Komisioni Evropian ka reaguar për Report tv pas sulmeve të Sali Berishës ndaj ambasadorit Silvio Gonzato për miratimin e projektligjit të shumë debatuar “Për Barazinë Gjinore”.
Një zëdhënës i KE-së, i tha Report tv se Brukseli e mirëpret miratimin e këtij projekt-ligji që vjen pas rekomandimit të KE-së në Raportin Vjetor për Shqipërinë.
Në reagim theksohet se miratimi i këtij ligji nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, madje është një hap mjaft i rëndësishëm drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Përafrimi me acquis të BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin të gjitha vendet kandidate duhet ta sigurojnë. Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, por është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në BE.
Siç u theksua edhe nga Komisionerja Kos në postimin e saj në rrjetet sociale dje, “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të BE-së”. Këto janë vlera themelore të BE-së dhe të drejta themelore. Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar mbrëmë.
Kjo vjen pas rekomandimit në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2025, i cili i bëri thirrje Shqipërisë të sigurojë një nivel të lartë ambicieje dhe është në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane për këtë ligj.
Kjo është një tjetër shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE.”-tha për Report Tv një Zëdhënës i Komisionit Evropian.
Mes debateve të shumta dhe protestave, Kuvendi miratoi dje me 77 vota pro të mazhorancës projektligjin e shumëdebatuar "Për barazinë gjinore". Kundër votuan 36 deputetë të opozitës, të cilët e kanë kritikuar ligjin ashpër duke thënë se qëllimi është shkatërrimi i familjes.
Kreu i PD, Sali Berisha sulmoi ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. E nisi para se të hynte paradite në Kuvend, i cili, teksa shprehu kundërshti për projektligjin, shënjestroi edhe diplomatin, duke thënë se nuk mund t’i imponojë shoqërisë bindjen e tij personale.
Komente












