tilla, kërkesa për llogaridhënie është demokratike, por injorimi i tyre dhe kalimi në hapin ekstrem, - refuzimin en bloc duke shigjetuar me tone armiqësore shtete, organizata dhe vende aleate me rëndësi historike për shqiptarët dhe Shqipërinë, - flet për keqkuptime dhe probleme të mëdha në kulturën politike. Në raste të tilla, në vendet me demokraci normale grupet e djathta kanë prioriate sigurinë dhe janë pro një roli aktiv në këtë fushë, të majtët kanë ambientin dhe I japin asaj prioritet. Tek ne të majtë e të djathtë zyrtarisht heshtin,të gatshëm të pranojnë në momentin e fundit çdo kërkesë nga jashtë, kurse jozyrtarisht gjen eksponentë të dy palëve të bëjnë të kundërtën e identiteteve të tyre politike, të djathtë pro ambientalistëve dhe anti-globalistëve, të majtë pro sigurisë dhe interesave madhore kombëtare, gjë që flet edhe kjo për probleme të mëdha jo vetëm në kulturën politike, por edhe në cilësinë e përfaqësimit politik.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, anëtare e OKB-së, anëtare e KE-së, dhe krahas përfitimeve, ka edhe detyrime. Ne vazhdimisht tregojmë se jemi të gatshëm për përfitimet, jo për përgjegjësitë. Shqipëria ka President, ka parlament, ka qeveri, ka mazhorancë, ka opozitë dhe ato kanë gjithë sovranitetin e deleguar për të marrë vendime sovrane. Ne i injorojmë, i tejkalojmë dhe kërkojmë fajin tek të tjerët, kryesisht tek ata që në çdo moment deciziv historik, kanë qenë në anën tonë. Shqipëria ka ligje, ka rregulla, ka ushtri, ka gjykata, ka shërbim sekret, ka të drejtë referendumi, por ne i tejkalojmë dhe sillemi si fëmija që në inat rrëzon sofrën e mbushur. Shqipëria nuk ka kapacitete teknike e financiare për shkatërrime të armëve, nuk ka impiante të sigurta, nuk ka organe sigurie të forta, nuk ka bindjen se mund t’ia dalë vetë, ndaj si për armët kimike, ashtu edhe për probleme të tjera të brendshme, gjithnjë ka kërkuar dhe kërkon ndihmë nga jashtë. Në këtë rast ndihma e huaj është jo e kërkuar, por e vet-ofruar, madje e imponuar. Shqipëria ka miratuar rezolutë mbi Sirinë, ka dënuar ashpër sulmet atje, ka bërë dhjetëra deklarate mbështetëse për një rol më aktiv ndërkombëtar dhe ditën që i kërkohet edhe asaj një rol përveç fjalëve në letër, mbytet në një pikë uji, nuk flet, nuk reagon, nuk bind, nuk di çfarë vendimi të marrë.

A kemi pranuar ne përgjegjësi me hyrjen në NATO? A kemi pranuar të jemi në anën perëndimore në raport me Sirinë? A kemi dashur vetë të kemi një rol aktiv për paqen në botë? A kemi trupa ushtarake në Irak, Afganistan, deri edhe në Çad ku pakkush e di se çfarë lidhje kemi ne me të? A duam të jemi diçka më shumë sesa një shtet që krijohet kryesisht prej të huajve, mbijeton prej rastësive dhe brenda tij ka një klasë politike me tipare korruptive dhe oligarkie? Përse nuk  reaguam ne kur qeveria tjetër vendosi ta bëjë vendin tonë strehë politike të grupeve ujgurë dhe muxhahedinë, dy kategori ekstremiste fundamentaliste dhe me pasoja për sigurinë dhe marrëdhëniet tona me të tretët? Përse kemi lejuar të kemi shkatërrime armësh kimike dy herë gjatë dekadës së fundit vetëm 15-20 km larg Tiranës metropol? Përse nuk dënuam ne fajtorët e Gërdecit, nuk mblodhëm firma kundër tyre, siç po tregojmë zell të “dënojmë” sot paraprakisht SHBA, NATO-n apo vende të tjera partnere strategjike?

A nuk jemi ne “sovranë” për të marrë vetë vendime? A kemi ne një mekanizëm konsultativ popullor (referendum) dhe kur mund ta vendosim atë në përdorim? A nuk do ishte më produktive të bënim presion mbi qeverinë tonë të na informojë, të dimë të vërtetën, të dëgjojmë prej saj anët pozitive dhe risqet dhe më pas, të krijojmë një opinion tonin, pro e kundër? Rrugëzgjidhje të arsyeshme ka pasur dhe ka shumë, ne ende nuk po i kërkojmë me argumentin, formën dhe mekanizmin e duhur moral, politik e kushtetues. Jo vetëm për “armikun” e radhës që kemi zbuluar, - armët kimike! Por për shumë “armiq” të tjerë që i kemi në mesin tonë, korrupsionin, keqqeverisjen, talljen me ligjin, oligarkinë që sundon, pazaret me votën, abuzimin me pronat publike, tregtimin e interesave kombëtare, etj, etj. Të cilat, nuk janë si komenta Halley apo kimiket e Sirisë, - i kemi “armë kimike” në mesin tonë, i shohim çdo ditë, i prekim, na helmojnë, na kërcënojnë dhe na revoltojnë, i mbajmë gjallë dhe na kthehen ashtu siç janë, helmi dhe kundërshtari më i madh i progresit, shëndetit dhe suksesit në familjet tona, në shoqëri dhe në shtet.
 
Shkrimi u publikua sot (13.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Doçi në ‘Repolitix’: Shkëlzeni sekser, mori 700 mijë euro nga biznesmenët se i favorizoi te Berisha! 400 mijë euro fatura fiktive të Argitës

Doçi në ‘Repolitix’: Shkëlzeni sekser, mori 700 mijë euro nga biznesmenët se i favorizoi te Berisha! 400 mijë euro fatura fiktive të Argitës