Komisioni i ri i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, do të përfshijë të gjitha partitë e mbledhura në Kuvendin e Shqipërisë. Pas dakordësimit të mazhorancës dhe opozitës për të pasur barazi votash në komision, vend i është bërë dhe dy partive, ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt dhe ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit.
Sipas dokumentit të fundit zyrtar të siguruar nga Report Tv dhe të dakordësuar mes palëve, bëhet me dije se këto dy parti, të cilat përfaqësohen në Kuvend vetëm me nga 1 deputet për palë, mund të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, kanë të drejtën e propozimeve, por pa të drejtë vote.
‘Shqipëria Bëhet’ përfaqësohet nga Ana Dajko ndërsa ‘Lëvizja Bashkë’ nga Redi Muçi. Këta dy deputetë, kanë të drejtë për të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit, por nuk kanë të drejtën e votës.
Komisioni do të ndërtohet në bazë të 16 anëtarëve, 7 nga Partia Demokratike (përfshirë këtu 1 PL dhe 1 PR), dhe 7 nga Partia Socialiste. Dy partitë e mëdha, i kanë bërë vend dhe partive të vogla. Rrjedhimisht për të ruajtur barazinë e votave, PD i ka dhënë 1 karrige deputetit Agron Shehaj ndërsa PS 1 vend ia ka dhënë deputeti të PSD-së së Tom Doshit.
Komisioni i posaçëm parlamentar me 16 anëtarë, 8+8, mes tyre dy bashkëkryetarët me të drejtë vetoje, pritet të ngrihet në seancën plenare në Kuvend më 27 tetor dhe pritet të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, me një afat pune, 9 muaj.
Po ashtu, socialistët kanë ofruar barazi edhe te Komisioni për Reformën Territoriale, ku 8 anëtarë do të jenë të PS-së, 6 të PD-së, 1 i Partisë së Lirisë dhe 1 i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim i Fatmir Mediut. Kryetari i Komisionit do të jetë Arbajn Mazniku ndërsa nënkryetari do të jetë nga demokratët. Ndërkohë, PD ka vendosur në mbledhjen e grupit që votojë pro ngritjes së komisioneve në seancën e 27 tetorit.
Sa i takon reformës Zgjedhore, PS kërkon të plotësojë rekomandimet e ODIHR dhe BE, ku hyjnë depolitizimi i administratës zgjedhore, apo ligj më i fortë për financimin e partive dhe rregullat e fushatës elektorale. Demokratët kërkojnë të preket Kushtetuta, duke ndryshuar sistemin. Pikë kjo, në të cilën ju ngec sharra në gozhdë me socialistët.
Theksojmë se në raportin final të OSBE/ODHIR, pas analizës së bërë për procesin zgjedhor nga fushata elektorale e deri te procesi i certifikimit të rezultatit, ka rekomanduar bërjen e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse.



PS ka “lëshuar pe” ndaj opozitës edhe te Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale. Ndarja në Komisionin me 16 anëtarë do të bëhet 8 për PS-në, 6 për PD-në, 1 përfaqësues do të jetë i Grupit Parlamentar, 1 i Partisë së Lirisë dhe 1 i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim i Fatmir Mediut.
Arbjan Mazniku do të jetë bashkëkryetari i Komisionit, bashkë me një bashkëkryetar të PD. Partitë e tjera parlamentare, të cilat nuk janë të përfshira në komision kanë të drejtë që të bëjnë propozime.
Komisioni do të zhvillojë veprimtarinë e tij për 9-mujor nga data kur do të miratohet ne Kuvend. Në rast nevoje, me kërkesë të kryetarit, Kuvendi mund të vendosë për zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë.
Komente











