Komisioni i Çështjeve Ligjore/ Sekretari i KLP: Duhet fond për sigurinë kibernetike! ILD: Kemi nevojë për para shtesë! Alibeaj: Këtu duhet të ishin kryetarët

Komisioni i Çështjeve Ligjore/ Sekretari i KLP: Duhet fond për sigurinë kibernetike! ILD: Kemi nevojë për para shtesë! Alibeaj: Këtu duhet të ishin kryetarët

Emis Çërava, gjatë raportimit në Komision

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat u mblodh sot më 11 Nëntor për të shqyrtuar dhe diskutuar projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”.

Ishte parashikuar seanca dëgjimore me institucionet e Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor, Shoqata për Autonominë Vendore dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.

Në rendin e parë të ditës raportoi Emis Çërava, Sekretari i Përgjithshëm i KLP-së dhe pas tij përfaqësuesja e ILD-së, Dhurata Pasko, ku u fol për nevojat financiare në buxhetin e ardhshëm. Pasko ngriti shqetësimin për shtesë fondesh, pasi ILD ka nevojë për dhomën e serverave, teksa deputetja Dhurata Çupi hodhi dyshime se këto mungesa në buxhetin e Drejtësisë mund të përdoren për fushatë elektorale..

Sekretari i KLP, Çërava, foli për nevojat e institucionit në buxhet, projektet, mbingarkesën e orëve, lëvizjet e prokurorëve dhe plotësimi i nevojave financiare, duke u shprehur se çfarë ishte kërkuar nga KLP ishte plotësuar nga Ministria e Financave, përveç pjesës së sigurisë kibernetike, ku kërkoi buxhet shtesë dhe plotësim të këtij zëri.

Pyetjes nëse ka projekt KLP për të ndihmuar prokurorët me buxhetin apo edhe me ngarkesat që kanë në ditë festash e pushimi kur ka masa sigurie, ai u përgjigj se Prokuroria e Përgjithshme mbulon pjesën e buxhetit, kurse ata shprehin vetëm shqetësimet dhe ia përcjellin PP-së.

“Për ngarkesën kemi një rregullore për orarin dhe punën. Ministria e Financave ka dhënë ato që kemi kërkuar, teksa kemi projektin e çështjes kibernetike dhe kërkohet që të mbulohet. Siguria kibernetike është pika ku kërkohet shtesë buxheti. Kemi hequr kufirin ligjor të 200 orëshin ne si Këshill, e hoqëm limitin duke parë ngarkesën dhe vetë Këshili mori vendimin. Pjesa tjetër është prapë kompetencë e PP-së, pjesa e pagesave”, tha ai.

Por deputeti i opozitës Enkeled Alibeaj u shpreh me kritika.

“Këtu duhet të ishte kryetari ose nënkryetari i KLP-së, do të ishte në respekt të institucionit tuaj dhe Kuvendit në një çështje të rëndësishme si buxheti të ishin të pranishëm dhe të shfaqnin shqetësimet. Si vlerësohen prokurorët dhe si mbulohen pagesat në bazë të ngarkesës. A mbulohen nevojat?”, tha Alibeaj.

Kurse Çërava u përgjigj:

“Ne kemi të bëjmë me hapjen e vendeve, rritjet në detyrë, transferimet e prokurorëve, kurse pjesa tjetër i përket Prokurorisë së Përgjithshme. Shqetësimi ynë kryesor ishte puna jashtë orarit dhe limiti 200 orë që ishte i parealizueshëm dhe që ne e hoqëm me vendim, pjesa tjetër i përket Prokurorit të Përgjithshme”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:28
Debate dhe akuza/ Çupi: Hyn një kryebashkiak në SPAK e del tjetri, 30 i di unë! Korrupsion në pushtetin lokal, vjedhje për vota! Mazniku: Reforma Territoriale dha rezultate

1731323338_cuipi.png

Durata Çupi dhe Enkeled Alibeaj gjatë mbledhjes së sotme në Komision

Pika e tretë e rendit për diskutim te Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën ishte përfaqësimi i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, Shoqata për Autonominë Vendore dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, në lidhje me buxhetin, por edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron përmes Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2”.

Nuk munguan debatet, pak pasi ministri Arbër Mazniku mbajti fjalën e tij në lidhje me grantin që jep qeveria zvicerane, me bashkëpunimin e Qeverisë, me qëllim për rritjen e performancës së bashkive.

Ishte deputetja e PD, Dhurata Çupi, e cila hodhi akuza për korrupsion dhe shpërdorim fondesh, duke theksuar se këto para do përdoren për fushatë elektorale dhe vjedhje të zgjedhjeve nga qeveria.

“Korrupsion i madh në pushtetin vendor. Është minuar besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtar. Ka abuzime nga administrata. 95% e prokurimeve publike në bashki që prokurohen me fond limit, është dëshpëruese dhe e papranueshme e të mos mbahet përgjegjësi. Kontrata të manipuluara, leje ndërtimi e zhvillimi urban klienteliste. Punësim personazh në bashki të pakualifikuar me shërbim ndaj partisë për të fituar zgjedhjet e mbajtur pushtetin me forcë. Kemi kontrata si qiratë e bashkive me qëllime preferenciale e çmime të ulëta. Dëgjesat dhe konsultimet me qytetarët nuk ekzistojnë. Kemi manipulim firmash të qytetarëve, u manipulohen firmat e opinionet për koncesione, HEC-e dhe investime të tjera. Kemi ndikim të qeverisë qendrore te ajo vendore dhe kjo është e papranueshme. Pushteti vendor është zgjatim i atij qendror.  Ka shpopullim të zonave rurale, 40 mijë dibrane janë larguar, sepse zonat rurale nuk përfitojnë dhe ka varfëri ekstreme, njerëzit largohen se nuk kanë shërbime publike”, tha Çupi.

