Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2024, me 10 vota pro, dhe një votë kundër që ishte ajo e Edmond Spahos, i cili ishte i vetmi nga opozita që mori pjesë në komision.
Në komision u prezantuan edhe raportet e komisioneve të tjera, dhe kërkesat e bëra nga 13 institucione për rishikim të shpenzimeve të tyre apo për fonde shtesë.
“Komisionet kanë sjellë pranë komisionit të Ekonomisë dhe Financave raportet për shqyrtimin në parim të projektbuxhetit. Të gjitha komisionet e kanë miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2024, disa komisione kanë paraqitur kërkesa për ndryshime dhe njëkohësisht shtesa në buxhetin e ministrive, institucioneve dhe fushave specifike që ata mbulojnë. Janë paraqitur kërkesa për ndryshime në projektbuxhetet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Turizmit, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Akademia e Shkencave, Drejtoria e RTSH, ATSH, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe ka një kërkesë edhe nga Kuvendi. Komisioni do ti shqyrtojë të gjitha kërkesat gjatë fazës që do të shqyrtojmë nen për nen të buxhetit”, u shpreh deputetja e PS Antoneta Dhima.
Referuar raporteve të komisioneve, Ministra e Infrastrukturës ka kërkuar një shtesë buxheti për programin e energjisë elektrike, për të cilin në projektligjin e buxhetit 2024 shpenzimet e planifikuara janë 3.24 miliard lekë me një ulje prej 370 milion lekë, krahasuar me buxhetin 2023.
Për këtë sektor Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar shtesë fondesh prej 6 miliardë lekë, prej të cilave 5 miliard lekë për shoqërinë KESH sha, me qëllim menaxhimin e efekteve të 8 mundshme të çmimeve në tregjet e energjisë për vitin 2024 dhe çfarë do të pasojë në vazhdim me situatën e motit, si dhe 1 miliard lekë për shoqërinë Albgaz për projektin “Gazsjellësi Fier-Vlorë që do të lidhet me gazsjellësin TAP dhe që është pjesë e gazsjellësit IAP.
Edhe burgjet kanë kërkuar 567 milionë lekë shtesë për vitin 2024, por edhe institucionet e tjera kanë shprehur pakënaqësi për fondet që kanë në dispozicion si rasti i universiteteve dhe SPAK.
Projektbuxheti për vitin 2024, ka planifikuar shpenzime në vlerën 735,9 miliardë lekë, të ardhura në vlerën 674 6 miliardë lekë dhe deficit 61 2 miliardë lekë.