Ekonomia po rritet, por jo të gjithë sektorët po performojnë pozitivisht. Në gjashtëmujorin e parë të vitit ekonomia u zgjerua me 3.6%, me kontribut kryesisht të vetë shtetit, ndërsa bujqësia thelloi rënien.

Bujqësia që lidhet drejtpërdrejt me prodhimin, punësimin dhe ekonominë e familjeve shqiptare, ra me 2.29% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Ndërsa në krye të listës me rritjen më të madhe janë administrata publike prej rritjes së pagave, ndjekur nga taksat neto për shkak të rritjes së të ardhurave edhe prej çmimeve të larta, dhe në vend të tretë janë shitjet e pronave. Kurse turizmi që konsiderohet shtyllë kryesore për ekonominë vjen pas sektorit të pasurive të paluajtshme.

Ekspertët thanë në emisionin “Portofol” në Report Tv, që ky model ekonomik nuk gjeneron vërtet më shumë para për familjet shqiptare, pasi nuk bazohet në prodhim e konsum.

Sipas ekspertit të ekonomisë Eduart Gjokutaj, rritja ekonomike që vjen nga administrata publike, taksat neto dhe ndërtimi, ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e modelit aktual të zhvillimit.

“Gati 2/3 e kësaj rritje ekonomike vijnë nga administrata dhe nga ato që quhen taksat neto dhe natyrisht kjo na çon në një tjetër lloj qasje. Ekonomia jonë tashmë nuk ka thjesht problemin e volumit të asaj rritjes por ka problemin e cilësisë dhe të përbërjes së saj, thënë ndryshe arkitektura ekonomike duhet të kishte filluar të ndryshonte të zgjeronte bazën”, thotë Gjokutaj.

Në mungesë të prodhimit vendas edhe më i lartë bëhet ekspozimi nga importi. Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku thotë se brenda 5 vitesh bujqësia është tkurrur me deri 12%.

“Në pesë vitet e fundit kemi një rënie të bujqësisë me 11 deri 12%. Pra është një rënie shumë e madhe, mund ta quajmë dhe rënie të lirë dhe për këtë arsye po të shikosh edhe kontributin në GDP nga 21% kemi rënë në 15.4%. Po të shikosh trumbetojmë shumë bujqësi, por unë duhet të them me plot gojë, që ne po e bëhemi një vend importues. Pra në mungesë të prodhimit vendas, po ekspozohemi më shumë import”, shprehet Pilku.

Ndërsa Gjokutaj thekson se Shqipëria ka nevojë për një zgjerimin e bazës së prodhimit, në mënyrë që rritja të përkthehet në më shumë mundësi për qytetarët.

“Për arsye se perspektiva e ekonomisë në këtë formë që është, nuk garanton mbajtjen e fuqisë punëtore e cila në vetvete nuk e gjen më vetveten e saj në këtë lloj ekonomie”, thekson Gjokutaj.

Eksperti i bujqësisë Pilku thekson se problemet të cilat po shfaq bujqësia sot janë pasojë e mungesës së financimit por edhe për shkak se nuk kemi një model bujqësor për të ndjekur.

“Shqipëria dhe politika jonë bujqësore akoma nuk e ka gjetur vetveten në lidhje me modelin, çfarë modeli bujqësor ne duhet të bëjmë. Po të shikosh për të gjitha aktivitetet, pavarësisht se jemi një vend super potencial, Shqipëria ka më pak blegtori se ç’ka pasur 1927-ën, është e dhimbshme. Po të shikosh 127 milionë euro është në total buxheti i bujqësisë që është më i ulëti në rajon me 50 milion euro fond për subvencione dhe grante, ndërkohë që Maqedonia e Veriut është sa 1/3 e Shqipërisë dhe ka rreth 250 milionë”, thekson eksperti Pilku.

Në kushtet kur turizmi po mban fronin si sektor kryesor i zhvillimit ekonomik, rritja e vëmendjes për bujqësinë thonë ekspertët duhet të jetë parësore.

“Çdokush e kupton që nuk janë përfshirë të gjithë në këtë rritje ekonomike dhe duke mos u përfshirë nuk marrin dot mbrapsht çdo gjë. Për arsye se ekonomia në vetvete duhet të bazohet mbi kontributin e secilit. Kemi turizëm, por nuk kemi agro dhe në momentin që ky agro mungon duhet të ishte në vëmendjen e politikave të qeverisë”, tha Gjokutaj.

Brenda këtij sektori rënien më të madhe e ka regjistruar blegtoria. Numri i bagëtive ra në 2.1 milionë krerë në vitin 2025, ose rreth 83 mijë më pak se në 2024-ën. Sipas INSTAT ndikim në këtë rënie ka dhënë zvogëlimi i tufave të imta (dhi/dele), ndërsa numri i gjedhëve (lopëve) u rrit lehtë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:49
IPARD III i bllokuar, Pilku: Ato fonde janë të djegura, të përgatitemi për IPARD IV! Bujqësia të financohet nga buxheti

 

Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku ngre përsëri shqetësimin e mungesës së fondeve të IPARD të cilat janë të bllokuara që në gusht të 2023-shit. Ndërprerja e financimit nga Komisioni Evropian pas dyshimeve për keqpërdorim të IPARD II, stopoi rritjen ekonomike thotë eksperti.

“Bujqësia filloi të rritet dhe të reduktojë atë balancën negative tregtare me fillimin në aksesimin e fondeve të Bashkimit Evropian. Nisi që në 2011 dhe kulmoj me IPARD I dhe IPARD II, tani kemi problemin më të madh të bllokimit të fondeve, që akoma ne nuk e kemi zgjidhur me Bashkimin Evropian”, thotë Pilku.

Madje sipas tij 146 milionë eurot tashmë janë të djegura, dhe fermerët duhet të presin IPARD IV.

“Ne na u dogj IPARD III, na ka ngelur vetëm pak muaj për këtë program, sepse mbaron në fund të vitit dhe ne nuk e përfituam. Pra, 146 milion euro ne nuk i aksesuam. Në radhë të parë duhet të zgjidhim problemin e asaj që kemi kaluar, dhe ti kthejmë paratë e keqpërdorura, pra duhet të rimbursohet Brukseli, të nxirren të merren masa dhe më pas vijmë tek akreditimi. Duhet të akreditohet e gjithë struktura operative, pra jo vetëm AZHBR-ja. Pra është një proces shumë i madh dhe mua më vjen keq që kjo mungesë fondesh të ishte zëvendësuar me fonde nga buxheti i shtetit”, thotë Pilku.

Në mungesë të këtyre parave dhe të financimit të pamjaftueshëm nga buxheti i shtetit, eksperti gjykon se bujqësia shqiptare nuk do e përballojë konkurrencën që do i vij nga tregu evropian.

“Ne nuk mund të bëhemi dot faktor konkurrues për të gjithë aktivitetet bujqësore, por për një pjesë të aktiviteteve, kryesisht për prodhimin e perimeve nga blegtoria, jemi në një rënie të jashtëzakonshme në industrinë përpunuese. Duhet të kuptojmë shumë qartë që aq më shumë sa i afrohemi Bashkimit Evropian, aq më shumë do jemi jo-konkurruese”, tha ai.

Muajin e kaluar Komisioni Evropian në një përgjigje për Report TV tha se ende nuk ka një afat për hapjen e IPARD III, pasi ende janë duke vlerësuar kërkesën e bërë nga Shqipëria në prill 2026, për çeljen e fondeve.