Ajo e lidhi këtë abuzim nga njësitë vendore edhe me çështjet penale që kryebashkiakët e mazhorancës sipas saj kanë në SPAK.

“Kemi kryetare bashkish SPAK hyn njëri e del tjetri. 30 kryetarë i di unë që janë nën hetim. Pothuajse të gjithë janë nën hetim, për tendera, licenca, menaxhim fondesh, etj. Kemi edhe miliona të kryetarëve të bashkive që shpërdorohen me tendera. Këto të marrëveshjes me qeverinë zviceriane janë ca miliona të tjera, që do shkojnë në gropën e korrupsionit. Ju vetëm shtoni patronazhistët për zgjedhjet e radhës, një herë në dy vjet vendore, një herë në dy vjet qendrore. Me reformën territoriale nga 19 mijë punonjës është bërë 39 mijë, teksa ishte premtuar reforma dhe ulja. Qoftë buxheti, ashtu dhe marrëveshja me qeverinë zvicerane, është propagandë e qeverisë, do i merrni këto miliona t’i çoni për zgjedhjet e radhës”, akuzoi deputetja e PD.

Ministri Arbër Mazniku e mohoi aludimin e ligjvënëses, duke u shprehur teknikisht se reforma territoriale ka funksionuar dhe se kjo marrëveshje do i shërbente forcimit të qeverisjes vendore, bashkive.

“Buxheti për pushtetin vendor ka një rritje në krahasim me para reformës territoriale. Tregon fuqizimin e pushtetit vendor, si nga grantet që jep qeveria, ashtu dhe të ardhurat e pushtetit vendor, që janë rritur me 3,6 herë. Kjo tregon se bashkimi i bashkive ka funksionuar, duke pasur kapacitete më të larta se më parë. Ka një ndryshim me 35 për qind të këtyre fondeve me rritje. Të mos hyjmë në diskutime folklorike. Si rrjedhojë e rritjes së pagave që u bë në pushtetin vendor para ca muajsh, u rrit mundësia e kapaciteteve të bashkive për të thithur më shumë efektivitet dhe shërbime. Pra me 366 bashki njësi vendore do ishte e pamundur për t’u mbajtur, sesa me 61, që janë më efektive”, tha ndër të tjera ministri.

Ora 11:57
ILD për buxhetin: Duam 16,8 mln lekë shtesë, mungon dhoma e serverëve, s’plotësohen nevojat! Çupi-Financave: A do hidhen këto lekë për fushatë elektorale?

1731322334_komisioniiceshtjeveligjore.png

Nga mbledhja e sotme te Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat ka pasur sot rend ditë dëgjimin  për buxhetin e vitit 2025 me KLP dhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

Përfaqësuesja e ILD-së, Dëshira Pasko, raportoi dhe shprehu shqetësimet e institucionit në lidhje me buxhetin, ku kërkoi plotësimin në shumë zëra, pasi edhe për vitin e ardhshëm vuri në dukje se fondi është më pak nga ai i kërkuar dhe nuk plotësohen nevojat.

ILD do ketë 101 punonjës për vitin e ardhshëm dhe me një fond buxheti rreth 330 mln lekësh të akorduar sipas Ministrisë së Financave. Por gjithsesi sipas Paskos kjo shifër nuk mjafton.

“Duam shtese 168,6 mln lekë në buxhetin e ardhshëm. Edhe më 2024 kishim mangësi në këtë zë plotësonte 69% të nevojave të institucionit. Ka plotësim të ulët të kërkesave si zëri i investimeve. Kemi nevojë për ndërtimi i dhomave të serverëve. Godina e inspektor lart drejtësisë ka përfunduar ambientet. Duhet pajisjet për dhomat e serverëve, mbi bazën e standardeve të miratuara. Ishte dhe për 2024 por s’u zbatua, 18,2 mln lekë vlera. Po kështu salla e mbledhjeve. Kërkojmë rishikimin edhe një herë të kërkesave tona buxhetore pasi ka nevoja për disa zëra”, tha Pasko.

Kurse përfaqësuesja e opozitës, deputetja Dhurata Çupi theksoi problematikën se qeveria dhe Ministria e Financave nuk po plotëson asnjë nga kërkesat shtesë të institucioneve të drejtësisë.

“Na thoni a do i plotësoni apo jo këto kërkesa. Apo këto para që mungojnë do hidhen në fushata elektorale? E vumë re këtë problematikë edhe të premten, institucionet kanë kërkesa shtesë, a do i plotësoni, do e mbështesni institucionin e drejtësisë, po ose jo”, tha Çupi.

Kurse Alibeaj kritikoi edhe për ILD mungesën e kryetarit të institucionit, duke e quajtur “mungesë respekti” ndaj Komisionit dhe Kuvendit.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?