Edison Ypi: Komshiu

Edison Ypi: Komshiu

Nuk kishte mënyrë për t'i shpëtuar vigjilencës së komshiut.

Pavarsisht se kush trokiste në derën tënde, nëna, motra apo vëllai, një mysafir apo një mik; më nuhatës se një qen, më i shpejtë se një lepur, i pari që hapte derën, nuk ishe ti por komshiu përballë me shkumë rroje në fytyrë, duke u mbllaçitur, duke mbërthyer kopsat e pantallonave, a duke mbërthyer rripin e mesit.

I tmerruar nga përfytyrimi se komshiu mund të bënte të njëjtën gjë me ty, ti nuk hyje kurrë në apartamentin e komshiut. Por ishte kujdes i kotë. Komshiu e gjente gjithmonë një mënyrë për të hyrë në shtëpinë tënde.

Meqënse komshiu s'kishte asgjë për të fituar, asgjë për të humbur, asgjë për të ndarë, gruaja e komshiut s'kishta asnjë arësye për të mos mbetur vazhdimisht shtatzanë. Kur ndodhte që numuri i kalamajve të komshiut kalonte masën kritike dhe shtatzania e rradhës konsiderohej e tepërt, andej nga muaji i pestë apo i gjashtë i shtatzanisë, komshiu gjente një infermiere në pension për t'ja nxjerrë gruas fetusin me çengela hekuri mes klithmash dhe ulurimash që mbushnin mëhallën.

E vetmja manovër për ta paksuar disi kuriozitetin gjithmonë në rritje të komshiut, ishte të hiqeshe sikur s'kuptoje, pra të bëje rolin e budallait.

Çmenduria e vetshpallur e zbaviste komshiun. Megjithatë përmbahej. I frigej ndonjë rreziku të paparashikueshëm që mund t'i vinte nga sjellja e çuditëshme e dikujt që preferon të hiqet i çmendur edhepse i çmendur s'është.

Në kushtet e pamundësisë absolute për të jetuar më mirë, për të pasur më tepër, për të ngrënë, për tu veshur e mbathur, kur i mungonin të dhënat e sigurta, imagjinata e komshiut më e papërmbajtur se e Ajnshtajnit kombinohej me aftësinë e tij rrëfyese më të fuqishme se të Tolstoit.

Të kishe komshi një mediokër që kishte lexuar vetëm "Shvejkun" dhe "Tre Shokët" dhe të shurdhonte me dromca për të vjellë nga ato dy libra, ishte një mënxyrë që nuk rrëfehet dot. Gjysmaku e hidhte aq përpjetë sikur nuk ishit komshinj të dy, por vetëm ti komshiu i tij.

Vështirë t'i bëje ballë zellit të komshiut për të bërë të ditur hollësira nga jetët e të tjerëve. Të bëje sikur për jetët e të tjerëve nuk ishe i interesuar, për komshiun ishte krejt e pabesueshme, dhe fillonte dyshonte, niste thurte meselera inekzistente për ty.

Të tregoje interesim ndaj thashethemeve të komshiut, por të hiqeshe sikur nuk kuptoje, mund të ndodhte që ta besonte për një çast, dhe përjetoje një moment çlodhje. Por pas pak komshiu vinte në vete. Çfarë do ndodhte më pas nuk mund ta gjente dot asnjë parashikim fallxhoreje.

Për të krijuar një farë sigurie që komshiu të mos të spiunonte, mund të gjeje ndonjë mënyrë që ta zbusje pak bishën, që ta vinte pak dorën në zemër, të ishte pakëz i mëshirshëm. Prekej disi nga ky afrimitet. Por zgjaste pak. Vinte shpejt në vete, dhe niste përsëri të spiunonte.

Të kishe durim ta dëgjoje, komshiu të spjegonte fije për pe nga stërgjyshi i tij tek e ardhmja e ndritur kur nën udhëheqjen e partisë revolucioni proletar botëror do triumfonte.

Ta kundërshtoje sadopak komshiun, ishte një nga mënyrat për t'i thënë burgut hapu.

Komshiu, ky fatalitet i mënxyrshëm prej të cilit nuk shpëtoje dot asnjë çast, bërtiste; Jam puntor, jam proletar, bota më përket.

Kishte të drejtë komshiu. Ai të cilit bota dhe jeta nuk i përkisnin, ishte komshiu i komshiut.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ani pse: 22/07/2023 18:25

    Edison Ypi ka nje talent te rralle. Shume nga shkrimet e tij do te hyjne ne panteonin e letersise shqipe. Dashuroje apo urreje, e sigurte eshte se nuk mund te qendrosh indiferent perballe stilit te jashtezakonshem te Edisonit. I madh!

    Përgjigju
  • Zylyfi prej durrsi: 01/08/2022 20:57

    E Ka te gjithe nga pervoja e tij.Ka qene i zoti,i kapte shpejt problemet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë