Kur isha 11 vjeç, unë bëhesha shumë kurioz të zbuloja se ku përfundonte gjilpëra e qëndisjes së Dinës, kur ajo, bashkë me disa shoqe të mëhallës, ulur në pragun e oborrit, qëndiste mbi një gjergjef të hollë druri. Dina sapo kishte mbushur 25 vjeç dhe kishte një fëmijë motak, zënë ilegalisht me një futbollist mendjemadh, siç bëhen rëndom gjithë futbollistët e njohur. Dina ngulte gjilpërën herë nga poshtë e herë nga lart dhe, ngaqë e mbante mbi ijë, unë kisha frike se mos shponte këmbët e saj.Gjilpëra zhdukej fare diku poshtë, midis këmbëve të saj, dhe nuk kuptohej aspak se ç’mekanizëm e ngrinte përsëri lart.
Një ditë ajo u shkul gazit tek më pa që, i shqetësuar përsëri për gjilpërën, unë ula kokën poshtë fustanit të saj prej basmeje bojë qielli, për të parë se ku përfundonte gjilpëra me perin e kuq të qëndisjes. Unë e ula kokën aq shumë, sa nuk zbulova dot se ku shkonte gjilpëra me perin e kuq, por diçka tjetër. Dina u skuq dhe më pyeti e nxehur:
- Po ç’bën..?Ky qenka budalla fare! Po ç’do të shohësh ashtu, vagabond i vogël?
-Gjilpërën,- thashë i turpëruar...
Por ajo s’dëgjoi dot nga kukurisjet e vajzave.
Unë s’pata më kurajë të shihja se ku përfundonte gjilpëra nën gjergjef.
Një ditë me shi Dina, në fshehtësi të plotë, më thirri poshtë qemerit të portës së saj
E, pasi më fshiu flokët nga shiu, tha:
-Shpirt i vogël, do të më bësh një nder ? -Kishte fytyrë të zbehtë dhe mbi të i ngjiteshin tufëza të vogla flokësh pisë të zinj.
- Çfarë ?- pyeta i bindur.
-Do t’i çosh një letër në shtëpi atij futbollistit që banon te rrugica tjetër. E di ku është?
- Po, po, -thashë,- e di..
Sportisti njihej në tërë vendin dhe ne fëmijët ishim krenarë që banonim në të njëjtën lagje me të.
- Do t’ia japësh vetëm atij në dorë dhe askujt tjetër, më porositi Dina,- Nëse nuk është ai, mbaje dhe ma sill përsëri. Ajo më përkëdheli dhe një herë flokët.
Pranova me qejf.
-Po ai, e di që do të vete? pyeta para se të largohesha.
- E di, e di, hiç mos u bëj merak, ai do të presë shumë mirë..do ta shohësh vetë.
Sportisti jetonte në një vilë të bukur me derën e oborrit gjithmonë mbyllur, pasi kishin frikë mos ua vidhnin hurmat farëzeza. Megjithatë, ne fëmijët hipnim tek avllia nga mbrapa dhe me gjithë xhamat e ngulur në mur, arrinim të shkulnim kokrrat e hurmave të sapobëra.. Ne kafshonim një duzinë kokrrash, derisa na hasnin dhëmbët në farat e zeza. Ato që s’ishin farëzeza, të ngelnin në fyt, prandaj ne i hidhnim tutje. U nisa nëpër shi. Por unë nuk i rezistova dot kërshërisë për ta lexuar letrën. U futa nën strehën e një porte dhe, pasi nxora me kujdes letrën nga zarfi, fillova ta lexoja me ankth. Letra ishte shkruar me një shkrim të keq, tipik për një grua që nuk kish mbaruar as shtatëvjeçaren.Ajo thosh kështu:
- Land, më fal që po të shqetësoj edhe një herë.
