AKKP ka shpallur 1,431 kërkesat e pronarëve që kanë përmbushur kushtet për përfitimin financiar, por që nuk mund të paguhen për shkak të pamjaftueshmërisë së fonde. “Urdhëroj, shpalljen e kërkesave të cilat nuk përfitojnë kompensim për shkak të pamjaftueshmërisë së fondit, pas përfundimit të procedurave ligjore të verifikimit dhe hetimit administrativ në përputhje me ligjin nr.9235, datë 29.07.2004 ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar dhe VKM-së 889, dt. 17.12.2014 ‘Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla për vitin 2014’, për subjektet e shpronësuar, sipas rendit kronologjik të vendimit për njohjen dhe kompensimin e pronës, me të cilin kanë aplikuar”,- thekson deklarata zyrtare e Agjencisë së Kthimit të pronave e cila mban nënshkrimin e kreut të saj, Sonila Qato.
Sipas ndryshimeve ligjore në mënyrën si shpërndahet fondi i kompensimit financiar prej 300 milionë lekësh, përfituesit përcaktohen në radhë kronologjike. Vetëm pak ditë më parë AKKP bëri publik 95 përfituesit sipas sistemit kronologjik. “

Vendimi i fundit në radhë kronologjike i cili përfiton kompensim nga fondi i vitit 2014 është vendimi menr.1081 datë 30.12.1994.
Këtij urdhri i bashkëlidhet lista e subjekteve jopërfitues me të dhënat përkatëse për subjektin e shpronësuar, numrin e aplikimit si dhe numrin e vendimit”,- thekson AKKP në deklaratë.

Gjatë kësaj jave Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpërndau fondin e përvitshëm prej 300 milionë lekësh, i akorduar nga buxheti i shtetit për kompensimin në vlerë të pronarëve. Ndërsa aplikuan më shumë se 1700 subjekte të shpronësuara, nga fondi arritën të përfitonin vetëm 95 ish pronarë.
 
(v.gj/shqiptarja.com)

Lajmi u publikua sot(10.05.2015) në gazetën Shqiptarja.com(print)