Në Komisionin e Jashtëm opozita tha se negociatat janë bllokuar në Këshillin e Bashkimit Evropian dhe kërkoi urgjent sjelljen e raportit nga qeveria. PS siguroi se raportimet do të bëhen së shpejti, ndërsa mohuan pretendimet se integrimi ka ngecur.
Pritja nga Brukseli e një vendimi për raportin e ndërmjetëm ka nxitur sërish debate mes palëve në Kuvend.
Në Komisionin e Jashtëm deputetët e opozitës kërkuan edhe një herë shpjegime se pse ende qeveria nuk e ka sjellë në Kuvend raportin për ecurinë e procesit të integrimit evropian, që sipas rregullores do të duhej dorëzuar që në fund të janarit.
“IBAR-i – për të mos i lënë vendin spekulimeve, Ministri dhe kryenegociatorja të vijnë e të raportojnë sa më parë për IBAR-in që na e bën fushë me lule që gjithçka po ecën siç ishte parashikuar. Të vijë raporti menjëherë”, tha mes të tjerash deputetja e PD-së, Albana Vokshi.
Shqetësimit të demokratëve iu bashkua edhe kreu i Komisionit të Jashtëm nga radhët e Socialistëve Igli Hasani, i cili njoftoi se i ka kërkuar ekzekutivit të raportojë sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Për raportin kam kërkuar të vijë sa më shpejt. Do i çoj letër Hoxhës dhe kryenegociatores të vijnë në komision”, tha deputeti i PS, Igli Hasani.
Socialistja Klodiana Spahiu teksa premtoi se raporti i qeverisë do të vijë shumë shpejtë në Kuvend për të diskutuar për këtë çështje, i quajti të pavërteta qëndrimet e opozitarëve se procesi i integrimit është bllokuar.
Komisioni i Jashtëm në Kuvend po në mbledhjen e kësaj të mërkure dëgjoi kandidaturat për ambasadorë të Shqipërisë në BE dhe në Belgjikë, ku Albana Dautllari dhe Gazmend Barbullushi morën edhe dritën jeshile të opozitës.
Komente