Nuk kam më fuqi të mbaj veten dhe djalin, ai po rritet dhe ka nevojë për ushqim, veshje .Unë s’kam më asnjë të ardhur, vetëm hakun e qëndisjeve që bëj dhe që më shiten rrallë e më rrallë.Ti e di mirë, që me qeveri, d.m.th. po të hidhet çështja në gjyq, mua më takojnë të paguash derisa djali të bëhet 15 vjeç. Por unë nuk arrij deri aty :edhe ti ke fëmijë e familje për të mbajtur. Unë, hë për hë, të kërkoj të më paguash një shumë të vogël, derisa djali të bëhet tri- katër vjeç.
Këtë ta kërkoj nga ana humane, pasi e di që për dashuri nuk bëhet më fjalë . Mirë që e kam turpin mbi kurriz, por të paktën të kem me çfarë ta mbaj në këtë jetë djalin tim, tëndin.. tonin pra. Ai ka krejt hijen tende..d.m.th. veshët e tu të mëdhenj. Land, të lutem përpiqu të më kuptosh, përndryshe.. as unë s’e di se ç’do të bëj më tej dhe cilat do të jenë pasojat.... Mbushur me urrejtje, shkova te shtëpia e sportistit të pashpirt dhe trokita fort me dorezën e hekurt të portës. Nga brenda u dëgjua një zë:
-Kush është?
-Unë .-.thashë i emocionuar.
- Kush “unë” mor? Si quhesh? Zëri im prej fëmije e bëri atë të sportistit më të ashpër.
-Unë,- thashë me zë më të druajtur, - kam një letër për ty.
- Nga kush?- zëri i sportistit ishte zbutur disi.
Unë nuk isha përgatitur për këtë situatë.
Heshta. Nuk ishte mirë të dekonspiroja me zë të lartë nga vinte letra.
- Nga kush more?
- Nga ajo.. ,- arrita të thosha- ajo më ka porositur të mos jua them emrin me zë të lartë.
Kjo duket e bindi përfundimisht të hapte portën. Në fytyrë ruante ende shenjën e bezdisjes.
- Hë, ç’do? -m’u drejtua prerë sportisti mospërfillës.
“Atë të sat ëme”, -thashë me vete dhe krenar i dorëzova letrën.
E hapi dhe filloi ta lexonte. Ishte kënaqësi e madhe për mua të shihja tërë atë div të futbollit tek shpërfytyrohej, ndërsa lexonte rreshtat dramatikë të letrës. Mbaroi dhe s’fliste. Tundte instinktivisht këmbën futur në pantofël.
-Ti, e ke lexuar ?- më pyeti i dorëzuar plotësisht.
- Jo - thashë si pa të keq.
Psherëtiu njëherë thellë, pa rreth e rrotull dhe me zë të ulët më tha :
-Mirë, do presësh pak këtu jashtë... erdha për dy minuta,-dhe iku si i dehur brenda.
Doli, më dorëzoi me duar të dridhura një tufë lekësh në dorë dhe, duke më përkëdhelur kokën, tha:
- Këto tri mijë janë për Dinën, kurse këta njëzet lekë janë për ty. Bliji ndonjë pastë njëzet-lekëshe. T’ia japësh asaj në dorë, para se të shkosh në shtëpi. Dakord, vogëlush?
- Dakord, -thashë shkurt dhe bëra të ikja.
- Dale,- tha ai pa u larguar ende nga dera, - prit të të këput dhe ndonjë hurmë,- dhe u afrua te një pemë..
-Farëzezë -i thashë tashmë i sigurt.
- Dakord, po nuk i njoh mirë,- sportisti dukej mjaft i preokupuar.
- I njoh unë,- thashë dhe, pasi u afrova te pema, fillova të hetoja me syrin e specialistit për farëzezat tona.
Sportisti bënte ecejake padurimi, ndërkohë që unë, më nge, prekja, hetoja, kafshoja hurmat, gjersa gjeta farëzezën.
- E gjeta,-thashë.
- Mirë, shumë mirë,- tha ai me nxitim dhe doli vetë i pari nga porta.
U largova i lumtur për realizimin e detyrës. Shkova vrap te Dina, e cila më pyeti për gjithçka. Unë i tregova deri dhe për llojin e hurmës që këputa, por ajo nuk m’u duk dhe aq kurioze për të. Më shumë ishte e interesuar për ndonjë letër të tij dhe, kur i thashë që nuk bëhej fjalë për letër, psherëtiu :
-Hëm, pushti, nuk do të lërë dokument me shkrim, por a ka dokument më të madh se djali?”
-Jo,- i thashë unë për t’i dhënë kurajo. Por ajo s’e kish mendjen.
Pastaj u kujtua, më puthi në faqe me buzët e ngrohta dhe, pa u larguar, kërkoi diçka në xhep. Nxori një dhjetëlekësh dhe tha
-Bliji ndonjë pastë.
-Nuk dua,- thashë serioz,- unë s’e bëra për lekë.
- Po për çfarë e bëre ...? -qeshi ajo.
Nuk thashë gjë.
Të nesërmen, iu afrova përsëri Dinës, tek qëndiste, dhe, kur ajo ish në kulmin e muhabetit me shoqet, unë ula kokën i druajtur, për të parë... ku fshihej gjilpëra.
Dina më pa dhe s’tha gjë. Bënte sikur s’më shihte.. Por pas dy ditësh, kur unë ula kokën përsëri, ajo më pa me qortim dhe tha shkurt
- C’bën.. ashtu? Mjaft!!
U largova i bindur. Pas një muaji Dina më thirri përsëri “shpirt i vogël” dhe më kërkoi sërish t’i çoja një letër sportistit. Pranova menjëherë pa pasur më nevojë për shpjegime. Rrugës e lexova përsëri letrën, e cila pa ndryshuar thelbin, kish nota më pesimiste dhe më kërcënuese. Kësaj radhe sportisti i njohur ma dalloi zërin që nga brenda oborrit dhe vrapoi të ma hapte derën plot mirësjellje. I dhashë letrën dhe prisja. Ai përpiqej të tregohej sa më i qetë. Lëvizte përsëri pa vetëdije këmbën në pantofël. Në fund, pa ndonjë shprehje të veçantë, shkoi me vrap për të marrë lekët dhe tha:
-Ndërkohë mund të gjesh ndonjë farëzezë,-dhe, duke iu mbajtur fryma, sa hap e mbyll sytë më solli paratë, më dha 20-lekëshin tim dhe, duke mos ditur ç’të më thoshte më foli :
-He, he, he, hë pra, e gjete farëzezën tënde..?
Iku pa e marrë vesh përgjigjen. I çova paratë Dines, e cila, pasi i numëroi, se ç’tha nëpër dhëmbë, më përkëdheli kokën dhe iku. Të nesërmen më la përsëri të shikoja ku përfundonte gjilpëra. Bënte sikur s’më shihte. Provova edhe një herë pas dy ditësh, por përsëri, kur unë ula kokën poshtë fustanit, ajo më tha e zemëruar:
-Po ç’bën? Ky është budalla fare...
Unë u largova, kurse shoqet e saj qeshën përsëri dhe pas pak më harruan. Tashme e kisha kuptuar se kompromisi ose pakti i fshehtë që kishim lidhur, ishte: çdo letër futbollistit, vetëm dy herë për të parë se ku përfundonte gjilpëra nën gjergjef. Pas rreth një muaji, kur mora letrën e tretë, Dina dukej mjaft e ftohtë dhe e trishtë. Edhe më i ftohtë u tregua sportisti, i cili, sapo më pa, s’bëri asnjë përpjekje për të fshehur bezdinë.
- Prit pak,- tha ,- shiko për ndonjë farëzezë,-dhe u ngjit lart. U kthye me vrik, duke shikuar majtas e djathtas,më dorëzoi lekët dhe, papritmas, m’u shkarkua mua:
- Po thuaji asaj të mbledhë veten: kam familje, ç’kujton ajo se ...- e uli ai më shumë zërin.
