Salianji: Policët u kanë shitur të dhënat e TIMS grupeve kriminale që të planifikonin atentatet ndaj kundërshtarëve! PS e opozita me dy raporte

TIRANË - Me dy raporte të ndryshme kanë dalë opozita dhe mazhoranca pas punës 4 mujore në komisionin hetimor të TIMS. Në mbledhjen e fundit të komisionit, kryetari Ervin Salianji ka hedhur akuza të rënda ndërsa thotë se policët u kanë shitur të dhënat e sistemit TIMS grupeve kriminale, ndërsa këta të fundit kontrollonin lëvizjet e kundërshtarëve dhe kanë planifikuar atentate. 

"Nga hetimet e kryera nga agjencitë ligjzbatuese dhe veçanërisht Prokuroria e Posaçme është konstatuar se punonjës të policisë së shtetit apo struktura të tjera ligjzbatuese që e kanë për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave të sistemit TIMS, i kanë vënë atë në dispozicion grupeve kriminale kundrejt përfitimeve monetare.

Këto grupe kriminale i kanë përdorur këto të dhëna për tu informuar në lidhje me hyrjet e daljet e kundërshtarëve të tyre nga vendi, urdhër-arreste, të ndalimit apo kërkimit nga agjencitë ligjzbatuese, deportimet apo edhe masat e tjera ndaluese nga shtetet e tjera.

Referuar raportit të SPAK për 2023-shin është vërejtur një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerë të policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtarë të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënia e informacionit për individë të ndryshëm dhe aktivitete të tjera në pengimin e drejtësisë.

Funksionarë të lartë të policisë së shtetit janë duke u përballur me disa akuza penale për këto çështje. duke pasur akses në informacione të klasifikuara dhe në të dhëna të sistemit TIMS ata ua kanë vënë në dispozicion grupeve të ndryshime kriminale apo personave me rekorde kriminale. Në shumë raste duke aksesuar të dhënat e sistemit TIMS, janë gjurmuar persona kundër të cilëve janë kryer atentate për eliminimin tyre fizik ose ka patur plane të kësaj natyre", tha Salianji. 

Ervin Salianji, në cilësinë e kryetarit deklaron se ka gati raportin përfundimtar, por ka hasur në kundërshtinë e nënkryetarit socialist Toni Gogu i cili paraqet një tjetër raport të hartuar nga 8 anëtarët e mazhorancës dhe eksperët e propozuar prej tyre.

Toni Gogu: Nëse raporti që ju keni përgatitur është ajo që ju keni thënë gjatë gjithë veprimtarisë së komisionit do jetë raporti i pakicës. Ne kemi një tjetër raport të përgatitur nga një grup tjetër ekspertësh. Nëse doni ti hedhim në votim vazhdojmë. Nëse doni të lexoni raportin tuaj, vazhdoni, por duhet të votohet për të qënë raport i komisionit.

Ervin Salianji: Kemi përgatitur një raport që është dinjitoz për komisionin. Nëse keni raport tjetër na e vendosni në dispozicion ta lexojmë
Xhemal Qefalia: Nëse e keni haruar raportin në emër të komisionit duhet tna i kishit vënë në dispozicion.

Opozita në raportin e saj sugjeron që Policia të marrë masa për një auditim ndërkombëtar të departamentit të IT në policinë e shtetit. 

Rekomandojmë që policia e shtetit të marrë masa për një auditim ndërkombëtar të departamentit të IT në policinë e shtetit dhe raporti ti vihet në dipozicion komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare.

Me qëllim adresimin e rekomandimeve, në Kuvendin e Shqipërisë të ngrihet një  grup I përbashkët pune me përfaqësues nga ky komision dhe komisioni i sigurisë kombëtare, përfaqësues ng aministria e brendshme, drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit, amp dhe partnerët ndërkombëtarë, I cili të konkludojë me ndryshimet ligjore që janë të nevojshme

Lajm ne perditesim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:14
‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

Deputeti Toni Gogu ka prezantuar sot raportin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit “TIMS”. Në dokumentin voluminoz shpjegohet në mënyrë analitike e gjithë metodologjia e ndjekur nga ekspertët sipas Planit Hetimor të miratuar paraprakisht. Po kështu vlerësohet nevoja për marrjen e masave administrative dhe ndryshimeve në legjislacionin përkatës. Nga hetimi parlamentar, komisioni arrin në konkluzionin e domosdoshmërisë për një rishikim të kuadrit ligjor.

