TIRANË- Sot në Komisionin e Ligjeve janë marrë në shqyrtim, dy projektligje të rëndësishme, të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë. Konkretisht seancën e sotme në këtë komision u paraqitën për diskutim projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare" dhe projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10039, datë 22.12.2008 "Për ndihmën juridike", i ndryshuar.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço theksoi se institucioni që ai drejton, në kuadër të përmbushjes së detyrave të tij funksionale, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji "Për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë", ka ndërrmarrë nismën ligjore për hartimin e një ligji të ri "Për Organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare".

"Ky projektligj vjen si rrjedhojë e kërkesës së Qendrës së Botimeve Zyrtare, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të së cilës janë parashtruar disa problematika dhe anomali gjatë zbatimit të ligjit ekzistues. Projektakti synon plotësimin e vakumit ligjor ekzistues, nëpërmjet caktimit të tarifave për shërbimet e procesit të publikimit të akteve në faqen elektronike të Qendres së Botimeve Zyrtare. Gjithashtu, kjo iniciativë ka lindur si nevojë e përmirësimit të praktikave të botimit të akteve zyrtare të shtetit shqiptar, në Fletoren Zyrtare, me qëllim përmirësimin e aksesit të publikut në legjislacionin në fuqi", u shpreh, Naço.

Ministri Naço sqaroi se ligji synon garantimin e nivelit të sigurisë së botimit të akteve, për shkak të rëndësisë se botimit të Fletores Zyrtare, dhe saktësinë e informacionit që botohet në të.

"Duke qënë burimi i vetëm dhe autentik i akteve ligjore dhe nënligjore, ku bazohet e gjithë veprimtaria e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, sistemi duhet të ofrojë siguri maksimale të informacionit. Në përmbushje të këtyre parimeve, ka lindur nevoja për propozimin e një ligji të ri, në vend të një ligji ndryshues. Një ligj amendues do të shkaktonte konfuzion, ndaj kemi synuar përmirësimin e përgjithshëm të dispozitave të tij edhe në aspektet e teknikës legjislative dhe në zbatim të kësaj të fundit, masa e ndryshimeve ishte e tillë që kërkonte ndërmarrjen e një nisme për një ligj të ri", tha Naço

Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Qëndrës së Botimeve Zyrtare" ngarkon Qendrën e Botimeve Zyrtare për publikimin periodik të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare, që do të shërbejë si formati i botimit zyrtar, i cili përmban të gjitha njoftimet e institucioneve shtetërore me qëllim bërjen e tyre publike.

Gjithashtu ai parashikon rregulla më të qarta për dërgimin e akteve për botim, si dhe sanksionon detyrimet e institucioneve, të cilat publikojnë aktet e tyre në Fletoren Zyrtare.
Formati i Fletores Zyrtare, si i vetmi botim zyrtar në Republikën e Shqipërisë ku publikohen aktet juridike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, botimi i të cilave parashikohet në Kushtetutë, ose në legjislacionin në fuqi, është i përcaktuar në një shtojcë që i bashkëlidhet projektligjit.

Projekltligji përcakton se Fletorja Zyrtare dhe Buletini i Njoftimeve Zyrtare në formë elektronike publikohen në të njëtën ditë, kur janë publikur edhe në formën e tyre të shtypur dhe se botimi në formë elektronike i Fletores Zyrtare dhe Buletinit të Njoftimeve Zyrtare duhet të përmbajë edhe informacion në lidhje me datën dhe orën e publikimit.
Momenti i daljes së Fletores Zyrtare nga botimi  konsiderohet data dhe ora e përfshirjes në Arkivin Elektronik të Akteve.

Ndërkohë, sanksionohet se pranë Qendrës së Botimeve Zyrtare, çdo subjekt, mund të njihet, drejtpërdrejt dhe pa shpërblim, me përmbajtjen e akteve të botuara. Në projektligj janë përcaktuar rregulla të hollësishme për funksionimin dhe administrimin e Arkivit Elektronik të Akteve. Projektligji është i strukturuar në gjashtë krerë dhe në njëzet nene.
Në pjesën Dispozita të Përgjithshme, janë përcaktuar më qartë objekti, qëllimi, termat dhe procedurat e botimit, duke qenë së është zgjeruar fusha e veprimtarisë së ligjit duke përfshirë dhe Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si risi e këtij projektligji. Një impakt pozitiv i këtij projektligji ishte dhe përcaktimi i  detyrimeve të institucioneve, të cilat i publikojnë aktet e tyre në Fletoren Zyrtare.
Po në këtë projektligj përcaktohet afati për botim, administrimi i regjistrit elektronik dhe shkresor të akteve, si dhe detyrimi i institucioneve shtetërore për bashkëpunim me Qendrën e Botimeve Zyrtare.

Gjatë seancës së sotme në Komisionin e Ligjeve, Ministri Naço u ndal edhe në rëndësinëe rishikimit të ligjit nr.10039, datë 22.12.2008, "Për ndihmën juridike", i ndryshuar, duke vlerësuar se nevoja e këtyre ndryshimeve vjen si pasojë e problematikave të evidentuara nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike gjatë implementimit të ligjit në praktikë.
"Qëllimi i këtij projektligji është rritja e transparencës, efikasitetit, objektivitetit dhe besueshmërisë në sistemin e ofrimit të ndihmës juridike. Një tjetër element që e bëri të nevojshme ndërhyrjen në legjislacion ishin dhe gjetjet në progres raportin e vitit 2013 në pjesën e aksesit në drejtësi, ku funksionimi i legjislacioni për dhënien e ndihmës juridike evidentohej të kishte funksionuar me hapa të ngadalta", tha Ministri Naço.

Kreu i drejtësisë shqiptare sqaroi se në mënyrë që gjithë gjetjet e praktikës së deritanishme të përmirësoheshin, u përgatit një draft, duke i kushtuar rëndësi fillimisht sqarimit të plotë të termave të parashikuar në ligjin bazë nr.10039, datë 22.12.2008, "Për ndihmën Juridike", i ndryshuar, duke parashikuar një specifikim të qartë të termave të  tilla si "ndihma juridike", "mjete të mjaftueshme" dhe "subjekte të përfshirë në programet e mbrojtjes shoqërore".

"Këto përkufizime në ligjin bazë mungonin dhe shpesh herë ishin bërë pengesë në zbatimin në praktikë të vetë ligjit në tërësi. Duke realizuar një harmonizi midis normave ligjore në fuqi,  sqarohet edhe më mirë fakti  se të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e kanë personat, të cilët kanë nevojë për ndihmë juridike në çështjet civile ose administrative, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar këtë ndihmë juridike. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj ndërhyrje ligjore, qartësohet që kriteri financiar për dhënien e ndihmës juridike dytësore duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e aplikuesit. Për rrjedhojë, është sqaruar më së miri se cfarë do të kuptojmë me termin "Mjete të mjaftueshme",  që sipas projektligjit janë të ardhurat mujore të kërkuesit, që nuk e kalojnë vlerën e pagës minimale të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave", theksoi Ministri Naço
Me qëllim evidentimin dhe më të qartë të personave që legjitimohen për të përfituar ndihmën juridike, projektligji parashikon edhe përkufizimin e termit të "Ndihmës Juridike", e cila në kuptim të këtij ligji jepet: Për shtetasit shqiptarë me vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë,  shtetasit e huaj të pajisur me leje qëndrimi,  për shtetasit e huaj që e përfitojnë atë mbi bazën e parimit të reciprocitetit,  si dhe personat pa shtetësi të pajisur me leje qëndrimi.

Projektligji është dërguar për mendim dhe është konsultuar me Ministrisë e Integrimit Evropian, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike, Misionin EURALIUS dhe Misionin OPDAT. "ATSH"