Sa prodhojnë bujqësia dhe blegtoria shqiptare, dhe si është gjendja e sektorit në tërësi? Përgjigjet do të sigurohen përmes censit të bujqësisë, që do të nis në tetor 2026 dhe do të jenë publike në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Komisioni i Ekonomisë dha dritën jeshile projektligjit për ‘Censin e Bujqësisë’, që do të kushtoj afro 11 milionë euro.

“Informacioni statistikor në kuadër të censit të bujqësisë do të mblidhet në terren për gjashtë javë nga një armatë prej 3400 punonjësish në terren që janë anketuesit të menaxhuar nga 640 kontrollorë dhe të gjithë punonjësit e INSTA është shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Lantona Sado drejtoreshë e INSTAT.

INSTAT synon të regjistrojë tokën bujqësore që mbillet, fermat bujqësore e deri tek tufat e bagëtive, 15 vite pas CENSIT të fundit në bujqësi, të zhvilluar në 2012-n.

Komisioni i Ekonomisë miratoi gjithashtu edhe projektligjin për “Dëftesat Tregtare Mbi Produktet Bujqësore”, që i hap rrugën përdorimit si kolateral të të mbjellave dhe produkteve të magazinuara.

“Midis elementëve pozitivë, ne presim tre ndër më të rëndësishmit. Së pari, ligji rrit aksesin në financim për fermerët dhe operatorët që janë pjesë e zinxhirit të organizuar midis shitësve dhe blerësve. Së dyti, nxit formalizimin e marrëdhënieve ekonomike në bujqësi dhe së treti ndikon në forcimin e zinxhirëve të vlerës”, tha Fatmir Guri, zëvendësministër i Bujqësisë.

Ky projektligj sipas qeverisë ligjëron një fakt që aktualisht ndodh mes fermerëve dhe subjekteve që tregtojnë inpute bujqësore, pasi fermerët për të blerë farat, plehëruesit etj, lënë si garanci produktet e mbjella ose magazinuara. Ndërsa në sektorin bankar shihet e vështirë dhënia e kredisë me kolateral produktet e mbjella apo magazinuara.

“Banka mund të mos e pranojë sot këtë instrument, por mund ta pranojë nesër. Ne nuk e detyrojmë bankën të pranojë instrumentin”, tha Guri.

Por as ky ligj thotë deputeti i PS-së Erion Braçe nuk e zgjidh problemin e mungesës së tregut dhe shitjes së produkteve nën kosto.

“Çmimi i shalqirit ka vajtur 7 lekë për kg dhe me këtë çmim, një pjesë e madhe e atyre prodhuesve bujqësor atje nuk shlyejnë dot vlerën e detyrimit të inputeve të fidanit dhe të inputeve bujqësore që kanë marrë me këtë çmim. E bëra këtë marrëveshje me bankën, e kam lënë kolateralin atje, gjeta financimin e prodhova dhe hyra në këtë lojë. Problemi është ku do e shes? Sepse marrëveshjen me bankën e kam bërë për një çmim që mund të jetë mesatarisht 30-40 lekë për kilogram, ndërkohë çmimi ka vajtur 7 lekë”, thotë Erion Braçe deputet i PS.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sqaron se dëftesa mund të lidhet nga të gjithë fermerët që kanë në pronësi apo në posedim një sipërfaqe toke bujqësore, në të cilën është duke kultivuar apo ka për qëllim të kultivojë produkte bujqësore.