Konkretisht në raport thuhet se nevojitet harmonizimi i ligjit Nr. 8792 datë 10.05.2001 “ Për krijimin e Qëndrës së Përpunimit të të Dhënave”; ligjit Nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar” dhe ligjit Nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar .

“Pas hetimit të plotë edhe të kryqëzuar të të gjitha provave të administruara, rezultuan qartazi problematikat në zbatimin e akteve ligjore edhe nënligjore. Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa me parë në formën e legjislacionit, i cili do t'i nënshtrohet shqyrtimit në parlament”, thuhet mes të tjerash në konkluzionet e raportit të këtij Komisioni Hetimor.

Në vijim të konkluzioneve të këtij hetimi, raporti thekson se “aktet nënligjore në fuqi për sistemin TIMS duhen rishikuar tërësisht për mbrojtjen e të dhënave për sistemin TIMS, ku të përfshihen në të gjitha nivelet kontrollet, si dhe të miratohen rregulla ku rregullohen kompetencat dhe llogaridhënie në çdo nivel”. 

Komisioni Hetimor konfirmon problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime, të cilat, jo të gjitha lidheshin me procedurën e ndjekur në kontrollet kufitare. Sipas raportit, këto problematika kërkojnë disa masa dhe konkretisht:

a- ndryshimin e ligjt 71/2016 “Për kontrollin kufitar”

b- nxjerrjen e akteve nënligjore për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit TIMS,

b- përzgjedhjen, rekrutimin, dhe kualifikimin e stafit që monitoron, mirëmban, edhe përditëson sistemin TIMS,

c- certifikimit e akreditimin AKSIK të programeve kompjuterike që mirëmbajnë edhe përditësojnë sistemin TIMS.

Komisioni rekomandon ndërtimin e një strategjie të shkruar operacionale e teknike në përputhje me konceptin e “Menaxhimit të integruar të kufirit”, midis autoriteteve përgjegjës, sipas parashikimeve të nenit 3 të ligjit 71/2016.

“Është thelbësore, që çdo organ i varësisë së ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, përgjegjës për kontrollet kufitare edhe sistemin TIMS, t'i nënshtrohet llogaridhënies së detajuar dhe masave mbrojtëse për mbrojtjen e të dhënave, në mënyrë përiodike. Të gjitha aktivitetet e përbashkëta të kontrollit kufitar, përfshirë edhe testimet e certifikimet e sistemeve TIMS të zbatuara në Shqipëri, duhet t'i nënshtrohen mbrojtjes efektive të të dhënave”, rekomandon Komisioni Hetimor.

Në vijim të këtij raporti, Komisioni Hetimor rekomandon gjithashtu  përcjelljen e ndryshimeve ligjore brenda 6 muajve nga miratimi i këtij raporti në Kuvend.

“Mirëpresim gjithashtu që në draft-propozim të jenë inkuadruar tërësisht sugjerimet e rekomandimet e dhëna në këtë raport”, thuhet në rekomandimet e dokumentit të Komisionit Hetimor. 

Komisioni hetimor për sistemin TIMS me marrjen e këtij raporti do të përgatisë dhe miratojë vendimin përfundimtar të hetimit, së bashku me mendimin e pakicës (nësë do të ketë).

“Konkluzionet e  këtij raporti që i përkasin hetimit, me provat që janë administruar e çojnë komisionin në këto konkluzione, si dhe propozime për zgjidhjen e çështjes, përfshirë edhe masat për përsonat përgjegjës”, thuhet në raportin e Komisionit Hetimor.

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat