Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur deklaratën e Komisionit Evropian për protestat në Shqipëri, duke vënë theksin te dënimi i zjarrvënieve, sulmeve ndaj institucioneve dhe shkatërrimit të pronës publike e private.
“Mesazh i qartë nga Brukseli. Dhuna nuk ka vend në demokraci!”, shkruan Balla në një postim në Facebook, ku e cilëson qëndrimin e Komisionit Evropian si një mesazh kundër dhunës gjatë protestave.
"Komisioni Europian dënon fuqimisht zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë protestave në Shqipëri. Shqipëria po bën përparim të rëndësishëm drejt BE-së dhe kjo rrugë kërkon dialog, përgjegjësi dhe respektim të ligjit, jo dhunë e shkatërrim. Brukseli mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për garantimin e së drejtës së protestës, duke kërkuar reagim ligjor dhe proporcional ndaj dhunës. Protesta është e drejtë. Dhuna nuk është instrument politik!" thuhet në deklaratën e cituar nga Balla.
Deklarata e Komisionit Evropian dënon përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, por thekson njëkohësisht se reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe të jetë proporcional. Brukseli kërkon që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi të rregullt ligjor dhe kujton se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhen respektuar.
Lajmi kryesor:
Protestat/ BE dënon ashpër dhunën: Nuk ka vend në demokraci, dhunuesit të dalin para ligjit! Qeveria të garantojë të drejtën e tubimit







