Rishikohet buxheti për përballimin e krizës së çmimeve, ministrja: 28 miliardë lekë për subvencionim të energjisë elektrike! Rritja ekonomike për këtë vit zbret nga 4.2% në 3.5%

Kriza e çmimeve ka detyruar qeverinë të ndryshojë për herë të parë buxhetin dhe të ulë pritshmëritë për rritjen ekonomike, ndërkohë që pritet ulje e konsumit për shkak se inflacioni do të jetë mbi pritshmëritë.

‘Në këtë skenar ne parashikojmë që inflacioni i përgjithshëm mesatar për vitin 2022, të jetë në nivelin e 4.5% dhe pritet të kulmojë në fund të tremujorit të dytë dhe fillim të tremujorit të tretë. Kjo rritje e inflacionit përgjatë këtij viti do të frenojë fuqinë blerëse dhe do të ngadalësojë konsumin.’- tha ministrja.

Braçe: Sa do të cenohet rritja ekonomike nga kjo rritje e çmimeve?

Ibrahimaj: Në fillim të vitit ne parashikonim një rritje ekonomike 4.2%, ndërsa rritja presim të jetë 3.5%, por në skenarët e tjerë pesimistë presim që rritja të jetë më e ulët si pasojë e inflacionit.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha në Komisionin e Ekonomisë teksa diskutohej për aktin normativ të rishikimit të buxhetit se do të vihen 20 miliardë lekë në dispozicion të përballimit të krizës së energjisë dhe 6 miliardë lekë do të përdoren për paketën e rezistencës sociale, ku po ashtu përfshihet rritja e pensioneve.

“Ky akt normativ ka si synim kryesor akordimin e mbështetjes buxhetore për sektorin e energjisë në 20 miliardë lekë duke e çuar këtë shumë në 28 miliardë lekë për vitin 2022. Financimin e një pakete ndihme për konsumatorët për të përballuar pasojat e rritjes së çmimeve të konsumit e quajtur paketa e rezistencës sociale me një kosto prej 6 miliardë lekësh”, u shpreh Ibrahimaj.

Ibrahimaj sqaroj edhe se si do të menaxhohet situata financiarisht.

“Efektet e përballimit të krizës energjetike dhe ato të rritjes së çmimeve kemi propozuar t’i përballojmë nëpërmjet rialokimit të shpenzimeve buxhetore dhe rritjes së të ardhurave”, tha Ibrahimaj.

Ndërkohë për PD masat e marra nga qeveria janë të pamjaftueshme.

‘Qeveria shqiptare në të gjitha rastet e përgatitjes së buxheteve, por dhe në këtë akt normativ është jashtë nevojave që kërkon sot tregu, dhe që kërkojnë qytetarët.’- tha Tabaku.

Nëse situata përkeqësohet, mund të rishikohen edhe koncesionet, tha ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në Komisionin e Ekonomisë.

“Jemi duke bërë gati edhe skenarët pesimistë në lidhje me treguesit kryesorë makroekonomik dhe aty ku ne mund të ndërhyjmë në investime apo në të gjitha zërat e buxhetit të shtetit. Patjetër nëse do të kemi materializim të skenarëve negativ ne do të shohim edhe koncesionet dhe do të ruajmë ato shpenzime që janë të domosdoshme dhe që sjellin rritje ekonomike”, tha Ibrahimaj.

Nëpërmjet rishikimit të parë të buxhetit të shtetit, janë rritur me 10 miliardë lekë pritshmëritë për të ardhurat, ndërsa nga ana tjetër janë shkurtuar me 16 miliardë lekë shpenzimet buxhetore jo prioritare të institucioneve.

“Të ardhurat e buxhetit të shtetit me këtë akt normativ rriten me 10 miliardë lekë mbështetur në performacën pozitive për realizimin e të ardhurave tatimore dhe doganore. Shpenzimet buxhetore janë shkurtuar në masën 16 miliardë lekë duke shkurtuar shpenzimet jo prioritare”, tha Ibrahimaj.

Janë shkurtuar kryesisht shpenzimet për projektet e reja, fondet për dieta, udhëtime apo karburante.

Si rishikohet buxheti

TË ARDHURAT 
BUXHETI 1                          536,811 mld lekë
AKTI NORMATIV              546,811 mld lekë
FILLESTARI                            +10 mld lekë

SHPENZIMET 
BUXHETI 1                         637,694 mld lekë
AKTI NORMATIV              647,694mld lekë
FILLESTARI                           +10 mld lekë

TË ARDHURAT NGA TVSH
BUXHETI 1                   166,061 mld lekë
AKTI NORMATIV      173,061 mld lekë
FILLESTARI                  +7 mld lekë

TË ARDHURAT AKCIZA 
BUXHETI 1                   56,478 mld lekë
AKTI NORMATIV       58,478 mld lekë
FILLESTARI                 +2 mld lekë

TATIMI MBI FITIMIN 
BUXHETI 1                  37,586 mld lekë
AKTI NORMATIV      35,586 mld lekë
FILLESTARI                 +2 mld lekë

(Klikoni këtu për të parë dokumentin për projektligjin e ndryshimeve e buxhetit 2022)

(Klikoni këtu për të lexuar dokumentin për relacionet)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:48
Ndryshimet në buxhet, 6 pyetjet e deputetit Erion Braçe për qeverinë

 

Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë për ndryshimet në buxhet për përballimin e krizës së çmimeve, deputeti socialist Erion Braçe kishte disa pyetje për ministren Ibrahimaj.

"Sa të ardhura do të vijnë nga rritja e çmimeve? Sa do të ulen të ardhurat e familjeve nga rritja e çmimeve? Sa do të cenohen investimet publike nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, dhe a është bërë një analizë për gepin që krijohet dhe që duhet të mbulohet nga fonde shtesë buxhetore, me rrezikun që një pjesë e investimeve mund të amortizohen dhe kërkojnë fonde të tjera shtesë? Sa cenohet rritja ekonomike për këtë vit? Për prodhimin vendas çfarë parashikon akti, se vërtet kemi paketën e rezistencës por nga ana tjetër kemi një problem që është prodhimi vendas?", pyeti Braçe.

Ministrja u shpreh se do t'i shqyrtonte pyetjet për t'i kthyer përgjigje.

 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet me Greqinë, Hasani: E rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duhet kujdes

Marrëdhëniet me Greqinë, Hasani: E rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duhet kujdes