Duket, kishte harruar se me kë po fliste, se pas pak shtoi :-Më vonë, mund të bëhem më mirë dhe do kujtohem pa dyshim për djalin dhe për të.- e mbylli ai. Të vinte keq ta shihje ashtu. Ai fliste dhe mua më dilte parasysh në ndeshje, kur tundej tërë stadiumi, sapo prekte topin me këmbë. Por ai e mblodhi veten shpejt :
- Kështu thuaj Dinës, a teta Dinës, siç e thërret ti. Hajt pra, natën e mirë! -e uli zërin dhe u fut në errësirën e oborrit. Por u kthye vrik dhe tha:
-Për pak harrova .. njëzet-lekëshin.
-Jo, nuk e dua,- thashë kësaj radhe i vendosur.
U përpoqa t’i tregoja Dines ç’kishte thënë ai, por ajo kërkonte t’ia riprodhoja fjalë për fjalë, madje dhe me ton zëri. Ngulte këmbë t’i përsëritja disa herë shprehjen : “Do të kujtohem patjetër për të dhe për djalin”, dhe më në fund tha tërë mllef:
-Kurvari, sa mirë kujtohej të bënte qejf!
-S’e kujtonte hiç këtë gjë,- u përpoqa unë t’ia thelloja urrejtjen. Por duket këmbëngulja ime nuk pati ndonjë ndikim të veçantë, pasi ajo përhumbur tha:
-Hë, çfarë tha tjetër ?
-Asgjë,- thashë si i zënë në faj.
Më përkëdheli kokën dhe iku. Të nesërmen ne e respektuam përsëri kompromisin tonë, por ajo nuk arriti ta fshihte dot bezdisjen. Më pa me mospërfillje dhe pas një çasti mbylli këmbët duke bërë sikur ndërronte gjergjefin. Ceremonia e letrës së fundit kaloi pothuajse krejt në heshtje. Futbollisti ma bëri fare të qartë se ishte hera e fundit, ndaj të mos përpiqesha më, ndryshe… Madje nuk më la të marr as hurmën farëzezë. Kur i dorëzova Dinës paratë dhe i thashë se ç’më tha futbollisti, ndjeva se po i vinte fundi paktit tonë. Dhe shkaktari, natyrisht, ishte futbollisti i njohur.
- Kështu thotë,-u përpoqa t’i jepja kurajë Dinës,- por do t’i japë ato… lekët pra, s’ka nga vete, ka frikë.. Unë e shoh se si dridhet sapo me sheh. Por Dina nuk donte t’ia dinte aspak për argumentet e mia. U ndamë ftohtë. As flokët nuk m’i përkëdheli. Ajo nuk më thirri më për detyrën. I dilja herë pas here përpara, por ajo më dhuronte një buzëqeshje të kursyer dhe vazhdonte të ngulte gjilpërën e qëndisjes në pëqi. Qëndiste e qante. Pra midis nesh kishte marrë fund gjithçka.
Ajo humbi për ca kohë dhe u kthye vetëm, pa djalin e vogël. U kthye më e ligështuar dhe më e heshtur. Ajo qëndiste më shumë, kurse ai vazhdonte të bënte më shumë gola dhe, kur kalonte nga rruga jonë me të shoqen e bukur në krah, bënte sikur s’na njihte. Sa herë kalonte, shikoja Dinën me bisht të syrit e më vinte t’i thërrisja:
“Do më japësh letër për të apo jo? Shikoje atë zagar si kapardiset me të shoqen në krah. Dhe as që do t’ia dijë për njeri. Unë nuk kam hallin tim…, s’e kam hallin aty..por ai s’durohet. Ç’kujton se është? Ndonjë trim i madh? Unë e di si i dridhet këmba në pantofël, kur i çoj letrën... “ Por ajo vazhdonte të qëndiste e heshtur. Nganjëherë qante e qëndiste.