Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2022 do të jetë vetëm 2.7%. Pritshmëritë i ka ulur në raportin e pranverës Komisioni Europian, i cili në raportin e kaluar thoshte se rritja do të jetë 3.7% . Sipas KE Shqipëria mund të përballet me mbingarkesa në borxhin publik për shkak të subvencioneve të energjisë, ndërsa do të jetë e detyruar të ulë shpenzimet publike për investime.
“Për vitin 2022 dhe 2023 rritja në Shqipëri pritet të jetë përkatësisht 2.7% dhe 3.1%, e ndikuar kryesisht nga ndikimi i pushtimit rus të Ukrainës, edhe pse vetëm në mënyrë indirekte pasi Shqipëria ka pak ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj të dy vendeve. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë ka shtyrë qeverinë të ofrojë mbështetje shtesë për familjet dhe NVM-të, dhe këto masa do të shtyjnë për në vitin 2023 një përmirësim domethënëse në financat e qeverisë”, thuhet në raport.
![]()
Duhet theksuar se jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë Evropën Komisioni Evropian ka parashikime më pesimiste për shkak të ndikimeve dhe pasojave që po sjell lufta në çmimet e energjisë dhe në inflacion.
Në raport thuhet gjithashtu se pas rimëkëmbjes së fortë të shumicës së komponentëve në vitin 2021, pritjet për një kthim në normën mesatare historike mbi 3% të rritjes janë dobësuar nga ndikimi i luftës në partnerët kryesorë tregtarë të BE-së, zinxhirët e furnizimit dhe çmimet e mallrave. Pasiguria për efektin ekonomik të këtyre ndërprerjeve, krahas shtrëngimit të mundshëm të kushteve të financimit, pritet të frenojë rritjen e konsumit dhe investimeve private.
Komisioni paralajmëron se kjo perspektivë është subjekt i rreziqeve negative, kryesisht të lidhura me ndikimin e një rritjeje të qëndrueshme të çmimit të energjisë, shoqëruar me prodhimin e ulët të hidrocentraleve vendase për shkak të reshjeve të pamjaftueshme, siç shihet tashmë në tremujorin e parë 2022. Në këtë rast, fatura e importit të energjisë elektrike në Shqipëri do të rritet ndjeshëm dhe, përveç zgjerimit të deficitit tregtar, mund të mbingarkojë buxhetin publik, i cili deri më tani ka mbuluar hendekun midis çmimeve të larta të importit të jashtëm dhe çmimeve të rregulluara të brendshme për familjet dhe SME-të.
Komisioni parashikon se financat publike të vendit do të mbeten nën presion. “Si rrjedhojë e rritjes së lartë të PBB-së dhe investimeve publike më të ulëta se sa ishin planifikuar, raporti i deficitit publik dhe i borxhit rezultoi 2 pikë përqindje më pak se sa pritej në vitin 2021, pavarësisht një emetimi të eurobondit për parafinancimin e bilancit buxhetor të vitit 2022. Kostoja e lartë e subvencioneve dhe rritja e mbështetjes sociale që pritet për vitin 2022 do të vonojë një ulje të konsiderueshme të deficitit, në 2.7% të PBB-së, deri në vitin 2023, kur raporti i borxhit parashikohet të ulet në 70.9% të PBB-së.

