TIRANË- Report TV zbardh kompromisin mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore, e cila kënaq "egot" e të dyja palëve. Edhe ofron barazi reale për shumicën dhe pakicën, po gjithashtu përfaqëson edhe partitë e vogla që nuk kanë formuar dot grupe parlamentare.

Kështu, në 8 vendet e saj, PS do të mbajë vetë 7 karrige, dhe një vend do t’ia rezervojë një deputeti nga PSD-ja e Tom Doshit. Ndërsa një sakrificë do ta bëjë edhe PD, e cila vendet e saj do t'i ndajë: 5 brenda grupit të saj, 1 PR, 1 PL dhe 1 Agron Shehaj.

Komisioni i posaçëm parlamentar me 16 anëtarë, 8+8, mes tyre dy bashkëkryetarët me të drejtë vetoje, pritet të ngrihet në seancën plenare në Kuvend më 30 tetor.

Ky komision ishte shtyrë, pasi PS fillimisht kërkonte që pjesë e reformës të ishin edhe partitë e vogla që nuk kanë grupe parlamentare, dhe insistonte se edhe PSD-ja duhet të kishte një vend, por propozimi filetash ishte që deputeti i Tom Doshit të ishte mes 8 karrigeve të pakicës parlamentare.

Demokratët kundërshtuan duke e konsideruar këtë një prishje të barazisë reale në komision, pasi Tom Doshi, për ta, nuk është opozitë, por aleat i Ramës.

Komisioni kur të ngrihet pritet të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, dhe të ketë një afat pune, 9 muaj.

PS kërkon të plotësojë rekomandimet e ODIHR dhe BE, ku hyjnë depolitizimi i administratës zgjedhore, apo ligj më i fortë për financimin e partive dhe rregullat e fushatës elektorale.

Demokratët kërkojnë të preket Kushtetuta, duke ndryshuar sistemin. Pikë kjo, në të cilën ju ngec sharra në gozhdë me socialistët.