Kompania  "Energy" e Becchettit
770 mln lekë tatime të papaguara

Kompania  "Energy" e Becchettit<br />770 mln lekë tatime të papaguara
TIRANE - Një shumë prej 7 miliardë lekë të vjetra nuk është paguar në llogaritë e shtetit shqiptar, nga njëra prej kompanive të italianit Francesco Bechettit. Bëhet fjalë për kompaninë “Energji”, e cila fillimisht është hapur nga e besuara e Becchetti-t, Erjona Troplini dhe më pas në të kanë hyrë si aksionerë ortaku i tij në shumë kompani shtetasi italian Mauro De Renzis dhe vjehra e Becchetti-t, Vjollaca Kamberi.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se kompania “Energji”, për të ardhurat që ka përfituar, duhet të paguante detyrimet tatimore. Në dosjen e prokurorisë thuhet se sipas kontrollit nga Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se “Energji” duhet t’i paguante shtetit një shumë prej rreth 770 milionë lekë të reja detyrime tatimore, të cilat nuk janë paguar. Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve ka urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të “Energji” dhe pagesën e detyrimeve nga llogaritë e saj.

Për të shmangur tërheqjen automatike të parave në favor të Drejtorisë së Tatimeve në formën e detyrimeve të papaguara, koncensionari “KGE” i ka bërë pagesat për “Energji” nëpërmjet kompanisë “Cable System”, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liliana Condomitti (nëna e Becchetit). Këto transferta, të cilat arrijnë në miliona euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme nga shtetasja Pranvera Gjika, drejtuese në një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.

Arrestimi i bankieres
Hapja e dritës jeshile për transaksionin që paguante këtë detyrim tatimor nga kompania “Cable System” tek kompania “Energji”, ka vënë në pranga bankieren Pranvera Gjika. Mësohet se kjo e fundit është thirur në prokurori për t’u marrë në pyetje ndërkohë që pasi ka dhënë shpjegimet e saj, kanë qënë oficerët e prokurorisë që kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës së Tiranës, duke arrestuar bankieren brenda në prokurori.

Manovrat me hidrocentralin
Ndërkohë që prokuroria e konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Francesco Becchetti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare konçensionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri. Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Beçhetit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti.

Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me disa shtetas të tjerë. Ndërsa një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Qershor 2015

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin