Sot në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratës Publike, që nis në orën 10:00, do të diskutohet kërkesa e PD-së për shkarkimin nga detyra, me akuzën se ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Demokratët depozituan më 15 tetor në Kuvend kërkesën për shkarkimin duke renditur 7 shkelje, nga dekretimi i zgjedhjeve në Tiranë, kërkesa e presidentit në Kushtetuese për sqarimin e mandatit të anëtarëve të kësaj gjykate, dekretimi i Diellës si ministre, dekretimi i ligjit për komisionet hetimore, apo edhe akuzat se lejoi përfshirje të trupës diplomatike dhe kabinetit të tij në zgjedhje për PD-në janë arsye që Begaj të mos jetë më kreu i shtetit.

Po ashtu, PD pretendon se Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, si edhe ka favorizuar një kompani sigurimesh duke i dhënë tenderët e Presidencës, ndërsa ajo në këmbim i ka punësuar djalin fiktivisht. 

Shkarkimi i Presidentit të Republikës, sipas nenit 90 të Kushtetutës së vendit, bëhet vetëm për shkelje të rënda të ligjit themelor dhe për kryerjen  e  një  krimi të  rëndë.  Propozimi  për  shkarkimin  e  Presidentit  bëhet nga të paktën 35 deputetë dhe duhet miratuar në seancë plenarë nga të paktën 94 ligjvënës.

Por shkarkimi eventual nga Kuvendi në të gjitha rastet i  dërgohet  Gjykatës  Kushtetuese, e cila është ajo që vërteton  fajësinë dhe deklaron shkarkimin e Presidentit nga detyra.

7 shkeljet që opozita pretendon se janë kryer nga presidenti Bajram Begaj:
Dekretoi zgjedhje në Tiranë në shkelje të Kushtetutës
Ndërhyri në mandatin e anëtarëve të  Gjykatës Kushtetuese, i preku pavarësinë
Dekretoi në shkelje ligjin për Komisionet Hetimore
Dekretoi ministren virtuale ‘Diella’
S’ndali trupën diplomatike nga përfshirja në fushatën e vitit 2025
Kabineti i tij ndërhyri në procesin e administrimit të zgjedhjeve
I biri i punësuar fiktivisht në një kompani private sigurimesh që përfiton tendera nga presidenca/ Vetë Begaj i punësuar në një klinikë private