Komisioni i Ligjeve kalon
pa opozitën aktin normativ

Komisioni i Ligjeve kalon <br />pa opozitën aktin normativ
TIRANE- Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi me votat e mazhorancës aktin normativ të qeverisë "Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara". Opozita, ndonëse parimisht ishte pro këtij akti normativ, votoi kundër me argumentin se mënyra juridike që është zgjedhur për t'i dhënë drejtim këtij problemi 20-vjeçar është jo kushtetuese. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi tha se janë 3157 banesa të okupuara nga persona të pastrehë, të cilët duhet t’i lirojnë ato. Olldashi nuk la pa akuzuar edhe opozitën se nuk ka një qëndrim të qartë të saj për këtë çështje.

Olldashi bëri të ditur se, akti nuk cënon asnjë garanci apo siguri juridike për të pastrehët që banojnë në këto prona. Kjo kategori, nënvizoi ai, ka qenë në dijeni të afateve ligjore. "Kur kanë kaluar 20 vjet nga nisja e kthimit dhe kompensimit të pronave, këtyre subjekteve u janë ofruar të gjitha mundësitë të aplikojnë për kredi për strehim, me 0 % interes, por pjesa më e madhe e tyre nuk ka paraqitur interes t'i tërheqë ato, ose të paraqitet për aplikim", deklaroi Olldashi. Ministri Olldashi tha se, nuk mund të lejohet që një person të vijojë të banojë në banesën e pronarit të ligjshëm dhe të paguajë një qera simbolike deri në 400 lekë, kur pronari humbet shumë herë më shumë nëse banesa do të ishte dhënë me qera me çmimin e tregut.
Ministri Olldashi shtoi dhe se mazhoranca do t’i nxjerri njerezit nga bodrumet pasi shtëpitë mbahen peng nga biznesmenët e PS.

“Nga 2007 deri më sot çfarë ka bërë qeveria. Pse vihen në kushte emergjence duke u thënë që të dilni në rrugë. Çfarë ka bërë kjo qeveri në 5 vite.”- tha deputetja e PS-së Shegushe Ligori.

Deri në datën 1 nëntor, 3289 persona që banojnë në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm duhet të ndjekin në mënyrë të përshpejtuar të gjitha procedurat për të përfituar kredi me interes 0% për një afat deri në 30 vjet. Enti Kombëtar i Banesave dorëzoi para pak ditësh pranë Bankës Kombëtare Tregtare listën e të gjithë personave që banojnë në shtëpitë e ish-pronareve dhe që përfitojnë kredi me interes zero për një afat deri në 30 vjet për të zgjidhur problemin e strehimit te tyre dhe për të liruar ambientet ku banojnë aktualisht. Konkretisht, lista përmbante peshën kryesore nga Bashkia Tiranë, me 908 raste, duke vijuar me atë të Durrësit me 869 raste dhe të Shkodrës me 605 të tilla në total.

Akti normativ do të hidhet në votim të enjten.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Prek gjyshi i Martinit në protestë: Nëse nuk vihet drejtësi, nuk më duhet më jeta

Prek gjyshi i Martinit në protestë: Nëse nuk vihet drejtësi, nuk më duhet më jeta